Arkivat e UÇK-së nuk janë për Serbinë

Politika

Arkivat e UÇK-së nuk janë për Serbinë

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 13 shtator 2021 Në ora: 07:59
Ilustrim

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar hapjen e arkivave të shtetit serb me qëllim të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur. 

Sipas tij, pasi që të gjitha krimet në Kosovë janë kryer nën urdhrat e aparatit shtetëror serb dhe se fati i të zhdukurve gjendet në arkivat e këtij shtetit. 

Kurti shtoi se kjo çështje është kryefjala e dialogut me Serbinë dhe se nuk do të ketë të ardhme të qëndrueshme pa zbardhjen e fatit të tyre. 

Ndërsa, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi deklaroi se nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, gjatë këtij muaji. 

Bislimi tha se pala serbe është pajtuar në parim për hapjen e arkivave shtetërore për çështjen e të pagjeturve. 

Ai shtoi se Serbia kërkon edhe hapjen e arkivave të UÇK-së. 

 “Ne kemi evidentuar se problemi kryesor për çështjen e të zhdukurve me forcë është mos gatishmëria e palës serbe për hapjen e arkivave shtetërore. Ne kemi diskutuar edhe për kthimin e disa mbetjeve mortore të viktimave që janë gjetur në Kishevak. Po ashtu ne kemi kërkuar mos pjesëmarrjen e (Velko) Odalloviqit në delegacionin serb. Pala serbe në mënyrë deklarative kanë thënë se janë dakord të hapin gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat në Kosovë dhe të UÇK-së”, tha ai. 

Pas kësaj deklarate të Bislimit, kanë reaguar ashpër partitë opozitare. 

Lidhur me këtë, për “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike. 

“Të sqarohet qëllimi i kësaj çështje” 

Image
Hajrullah Tërnava

Eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se në bisedimet e radhës do të diskutohen tema për të cilat publiku nuk është i njoftuar, andaj duhet të dy vendet të krijojnë planin e bisedimeve të radhës. 

Ai shtoi se nga cështja e arkivave nuk ka se çfarë të pritet, pasi që nuk ka diçka të rëndësishme në to. 

Ai rikujtoi se arkiva e UÇK-së është miratuar në legjislaturën e kaluar. 

Në bisedimet e radhës që do të zhvillohen në mes Serbisë dhe Kosovës, do të hapen edhe tema për të cilat opinioni edhe nuk është i njoftuar. Prandaj, përfaqësuesit nga dy palët e shteteve duhet ta krijojnë planin e bisedimeve të radhës. Për rrjedhojë priten reagime të shumta pasi Kosova dhe Serbia u pajtuan për hapjen e arkivave me Serbinë, përfshirë dhe arkivat e UÇK-së. Çështja e arkivave po hiperbolizohet, sepse në këtë situatë tani opozita po bënë çmos që t’i gjejë gabime qeverisë në pushtet. Nuk ka çka pritet nga ato hapje të arkivave tona, kur dihet që aty nuk gjenden gjëra të rëndësishme. Në bazë të ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës, si pikë e këtij ligji përfshihet edhe Arkiva e UÇK-së, që është draftuar e miratuar në legjislaturën e kaluar. Prandaj që të gjitha reagimet dhe kritikat tani i drejtohen qeverisë Kurti”, ka potencuar Tërnava. 

Më tej ka potencuar se tani opozitës nuk i ka mbetur gjë tjetër, vetëm të “shpik” gabime të qeveritarëve. 

Është e kuptueshme tani edhe nëse ka komente dhe reagime të ndryshme lidhur me këtë temë, sepse opozitës s`i mbetet tjetër përpos të shpik gabimet e qeveritarëve, që së paku t’ia jep shpresën simpatizantëve partiak të tyre duke pretenduar dhe duke i bindur se kjo qeveri së shpejti duhet të jep dorëheqje si e pasuksesshme. Prandaj, tani po tentohet me çdo kusht të fajësohet qeveria Kurti për çdo gjë, derisa dhe Arkiva e UÇK është bërë nga qeverisja e kaluar”, shtoi ai. 

Tutje, Tërnava theksoi se shpresat se serbët duan të tregojnë për arkivat dhe krimet, mund të jetë vetëm atëherë kur tema kryesore në bisedime është për këto arkiva. 

Ndërsa, lidhur me atë se kush duhet të jap përgjegjësi për këto arkiva, sipas Tërnavës, kjo duhet të sqarohet. 

Nëse në bisedime, temë kryesore do të ishte biseda nga të dy palët për arkivat si të UÇK, por edhe të arkivave të ushtrisë serbe, atëherë mund të shpresohet se serbët duan të hapen dhe të tregojnë dhe t’i qesin për dritë edhe arkivat dhe krimet që i kanë bërë serbët ndaj popullatës së Kosovës. Lidhur me këtë se kush duhet të jep përgjigje për këtë çështje, tani edhe kjo çështje duhet të sqarohet, se a ishte kërkesë nga ndërkombëtarët për këtë çështje, apo nga cila palë ajo serbe apo shqiptare është iniciuar. Në përgjithësi duhet të sqarohet qëllimi i kësaj çështjeje dhe nëse është çështje e paraparë që të zbardhet nga të dy palët, kjo i përket procedurave të bisedimeve mes dy shteteve dhe ndërmjetësuesve të këtyre bisedimeve”, ka përfunduar Tërnava. 

“Qeveria nuk është pronare e arkivave” 

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu, ka potencuar se nëse ka arkiva, atëherë janë të Kosovës, jo të Qeverisë. 

Ai thotë se Serbia duhet të jap arkivat sekrete, madje edhe dosjet e tyre, ndërsa Qeveria sipas tij, nuk duhet të sillet ashpër me deklaratat e shtypit. 

Nëse ka arkiv të UÇK-së, ajo arkiv është e Kosovës jo e qeverisë së Kosovës, dhe qeveria nuk është pronare e arkivave. Qeveria e Kosovës nuk mund të shesë as të falë për asnjë çmim arkivat e UÇK-së, as të Kosovës, nëse Serbia nuk shërbehet me të njëjtën monedhë. Le të japë Serbia arkivat e shërbimeve sekrete të Kosovës, të japë bashkëpunëtorët e punëtorët e shërbimeve sekrete, dosjet e tyre, arkivat e dosjet e strukturave që kanë bërë krime në Kosovë. Qeveria Kurti të mos sillet ashpër me deklarata shtypi e ndërkohë tregohet “jesmene” para Serbisë”, tha ai. 

Tutje, Shahu tha se Serbisë nuk i duhen arkivat, ajo është autore e vrasjeve, andaj Qeveria Kurti nuk duhet të akuzohet, sepse arkivat nuk janë punë e qeverisë. 

Nuk i duhen Serbisë, se nuk janë për Serbinë arkivat e UÇK-së. Kosova me vendim parlamenti krijoi gjykatën speciale dhe i ka në gjyq krerët e UÇK-së, jo për vrasje serbësh, se atë pune e ka pasur UÇK në luftë, të luftonte me serbët dhe në luftë vritesh nga plumbat nuk puthesh, por për vrasje shqiptarësh. Serbia duhet të roje jashtë kësaj historie, ndryshe ajo është autore e gjithë vrasjeve në Kosovë. Qeveria Kurti nuk ka pse akuzohet për çdo gjë. Arkivat nuk janë punë apo detyrë e mision i një qeverie”, shtoi Rexhep Shahu për “Bota sot”. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat