E kërcënuan kryeministrin Kurti/ Flet eksperti i sigurisë: Ja çfarë fshihet pas mesazheve të Gjurqit dhe Vuçiqit!

Politika

E kërcënuan kryeministrin Kurti/ Flet eksperti i sigurisë: Ja çfarë fshihet pas mesazheve të Gjurqit dhe Vuçiqit!

Nga: A.M Më: 23 shtator 2021 Në ora: 17:00
Foto ilustrim "Bota sot"

Lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas vendosjes së reciprocitet të targave nga Qeveria e Kosovë, ka reaguar edhe ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq.

Madje, ambasadori serb shkoi aq larg sa deklaroi se vendimi i kryeministrit Albin Kurti, për vendosjen e reciprocitetit po e shtyn rajonin në gjak.

Po ashtu, krahas kësaj bëri edhe një kërcënim në lidhje me këtë duke kërkuar nga Kurti që të mos luan me zjarr, pasi do të jetë vonë.

"Regjimi i Kurtit në Kosovë po e çon rajonin në prag të gjakderdhjes. Dërgimi i forcave speciale të armatosura rëndë në zonat me shumicë serbe vetëm për të marrë pikë të lira politike në garën për zgjedhjet lokale të 17 tetorit është kërcënuese për jetën dhe shkel të gjitha marrëveshjet. Ju lutemi mos luani me zjarrin derisa të jetë vonë ”, tha Gjuriq në një postim në Twitter, përcjell “Bota sot”.

Kurse këto kërcënime direket nga Serbia për kryeministrin Kurti, në një prononcim për gazetën “Bota sot” i ka komentuar eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai u shpreh se nga paraqitjet mediale, vërehej qartë se Vuçiq dhe Gjuriq ishin të nervozuar dhe shqetësuar, shkaku i vendimit të kryeministrit Kurti për reciprocitetin.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

“Nëse i referohemi mentorit të Gjuriqit që është presidenti serb Vuçiqi ky i fundit në paraqitjen para mediave shihej i nervozuar por edhe i shqetësuar se si të veprojë në nivelin politik për ta shitur situatën e krijuar nga vendimi i Qeverisë së Kosovës”, deklaroi Shala.

Sipas ekspertit, këto deklarata të Gjuriqit dhe Vuçiqit janë mesazhe që ndërlidhen me qytetarët serbë dhe politikës nacionaliste serbe.

“Prandaj, deklarimet nga Gjuriqi, por edhe nga Vuçiqi janë mesazhe që tregojnë që këta dy po tentojnë që të komunikojnë me qytetarët civil serb, që ti bashkohen politikës nacionaliste serb mbi vendimin e Këshillit Nacional të Sigurisë së Serbisë”, theksoi ai.

Në fund, Shala vlerësoi se forcat policore të Kosovës po veprojnë sipas planit operativ, ku po garantojnë shtrirje të autoritetit dhe mbrojtje të dy pikave kufitare, nga ndonjë eskalim i koordinuar dhe motivuar nga strukturat kriminale serbe.

“Nga ana e Policisë së Kosovës mund të themi që janë duke vepruar sipas planit të tyre operative për të jetësuar në zbatim, vendimin e Qeverisë së Kosovës, e në anën tjetër për të garantuar shtrirje të autoritetit dhe sovranitetit nga Prishtina zyrtare për mbrojtjen e dy pikave kufitare nga ndonjë eskalim i koordinuar dhe motivuar nga strukturat kriminale politike serbe në atë pjesë”, përmbylli Drizan Shala, përcjell “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat