Ish-diplomati britanik paralajmëron tensione brenda Kosovës dhe dy shteteve tjera, shkaku i Serbisë

Politika

Ish-diplomati britanik paralajmëron tensione brenda Kosovës dhe dy shteteve tjera, shkaku i Serbisë

Nga: A.Zh Më: 24 gusht 2021 Në ora: 19:12
Timothy Less: Foto ilustrim nga "Bota sot"

Ish-diplomati britanik në Bosnje e Hercegovinë Timothy Less, ka folur për projektin kombëtar serb “Bota serbe”, të proklamuar nga ministri i Brendshëm i Serbisë Aleksandar Vulin.

Less për gazetën “Bota sot”, ka thënë se arsyeja për promovimin e kësaj ideje është perceptimi i Vulinit që serbët që jetojnë në Bosnjë, Kosovë dhe Mal të Zi janë në rrezik dhe anëtarësimi në BE për Ballkanin, nuk është më një opsion.

“Një ‘botë serbe’ është një emër tjetër për projektin kombëtar serb, të cilin e përkrahin Vulin dhe anëtarët e tjerë të qeverisë. Arsyeja për promovimin e idesë së tij është perceptimi i tij se serbët që jetojnë në Bosnjë, Kosovë dhe Mal të Zi janë në rrezik dhe se ilaçi afatgjatë i këtij problemi, përkatësisht anëtarësimi në BE për Ballkanin, nuk është më një opsion”, ka thënë Less.

Udhëheqësi i projektit “Studimet e Shpërbërjes” të Qendrës për Gjeopolitikë dhe Strategji në Universitetin e Cambridge, ka përmendur alternativat, të cilat Serbia po i merr në konsideratë. Një ndër to është se serbët po përpiqen të bindin SHBA-në dhe BE-në që të pranojnë shkëmbimin e territorit mes Kosovës dhe Republikës Srpska.

“Kjo po i bën politikanët në Beograd të marrin në konsideratë alternativat. Njëra prej tyre është krijimi i një shteti kombëtar serb, të cilin serbët besojnë se është i mundur. Bosnja ka rënë në mënyrë efektive nga brenda dhe statusi i Kosovës nuk është zgjidhur ende plotësisht. Prandaj, politikanët serbë besojnë se ata përfundimisht mund të bindin SHBA -në dhe evropianët që të pranojnë një shkëmbim territori midis Kosovës dhe Republikës Srpska. Mjet alternativ për të ndihmuar diasporën serbe është krijimi i një njësie rajonale të një lloji që ul rëndësinë e kufijve dhe i afron Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën, me pakicat e tyre serbe, më afër Serbisë”, është shprehur ish-diplomati në Bosnje e Hercegovinë.

Ai më tej ka folur për “Bota sot” për mundësinë që "Ballkani i Hapur" të jetë një kërcënim për rajonin, veçanërisht për Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi, ku sipas tij, do të krijohen tensione midis grupeve të shumicës dhe pakicave të tyre përkatëse serbe lidhur me “Ballkanin e Hapur”.

“Ka të ngjarë të krijojë një lloj presioni. Serbia, e mbështetur nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, po ndjek një politikë të cilën grupet e shumicës në Kosovë, Bosnjë dhe Mal të Zi e refuzojnë të gjithë. Kjo do të krijojë tensione në nivel rajonal, midis Serbisë dhe këtyre tre vendeve. Ai gjithashtu do të krijojë tensione brenda Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi midis grupeve të shumicës dhe pakicave të tyre përkatëse serbe që duan të jenë pjesë e Ballkanit të Hapur”, ka thënë Timothy Less për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat