Parashikimi: Grenell nuk heq dorë nga projekti serb, këto janë tri konfliktet që duhet t’i zgjidh SHBA në Ballkan

Politika

Parashikimi: Grenell nuk heq dorë nga projekti serb, këto janë tri konfliktet që duhet t’i zgjidh SHBA në Ballkan

Nga: P.R Më: 9 shtator 2021 Në ora: 17:33
Ilustrim

Ish i dërguari special i ish presidentit amerikan Donald Trump në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, në një tekst autorial të botuar në the Federalist, ka shkruar lidhur me bisedimet e zhvilluara në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, me 4 shtator të vitit të kaluar në Uashington, ku u takuan ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Në shkrimin e tij, Grenell ka hedhur fajin ndaj presidentit aktual Joe Biden, se ai nuk po merret me dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin.

“Vizioni i Trump ishte që Kosova dhe Serbia të normalizojnë raportet e veta ekonomike dhe të rivitalizojnë në tërësi Ballkanin. Trump besoi se konflikti ndikon në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në zhvillimin ekonomik për të gjithë të përfshirët. Po ashtu besoi se strategjia e bisedave të vazhdueshme politike që udhëheqin evropianët nuk funksionon. Për fat të keq të Ballkanit, administrata e Biden mori qëndrim të kundërt. Presidenti Biden vazhdon të injorojë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe të gjithë regjionin dhe vendosi se është më thjeshtë të mos përzihet. Ai nuk ka të dërguar presidencial, ndërsa në Shtëpinë e Bardhë nuk ka shqyrtim apo plan për regjionin, nuk ka vizita të nivelit të lartë, as ardhje të liderëve të Ballkanit në SHBA”, ka shkruar Grenell, përcjellë “Bota sot”.

E lidhur me këto pretendime të Richard Grenellit, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi, sipas të cilit, Grenell punoi në dëm të Kosovës dhe në favor të Serbisë.

“E lexova shkrimin autorial të zotit Grenell. Nuk jam entuziast për atë që po bën zoti Biden për Ballkanin, nuk jam aq optimist as me ndërmjetësimin e Brukselit në dialog dhe në zgjidhjen e problemit. Por kjo nuk i jep zotit Grenell të drejtën të mburret me shërbimet e mëdha që ai ia bëri dhe donte t'ia bënte edhe më tej Serbisë në dëm të sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, ish ambasadori Grenell operon me të pavërteta ose gjysmë të vërteta.

“Ai hiperbolizon angazhimin e tij për Kosovën dhe zgjidhjen e konflikteve në Ballkan. Por përpjekjet e tij shkuan në drejtimin që të bind palët për një zgjidhje kundër sovranitetit integritetit tokësor dhe shtetësisë së Kosovës. Së paku këtë e bëri sa kohë ishte aktiv Hashim Thaçi. Pas ikjes së Thaçit u duk se ndryshoi qëndrim. Megjithatë angazhimi i tij imponues që Kosova ta pranonte Minishengenin, ishte çelësi i asaj çfarë ka përfaqësuar Grenell në ndërmjetësim. Minishengeni ose Open Ballkani ishte iniciativë e anti-europianëve dhe mbetet si e tillë”, deklaron profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi shprehet se “Open Ballkani” synon krijimin e Jugosllavisë së Re.

“Në këtë kuptim duhet thënë se kjo iniciativë synon Jugosllavinë e Re, në të cilën të përfshihet jo vetëm Kosova, e shtetet e tjera të njohura ndërkombëtarisht e që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, përveç Sllovenisë dhe Kroacisë, por edhe Shqipëria. Kjo Jugosllavi e re është rikthim te politikat e Milosheviçit. Pse Milosheviç mobilizoi atë që Vuçiç e quan bota serbe, si dhe ushtrinë, policinë, akademinë, kishën e gjithë kombin serb për ta ruajtur me dhunë Jugosllavinë e vitit 1990? A do të kishte luftë nëse Serbia do ta ruante sundimin e saj mbi kombet e tjera ish-jugosllave? Natyrisht jo!”, thekson Bytyçi.

Profesor Bytyçi shton se politikanët e Beogradit duan të rikthejnë pozitën serbe të kohës së Jugosllavisë së Milosheviçit, jo atë të Titos.

“Njësoj si Vladimir Putin, i cili thotë se shpërbërja e ish-Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe për Rusinë, edhe presidenti i Serbisë pretendon së shpërbërja e Jugosllavisë ishte katastrofa më e madhe e Serbisë. Prandaj dhe ai dëshiron të rikthejë pozitat e epërsisë serbe në rajon përmes këtij minishengenit ose Open Ballkan. Grenell i njeh këto zhvillime. Në mos vetë, dikush ia ka thënë atij. E megjithatë e detyroi Avdullah Hotin të nënshkruajë angazhimin e Kosovës për t'iu bashkuar Open Balkanit”, deklaron Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Siç thotë profesor Bytyçi, Richard Grenell nuk ka hequr dorë nga kjo ambicie për të ndihmuar hegjemoninë serbe e ruse në Ballkan.

“Prandaj shteti sa në Beograd sa në Tiranë te dy miqtë e tij Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama. E lëshon ndonjë kritikë kundër Blinken për të josh në lojën e vet ndonjë politikan të së djathtës në Shqipëri e në rajon. Grenell është mjeshtër i destabilizimit, sepse në ujërat e turbullta të pasigurisë në rajonin tonë përfiton më shumë. Të njëjtën gjë ka bërë në Gjermani kundër qeverisjes së Angela Merkel, sa kohë ishte ambasador i SHBA-ve në Berlin. Prandaj dhe nuk janë të besueshme kritikat e tij ndaj presidentit amerikan, Biden”, thotë Bytyçi.

Më tej, Bytyçi tregon edhe arsyen pse Grenell e sulmon shpesh kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Së paku Biden nuk ka tentuar të prishë ekuilibrat dhe statuskuonë në favor të Serbisë. Kjo është arsyeja pse Grenell sulmon ashpër Albin Kurtin dhe nuk pajtohet me qëndrimet e tij të reja për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë. A mund të bënte më shumë?! Sigurisht që po. Por kam ndjesinë se dështimi në Afganistan do ta detyrojë të kërkojë një sukses politike e diplomatik diku tjetër. Më mirë se në Ballkan nuk ka se ku ta dëshmojë ai veten. Parashikoj të ndodhë kjo, sepse Biden e njeh shumë mirë rajonin tonë, ka dijeni të sakta dhe të plota për zhvillimet, viktimat dhe agresorët në Ballkan. I njeh shumë mirë sakrificën e shqiptarëve dhe krimet e Serbisë kundër tyre”.

Për fund, Bytyçi deklaron se SHBA në koordinim me BE-në, duhet tu jap fund tri konflikteve të pazgjidhura në Ballkan.

“Ndërsa Grenell e deri diku Trump nuk ishin e nuk janë të vetëdijshëm për atë që ka ndodhur në rajonin tonë para 20-25 vitesh. Përveçse e adresuan politikën e diplomacinë amerikane kundër Berlinit dhe Evropës, në favor të Rusisë. Çka do të thotë në favor të Rusisë! Shkurt unë pres që vitin e ardhshëm ofensiva diplomatike amerikane e koordinuar me atë evropiane t'i japin fund të tri konflikteve të pazgjidhura në rajon, konfliktit Kosovë-Serbi, konfliktit BH-Serbi dhe konfliktit Mali I Zi- Serbi”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat