Vizita lamtumire/Çfarë paralajmëron takimi i kryeministrit Kurti me kancelaren Merkel?

Politika

Vizita lamtumire/Çfarë paralajmëron takimi i kryeministrit Kurti me kancelaren Merkel?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 14 shtator 2021 Në ora: 12:08
Albin Kurti dhe Angela Merkel - Foto ilustrim "Bota sot"

Kancelarja gjermane Angela Merkel në takim lamtumirës po qëndron për vizitë në Ballkanin Perëndimor.

Ajo përveç vizitës në Serbi, këtë të martë po qëndron në Shqipëri dhe pritet të takohet me krerët e qeverive të Ballkanit.

Në kuadër të kësaj vizite pritet të zhvillohet edhe takimi mes saj dhe kryeministrit Albin Kurti.

Kryeziu: Bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit, çështje dhe tema bilaterale në interes të dy vendeve tona

Për “Bota sot” ka folur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili ka dhënë detaje më të hollësishme rreth takimit mes kryeministrit Kurti dhe kancelares Merkel.

Image
Përparim Kryeziu

Ai thotë se në këtë takim pritet të bisedohet për bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit dhe për çështje dhe tema bilaterale të cilat janë në interes të dy vendeve tona.

Samitit të radhës të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që pritet të mbahet në Slloveni më 6 tetor të këtij viti, po i paraprinë një vizitë e kancelares Merkel në rajon. Ky është mesazh i fuqishëm e mbështetës për Procesin e Berlinit, për bashkëpunimin rajonal brenda agjendës evropiane dhe po ashtu mesazh edhe për rolin e rëndësishëm që Gjermania ka në gjithë këtë proces. Andaj në takimin që pritet të mbahet në Tiranë, mes kryeministrit Kurti dhe kancelares Merkel pritet të bisedohet për bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit dhe për çështje dhe tema bilaterale në interes të dy vendeve tona”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu.

Kurse analistët kanë vlerësuar se takimi me Merkel është takim kurjaues.

Mehazi: Rast i mirë për Kurtin, por një e keqe mund t’i vije nga Rama

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se takimet me Merkel janë gjithmonë kurjauese për qeveritë shqiptare.

Image
Sulejman Mehazi

Si çdoherë takimet me kancelaren gjermane Merkel për qeveritë shqiptare janë kurajuese e të mirëpritura, të cekim se ardhja e kancelares gjermane në Tiranë dallon nga ardhjet e mëparshme, sepse do jetë takim specifik, përshëndetës e i fundit i kancelares gjermane Merkel për shkak largimit të saj nga diplomacia, takimi i saj në Tiranë me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor më shumë do jetë ceremoniale sesa politike e diplomatike”, ka thënë ai.

Tutje Mehazi deklaron se ky takim do të jetë rast i mirë për Kurtin që t’i shpreh kancelares Merkel problemet kruciale politike, ekonomike e diplomatike të Kosovës.

Takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me kancelaren Merkel në Tiranë, do jetë një rast i mirë për t'i shprehur kancelares gjermane problemet kruciale politike, ekonomike e diplomatike të Kosovës, e ato janë të shumta: liberalizimi i vizave, dialogu i stërzgjatur i Kosovës me Serbinë, asociacionet serbe në Kosovë, Ballkani i Hapur i papranueshëm për Kosovën dhe pengesat e shumanshme të depërtimit të Kosovës në instancat më të larta evropiane e botërore”, thotë profesori.

Në fund profesori shprehet pak skeptik në raport me këtë takim për shkak të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili mund ta shfrytëzojë për poenat e veta politike në lidhje me Ballkanin e Hapur në përkrahje të Vuçiqit e në dëm të Albin Kurtit e Kosovës.

E keqja kryeministrit të Kosovës, Abin Kurtit në Tiranë, mund t'i vijë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili vizitën e kancelares gjermane do të mundohet ta shfrytëzojë për poenat e veta politike në lidhje me Ballkanin e Hapur në përkrahje të Vuçiqit e në dëm të Albin Kurtit e Kosovës. Është e qartë se Edi Rama dhe Vuçiqi me deklaratat e tyre në Tiranë do provokojnë tre shtetet e Ballkanit që nuk pajtohen me projektin famos të Ballkanit të Hapur. Është e pamundur që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si nikoqir, vizitën e zonjës Merkel mos ta shfrytëzonte e të mos provokonte kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin në lidhje me Ballkanin e Hapur në të mirë të Serbisë e në dëm të Kosovës dhe shteteve tjera që janë kundër këtij projekti djallëzor serb. Është e pamundur që vizitën e kancelares gjermane Angela Merkel të mos e skandalizonte vetë Edi Rama me provokimet e tij të njohura ndaj Albin Kurtit e Republikës së Kosovës”, deklaron ai.

Në fund Mehazi thekson se kjo vizitë sa do jetë diplomatike me zonjën Merkel, po aq skandaloze me Ramën e Shqipërisë dhe Vuçiqin e Serbisë.

Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në Tiranën e Edi Ramës sa do jetë diplomatike me zonjën Merkel, po aq skandaloze me Edi Ramën e Shqipërisë dhe Aleksandar Vuçiqin e Serbisë”, përfundon Sulejman Mehazi për gazetën “Bota sot”.

Kuçi: Takimi me Kurtin është më shumë përmbyllje dhe dhënie e direktivave për të ardhmen

Analisti Gurakuç Kuçi, thotë se kancelarja Merkel po e mbyll një kapitull të fuqishëm për shtetin gjerman por që nuk kishte progres në integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe ndonjë zgjidhje përfundimtare.

Image
Gurakuç Kuçi

Sipas tij, politika e jashtme e saj sidoqoftë u tregua më shumë realiste duke ndjekur stabiliokraci për Ballkanin karshi interesave me shtetet sllave.

Zgjedhjet në Gjermani janë të parapara të mbahen në fund të shtatorit dhe Merkel nuk do jetë më pjesë e politikës aktive në Gjermani. Mirëpo, sipas sondazheve atje, nuk pritet të ketë një trashëgimtar të Merkelit nga partia e saj CDU, por nga SPD. Pra, CDU është një parti liberal-konservatore përderisa SDP është parti social-demokrate. Pra parashihet një ndryshim që nga e djathta e qendrës të shkohet nga e majta e qendrës. Të majtët nuk janë shumë të shpejtë në politika të jashtme sa dinë të jenë të interesuar të djathtët. Sidoqoftë shteti gjerman ka stabilitet në këto çështje. Andaj, edhe duke pasur parasysh angazhimin e Merkelit deri më tani ajo po e mbyll një kapitull të fuqishëm për shtetin gjerman por që nuk kishte progres në integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe ndonjë zgjidhje përfundimtare. Politika e jashtme e saj sidoqoftë u tregua më shumë realiste duke ndjekur stabiliokraci për Ballkanin karshi interesave me shtetet sllave", u shpreh analisti.

Ai nuk sheh ndonjë rëndësi nga takimi ky takim duke parë që është takim lamtumirës.

Ai tutje shton se më shumë këto takime duhet parë si paralajmërime mbi parëndësinë dhe pamjaftueshmërinë e politikës së Kosovës dhe Shqipërisë që duhet të ndryshojmë.

“Por kjo nuk do të thotë që ajo nuk ofroi punë të mira për Ballkanin Perëndimor dhe tani vizita e saj në Shqipëri dhe takimi me Kurtin është më shumë përmbyllje dhe dhënie e direktivave për të ardhmen se sa ndonjë bisedë e cila mund të prodhojë politika pragmatike. Vizitat e tilla në fund të mandatit zakonisht bëhen kur liderët nuk janë në garë dhe megjithatë duan të mbesin të angazhuar. Edhe kjo vizitë tregon se Kosova e Shqipëria nuk janë qendra e vëmendjes për BE-në dhe botën. Më shumë këto takime duhet parë si paralajmërime mbi parëndësinë dhe pamjaftueshmërinë e politikës së të dy vendeve që duhet të ndryshojmë. Ka një nevojë të shpejtë për ndryshim të politikës ndërkombëtare. Nuk duhet të harrojmë që ishin të majtët në pushtet në Gjermani kur e përkrahen me shumë kundërshtime të brendshme intervenimin e NATO-së në Kosovë, pasi të majtët e kishin një prej parimeve “jo luftë”, përfundon për “Bota sot” Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat