Kosova nuk ka faj për tensionet/Vjen paralajmërimi për situatën në kufi, ja çfarë fshihet pas veprimeve agresive serbe për reciprocitetin

Politika

Kosova nuk ka faj për tensionet/Vjen paralajmërimi për situatën në kufi, ja çfarë fshihet pas veprimeve agresive serbe për reciprocitetin

Nga: G.B Më: 22 shtator 2021 Në ora: 10:04
Njësia Speciale e Kosovës në Jarinje, Kosovë, 20 shtator 2021. REUTERS

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit që ka mbajtur dje me ambasadorët e shteteve të Quintit dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ku kanë diskutuar për situatën në veri të Kosovës, pas zbatimit të reciprocitetit për targat.

Kurti ka deklaruar se vendimi nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt.

Ai ka shtuar se Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar dhe se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.

“Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpijnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata. Liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet”, është shprehur kryeministri.

Në këtë mënyrë, Kosova është e barabartë me Serbinë, e cila pavarësisht se ishte agresori në luftën e fundit në Kosovë, luan rolin e viktimës çdoherë.

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Ai ka thënë se vendimi ishte paralajmëruar nga Kurti kur ishte në Tiranë dhe këtë e bën prej vitesh Serbia, derisa ai thotë se alarmi i ngritur nga Serbia dhe serbët në Kosovë është manipulim i hapur politik, në mënyrë që të realizojnë pikësynimeve strategjike të Beogradit në Kosovë.

“Ajo që ka ndodhur dje në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë ishte paralajmëruar disa javë më parë nga kryeministri I Kosovës, Albin Kurti. Madje ai e pati dhënë njoftimin nga Tirana për një letër drejtuar shteteve evropiane. Me datën 20 shtator, pra të hënën e shkuar, nisi në të gjitha pikat me Serbinë aplikimi i reciprocitetit sa i përket targave të automjeteve. Kosova u vendosi targa të përkohshme të saj automjeteve të Serbisë që hynë në këtë vend. Këtë masë e ka aplikuar Serbia prej dhjetë vitesh për automjetet me targa të Kosovës. Por ajo që është shumë me interes dhe duhet të tërheqë vëmendjen ka të bëjë me faktin se Beogradi ka ngritur alarmin për reciprocitetin e targave vetëm sa i përket automjeteve që kalojnë në dy pikat kufitare të veriut, Jarinjës dhe Bërnjakut. Nuk është protestuar për zbatimin e këtij reciprociteti në pikat e tjera kufitare, si ajo e Merdares, apo Anamoravës. Nisur nga ky fakt nuk ke sesi të mos shohësh se protesta dhe ankimet e Serbisë e të disa serbëve në Kosovë është një manipulim i hapur politik, me qëllim realizimin e disa pikësynimeve strategjike të Beogradit në Kosovë”, ka thënë ai.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Sipas profesorit, asnjë ambasador nuk mund t’ia mohojë Kosovës të drejtën për reciprocitet dhe ata dje nuk kanë pasur asnjë argument kundër Kurtit, derisa shton se Baton Haxhiu ka qenë kundër dhe ai ka ndikim te disa politikanë të korruptuar.

“Është e drejtë e qeverisë së Kosovës që të zbatojë të njëjtat masa reciproke në marrëdhëniet e saj jo vetëm me Serbinë, por edhe me vendet e tjera fqinjë. Pikërisht këtë të drejtë e ka shpjeguar zoti Kurti me ambasadorët e Quintit gjatë takimit të përbashkët të martën në Prishtinë. Nuk ka ambasador të një vendi që e ka njohur shtetin e Kosovës që t’ia mohojë asaj të drejtën të veprojë në mënyrë sovrane, bazuar në të drejtën ndërkombëtare të reciprocitetit. Prandaj dhe jam i bindur që diplomatët perëndimorë nuk kanë pasur asnjë argument kundër vendimit për sjelljen reciproke sa i përket targave të automjeteve. Në opinionin publik ka pasur prej atyre që këtë vendim e kanë trajtuar si përpjekje të kryeministrit Kurti për të përfituar nga zgjedhjet elektorale të tetorit. Ndër më aktivët ishte edhe në këtë rast Baton Haxhiu. Në reagimin e tij veç akuzës për përfitime elektorale, ai e quante të panevojshme një masë të tillë. Dhe mos harroni se Batoni ka ndikim edhe te politikanët e korruptuar të Kosovës e të Shqipërisë. Pra, mendimi i tij orienton disa politikanë që dje u shprehën hapur kundër kësaj mase në parlamentin e Kosovës, të cilët shkuan deri aty sa ta pyesin zotin Kurti, nëse ka qenë me UÇK-në apo jo?! Janë mbetjet toksike të Hashim Thaçit, të cilët i orienton Baton Haxhiu këta”, ka vlerësuar Bytyçi.

Ai ka theksuar se vendosja e reciprocitetit është hapi i parë për barazinë në mes të dy shteteve dhe për këtë ka reaguar me aq nervozitet Serbia, derisa shton se me Serbinë duhet të ketë reciprocitet në çdo gjë sepse ajo pabarazinë e shfrytëzon për provokim e ndëshkim.

“Vendosja e sjelljes reciproke për targat me Serbinë është hapi i parë i vendosjes së barazisë midis Kosovës dhe Serbisë. Prandaj dhe Beogradi ka reaguar me nervozitet. Presidenti dhe qeveria serbe në përgjigje vendosën të ngrenë një komitet për “mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe”, duke provokuar me pretendimin se kjo trashëgimi na qenka e rrezikuar në Kosovë. Se çfarë lidhje kanë kishat e manastiret serbe në Kosovë me vendimin e reciprocitetit në marrëdhëniet shtetërore, këtë mund ta shpjegojnë vetëm politikanë me halucinacione si ata të Beogradit. Reciprociteti me Serbinë duhet të vendoset në çdo gjë e për çdo gjë, veçmas me Serbinë. Me vende mike nuk “vihen rruaza në pe”, por me Serbinë duhet gjithçka të vihet në peshoren e barazisë midis dy vendeve, sepse Beogradi pabarazinë me Kosovën e shfrytëzon për provokime, diversion, intimidim, mosnjohje, ndëshkime dhe presione të gjithanshme. Prandaj dhe masa që u zbatua të hënën është shumë e rëndësishme. Ata që mendojnë se “nuk ia vlen që për targat të tensionohet situate”, duhet të kuptojnë se “kur miu kalon disa herë nëpër mustaqe, atëherë ai bën një vijë të trashë””, ka potencuar profesori.

Bytyçi ka thënë se tensionet janë rritur për faj të Serbisë, të presidentit Vuçiq që ai i ka nxitur për shkak të projektit të Serbisë së Madhe, ndërsa që me shpalljen e Asociacionit përmes një pllakate, Serbia e vë në pikëpyetje dialogun.

“Tensionet në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur këto dy ditë. Por jo për faj të Kosovës dhe qeverisë së saj. Këto tensione i ka nxitur për llogari të projektit të Serbisë së Madhe Aleksandër Vuçiq dhe qeveria e Serbisë. Ata manipulojnë serbët e Kosovës, sidomos politikanët e Listës Srpska. Madje provokuan edhe me krijimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, nëpërmjet një pllakate. Dikush tha se ky veprim është i rrezikshëm. Por nëse Beogradi ndërmerr një iniciativë të tillë atëherë ai vë në pikëpyetje jo vetëm dialogun, por edhe politikat integruese të Serbisë”, është shprehur ai.

Sipas profesorit, edhe pse nuk ka ndonjë reagim nga Perëndimi ndaj Serbisë, nuk mund të tolerohen veprime agresive nga ana e saj, që do të çonin në mbyllje të kufijve mes dyja shteteve dhe vendosjen e një Muri të ri Berlini, për çka Serbia nuk beson se do të ishte e interesuar, andaj nuk mund të ndërmarrë aksione politike.

“Edhe pse në Perëndim nuk ka ndonjë reagim të ashpër ndaj Beogradit, nuk mund të tolerohen veprime agresive ekstremiste të Serbisë në Kosovë. Kjo do të çonte në mbylljen e kufijve të Kosovës më Serbinë e për pasojë vendosjen e një Muri të ri Berlini në Jarinjë e Bërnjak, ashtu si në Merdare e në të gjitha pikat kufitare Kosovë-Serbi. A mund të jetë Serbia e interesuar për këto zhvillime? Nuk e besoj! Prandaj ajo nuk mund të ndërmarrë aksione politike, të cilat cenojnë kushtetutshmërinë e Kosovës, aq më pak në mënyrë të njëanshme”, ka deklaruar Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat