Premtimi për reciprocitetin/A duhet të vendoset kjo masë ndaj Serbisë?

Politika

Premtimi për reciprocitetin/A duhet të vendoset kjo masë ndaj Serbisë?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 5 gusht 2021 Në ora: 08:08
Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk ka hequr dorë nga vendosja e reciprocitetit me Serbinë.

Në seancën e së hënës, shefi i ekzekutivit ka thënë se janë të interesuar për zbatim të plotë të reciprocitetit por që këtë do ta bëjnë pasi të përgatiten mirë.

Kurti ka thënë se reciprociteti tregtar është vetëm një elementi i reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar.

“Tash, reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje, besojmë që është një parim i shëndosh i marrëdhënieve midis shteteve që derivon nga koncepti i barazisë. Përveç kësaj, reciprocitetin nuk e kemi për të shtuar barriera por për t’i hequr ato ekzistuese dhe duam ta bëjmë në mënyrën të cilën nuk zhbëhet më. Se është e vërtetë që herën e kaluar e vendosëm gradualisht, gjithçka shkonte mirë, mirëpo më pastaj u kthye më keq se ç’kishte qenë ndonjëherë, kjo është arsyeja pse ne do ta vendosim reciprocitetin, nuk heqim dorë prej tij, reciprociteti tregtar është veç një element i reciprocitetit të plot politik ekonomik dhe tregtar, dhe këtë do ta bëjmë atëherë kur do të jemi të përgatitur”, ka thënë Kurti.

Për çështjen e reciprocitetit, Kurti ka thënë se duhet të përgatiten mirë në mënyrë që mos të dështojmë sërish.

“Zëvendësi im i parë, Besnik Bislmi ka përgatitur një dokument në mënyrë të thuket 11 shkeljet që ia bënë Serbia reciprocitetit me Kosovën në raportin tonë të ndërsjellë. Pra, ne edhe faktorëve ndërkombëtar ua kemi treguar këtë gjë, dhe po i japim kohë në mënyrë që reciprociteti nga i cili nuk kemi hequr dorë ta zbatojmë. Mirëpo në këto 100 ditë e para ne kemi pasur drejtor të ri të doganave, dhe ne duhet të përgatitemi maksimalisht sepse nuk mund të dështojmë sërish”, potencoi ai.

Kurti shtoi se nëse nuk mund ta zbatohet i plotë sërish reciprociteti, atëherë edhe si koncept do të vdes.

“Ju e dini në Kurti 1 e vendosëm reciprocitetin dhe qeveria e mëpastajme e hoqi reciprocitetin, nëse ne nuk arrijmë ta zbatojmë në plotëni reciprocitetin sërish, atëherë ai vdes edhe si koncept. Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë e të saktë të tij meqenëse kemi edhe barriera sporadike përveç atyre sistemike dhe na duhet të përgatitemi plotësisht”, ka thënë kryeministri Kurti.

E lidhur me këtë për “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

"Nuk është koha për reciprocitet"

Analisti politik Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se nuk është koha tani për reciprocitet, pasi që kjo kërkohet nga SHBA-të.

Image
Islam Krasniqi

 

Krasniqi thotë se Biden po kërkon më të mirën nga dialogu në favor të Kosovës, andaj ne duhet t’i pranojmë këshillat e tyre.

“Kryeministri aktual z.Kurti qëndron prapa premtimit të tij, pasi që e ka pasur edhe si sloganin kryesorë gjatë fushatës së tij, mirëpo tani nuk është koha për reciprocitetit sepse ShBA-të po kërkojnë kështu, e që ne duhet t'i pranojmë këshillat e tyre na pëlqyen apo jo. Presidenti i SHBA-ve z.Biden është i njohur thelbësisht me popullin tonë dhe ai po kërkon që më të mirën ta nxjerr nga dialogu në favor të vendit tonë dhe ne nuk duhet të provojmë diçka që është kundër Washingtonit zyrtar”, tha ai.

Më tej. ai ka shtuar se duhet të arsyetohet vendosja e taksës dhe për reciprocitetin sepse rregullon raportet ndërshtetërore pavarësisht fuqive ekonomike, apo dendësisë së popullsisë.

“Z. Kurti nuk e ka mbajtur këtë premtim, mirëpo duhet të kuptohet arsyeja, çka do të thotë së është e arsyeshme mos vënia e reciprocitetit. Dhe për vendosjen e taksës duhet të ketë një arsye e cila e arsyeton vendimin e qeveris tonë nëse realizohet reciprociteti, sepse të gjithë e dinë se reciprociteti i rregullon raportet ndërshtetërore, pavarësisht fuqisë së tyre ekonomike, ushtarake apo edhe me dendësi të popullësisë së vogël apo së madhe”, ka shtuar Krasniqi.

“Opozita të mos veprojë me inate politike”

Ndërsa, analisti Hidajet Ahmeti, ka potencuar se Kurti edhe gjatë fushatë zgjedhore ka premtuar politikë tjetër ndaj mallrave serbe, e kjo ka të bëjë me reciprocitetin. Ahmeti thotë se një politikë e tillë është pranuar edhe ndërkombëtarisht.

Image
Hidajet Ahmeti

 

Ai shtoi se opozita nuk duhet të veprojë me inate politike, por të ofrohen alternativa reale për zgjidhjen e problemeve.

“Reciprociteti është një politikë ekonomike, e cila brenda vetes ngërthen substancën e shtetësisë. Albin Kurti edhe gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar një politikë tjetër sa i përket taksës ndaj mallrave serbe, e cila politikë është promovuar në vazhdimësi nga zyrtarët e Vetëvendosjes e ajo ka të bëjë më reciprocitetin ndaj mallrave serbe. Gjykoj se një politikë e tillë është e pranuar edhe ndërkombëtarisht, por edhe si praktike ekonomike përdoret në disa shtete. Opozita duhet të jetë konstruktive e jo të veprojë me inate politike, pasi një logjikë e tillë nuk prodhon një praktikë të mirë, por nuk i ndihmon edhe vet asaj. Duhet të ndryshohet kjo logjikë opozitare duke ofruar alternativa reale për zgjidhjen e problemeve, pasi një opozitë e dobët mund ta çojë në gabime qeverinë”, ka deklaruar Ahmeti.

“Reciprociteti i pakuptimtë”

Në anën tjetër, juristi Blerim Burjani, ka thënë se nuk ka nevojë për reciprocitet sepse sipas tij është pa arsye dhe se Kosova ke nevojë për marrëveshje tregtare.

Image
Blerim Burjani

 

Burjani shton se është i nevojshëm kuotimi i mallrave, kështu duke mos krijuar barriera që ngjasojnë vetë në politikë.

“Nuk ka nevojë për reciprocitet fare, kjo është e dëmshme dhe e pakuptimtë dhe pa arsye. Kosova ka nevojë ndoshta për marrëveshje tregtare të re me Serbinë në kuadër të CEFTA-së, tjerat janë përralla politike patriotike. Patriotizëm me tarifa dhe me ekonomi nuk ka duhet të ketë zhvillim dhe pasurim të ekonomisë ndërshtetërore, çdo gjë që është e dëmshme dhe e papranueshme mund të ketë tarfia të përkohshme kuotimi i mallrave është i nevojshme duke mos krijuar barriera të pakuptimta të përgjithshme që ngjan vetëm në politikë”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat