“Aksioni i Beogradit”/Vjen parashikimi: Në këto shtete do të fillojë së pari fushata serbe për çnjohjen e Kosovës

Politika

“Aksioni i Beogradit”/Vjen parashikimi: Në këto shtete do të fillojë së pari fushata serbe për çnjohjen e Kosovës

Nga: A.Morina Më: 10 shtator 2021 Në ora: 22:39
Foto ilustrim

Serbia nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga lobimi për çnjohje të Kosovës.

Kjo u vë në pah, kur me 4 shtator skadoi moratoriumi i nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Vuçiqi paralajmëroi fushatë të egër kundër Kosovës.

Duke thënë se do të mposht Kosovën, siç u shpreh ai, në Interpol dhe UNESCO.

Në lidhje me fushatën lobuese serbe kundër njohjeve të Kosovës, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Melazim Koci.

Ai u shpreh i bindur se në këtë fushtë për çnjohje, Serbia po merr mbështetje të fuqishme nga Rusia, duke treguar edhe vendet në të cilat pritet të fillojë aksioni i shtetit serb.

Image
Analisti politik, Melazim Koci.

“Me 4 shtator ka skaduar edhe zyrtarisht Moratoriumi njëvjeçar i nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, me të cilin Kosova zotohej të heqte dore nga aplikimi për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbia gjithashtu zotohej se do të ndërprente lobimin për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Nuk ka asnjë dyshim se Serbia e mbështetur nga Rusia do të vazhdoj fushatën e çnjohjeve, por sa do të jetë e suksesshme mbetet për t'u parë. Kësaj radhe tehu i aksionit të Beogradit do të jenë vendet arabe dhe islamike, për shkak të hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, deklaroi analisti.

Koci parashikoi se suksesi i Serbisë në vendet arabe do të vihet në pikëpyetje, shkaku që shtetet islamike që kanë njohur Kosovën kanë raporte të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Derisa, thotë se deklarimet e Beogradit më shumë janë për të frikësuar diplomacinë e Kosovës dhe për të forcuar pozitën e saj në Bruksel.

“Suksesi i Serbisë në këtë betejë do të jetë shumë i limituar, sepse një pjesë e këtyre vendeve arabe dhe islamike që kanë njohur Kosovën kanë raporte shumë të mira me SHBA, ndërsa një pjesë tjetër janë të influencuara nga Turqia. Kohë më parë presidenti i Turqisë, Raxhep Taip Erdogan botërisht kërkoi koordinim me SHBA për shtimin e njohjeve të Kosovës. Këto rrethana do t'ia vështirësojnë shumë punën Serbisë sa i përket çnjohjeve të Kosovës.

Besoj shumë se deklarimet e Beogradit për fillimin e procesit të ri të çnjohjeve të Kosovës më shumë janë bllof në funksion të frikësimit të diplomacisë kosovare dhe të forcimit të pozicionit negociator në bisedimet e Brukselit”, theksoi ai.

Në vazhdim, analisti kërkoi nga diplomacia e Kosovës që të mos e vazhdojë assesi moratoriumin sa i përket anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, pasi kjo vetëm sa do ta fuqizonte synimin e Serbisë dhe Rusisë, për shpallje të ‘konfliktit të ngrirë’.

“Diplomacia kosovare në asnjë variant nuk guxon të zotohet për vazhdim të Moratoriumit sa i përket anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, sepse kështu tërthorazi do ta pranonte se Kosova është "konflikt i ngrirë". Pikërisht ky është synimi përfundimtar i Beogradit dhe Moskës, pra shpallja e Kosovës "konflikt i ngrirë" dhe pastaj ndarja e saj, qoftë ne tryezat ndërkombëtare, qoftë në bisedimet me Prishtinën dhe Tiranën”, nënvizoi Koci.

Tutje, ai përmendi disa objektiva kryesore në të cilat diplomacia shqiptare duhet të ketë focus kryesore, ku njëra ndër to është edhe gjetja e rrugës alternative për forcimin e shtetësisë.

Po ashtu, Koci potencoi se me një anëtarësim të mundshëm në NATO, Kosova do të ia bënte me dije Beogradit se mund të forcohet si shtet edhe pa njohjen e tj.

“Në periudhën e ardhshme diplomacia kosovare duhet të fokusohet të objektivat e arritshme që konsistojnë në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare ku SHBA dhe BE kanë shumicën dhe sidomos në NATO. Tash është krejt e qartë se njohja nga Serbia është shumë e largët dhe po aq i largët është edhe anëtarësimi në Kombet e Bashkuara për shkak të vetos së Rusisë dhe Kinës. Në këto rrethana Kosova duhet të kërkoi rrugë alternative për forcimin e shtetësisë. Një nga mënyrat do të ishte insistimi te aleatët tanë në Uashington dhe Bruksel që Kosova në një të ardhme të afërt të anëtarësohet në NATO. Anëtarësimi në Aleancën Veriatlantike do të bënte që Serbia të dekurajohet dhe ta kuptoj se kthimi ose ndarja e Kosovës është punë që nuk bëhet. Kosova kështu do t'ia bënte të ditur Beogradit se mund të forcohet si shtet edhe pa njohjen nga Serbia. Tajvani është shembull ilustrues, sepse ndonëse njihet vetëm nga 16 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara, ka raporte shumë të mira me 50 ekonomitë më të mëdha boterore dhe sot paraqet një shtet shumë të fuqishëm”, tha ndër të tjera analisti.

Krejt në fund, Koci kërkoi nga udhëheqësit e Kosovës që t’ia parashtrojnë SHBA-së dhe BE-së pyetjen se: çfarë kuptimi ka dialogu në Bruksel nëse Serbia përmes lobimit për çnjohje e bënë të qartë se nuk ka në plan njohjen e Kosovës?

“Vazhdimi i lobimit të Serbisë për çnjohjen e Kosovës i ofron një pretekst të mirë Kosovës që para SHBA dhe BE të shtroj këtë pyetje: çfarë kuptimi ka dialogu në Bruksel nëse Serbia përmes lobimit për çnjohje e bënë të qartë se nuk ka në plan njohjen e Kosovës? Uashingtoni tash sa kohë thotë se dialogu duhet të përfundoj me njohjen reciproke. Nëse Serbia nuk e ka objektiv njohjen reciproke - a mos është shndërruar dialogu në instrument të Serbisë për të fituar në kohë dhe për të defunksionalizuar Kosovën.

Rrjedhimisht Kosova dhe aleatët tanë duhet t'ia bëjnë të qartë Serbisë se dialogu dhe lobimi për çnjohje nuk shkojnë bashkë dhe se kjo lojë nuk mund të vazhdojë deri në pafundësi!”, përmbylli Melazim Koci, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat