Reciprociteti i qëlluar/Serbia ta pranojë Kosovën si shtet – thirrje BE se si të veprojë ndaj kërcënimeve të Vuçiq

Politika

Reciprociteti i qëlluar/Serbia ta pranojë Kosovën si shtet – thirrje BE se si të veprojë ndaj kërcënimeve të Vuçiq

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 shtator 2021 Në ora: 20:04
Foto ilustrim "Bota sot"

Në Jarinje dhe Bërnjak edhe sot po qëndrojë forcat e Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. Kjo për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin për targa ndaj shtetit serb. Të gjithë ata qytetarë serbë që duan të futen në Kosovë duhet të vendosin targat e përkohshme për qarkullim. 

Ky vendim është pritur mirë nga politika në vend. 

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë me dije edhe ndërkombëtarëve që reciprocitetin me targa ose duhet ta mbajnë dy vendet ose duhet ta heqin që të dyja. Kurse, nga ana e tyre ka pasur vazhdimisht thirrje për ulje tensionesh. 

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka kërkuar që kjo masë të largohet sepse sipas tij do të ketë masa politike dhe ekonomike kundër Kosovës. 

Tërnava: Vendimi i Qeverisë, për t’u përshëndetur, deklaratat e Vuçiq konsum ditor për qytetarët e tij 

Lidhur me këtë temë, për situatën e krijuar në Kosovë ka folur eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, i cili ka thënë se që 21 vite Serbia me politikat e saj ka shantazhuar Kosovën. 

“Tani Serbia me politikat e saj ndaj Kosovës që 21 vite e këndej, shpeshherë e ka shantazhuar Kosovën me masa të ndryshme si ekonomike, të sigurisë, tregtare, komunikacion etj. Serbia e ka të qartë se bombardimet e vitit të 1999 ndodhën për një shkak që ajo e sulmoi Kosovën dhe bëri gjenocide të paparë ndaj Kosovës, sa që popullata rreth një milion banor u shpërngul nga Kosova. Për këto veprime OKB kërkoi mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën u arrit rezoluta 1244, nga të gjitha vendet anëtare, për intervenim të NATO-s, si shkak humanitar të shpëtimit të një popullate në këtë rast shqiptare, edhe që Rusia dhe Kina ishin anëtare të OKB, as ato nuk e kundërshtuan intervenimin e tillë, e që po ajo rezolutë edhe sot është në fuqi. Me intervenimin e NATO-së dhe fitores në atë konflikt luftarak, u nënshkrua kapitullimi i Serbisë i regjimit Millosheviqian, me marrëveshjen e Kumanovës, dhe nga atëherë për kufijtë e Kosovës i garanton KFOR-i, dhe pas shpalljes se pavarësisë të Kosovës me 17.02.2008 Kosova u njoh ndërkombëtarisht nga 117 shtete. Për këtë akt të shpalljes së pavarësisë Serbia e kundërshtoj në Gjyqin Ndërkombëtar të Drejtësisë (GJND), i cili gjyq e arsyetoi shpalljen e pavarësisë si të ligjshme nga ana e Parlamentit të Kosovës. Edhe me këtë vendim të GJND, Serbia nuk është pajtuar, dhe gjithnjë ndaj shtetit tonë zhvillon politika agresive dhe me çdo mënyrë vepron që mos të këtë njohje të reja ndërkombëtare për Kosovën, si dhe bën çmos që Kosova mos të anëtarësohet në institucione ndërkombëtare si UNESCO, INTERPOL etj”, ka thënë ai. 

Image
Hajrullah Tërnava

Për deklarimet e presidentit serb, Vuçiq se do të marrë masa ekonomike dhe politike kundër Kosovës, Tërnava thotë se janë konsum ditor për qytetarët e tij. 

Eksperti edhe më tutje shton se ky vendim nga ana e kryeministrit Kurti është për tu përshëndetur sepse për herë të parë një kryeministër po sillet si burrështetas që i del zot territorit të tij. 

“Serbia me veprimet e saj ndaj Kosovës me ato dëme dhe të këqija të shumta që ia ka bërë Kosovës, që edhe shumë viktima nga atëherë nuk janë të gjetur dhe nuk ju dihen se ku janë të varrosur e që janë mbi 1600, tani ajo edhe më tutje ushtron politika armiqësore ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar, vetëm sa ç’lajmërime-shlyerje të vendbanimeve dhe adresave të popullatës shqiptare i kanë fshirë nga vendbanimet e shqiptarëve të tri komunave shqiptare sikur që janë Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, e mos të flasim se Serbia nuk i njeh as tabelat e veturave të Kosovës dhe çdo qytetar i Kosovës që udhëton me targa të shtetit tonë, është i obligueshëm t’i heq në kufi me Serbinë dhe e bëjnë pagesën e targave serbe dhe t’i marrë ato targa tjera me regjistrime serbe deri sa ta kalojë territorin serb, edhe që në bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës në vitin 2011 ishte arritur marrëveshja që Serbia t’i njeh targat kosovare dhe njëherë e përgjithmonë mos të ketë mosmarrëveshje mes këtyre dy shteteve, por kjo marrëveshje nuk u realizua asnjëherë deri më tani nga ana e Serbisë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq paralajmëron se do të marrë masa ekonomike dhe politike ndaj Kosovës, por bëhet pyetja se cilat masa janë ato që do i ndërmerr ndaj Kosovës qofshin politike apo ekonomike, prandaj deklaratat e tij janë konsum ditore për qytetarët e tij, sepse ai duhet ta bind popullatën e tij për këto masa të reciprocitetit qe i ka ndërmarrë Qeveria Kurti, e që këto masa për në janë për t’u përshëndetur, sepse për herë të parë një Kryeministër po sillet si burrështetas që i del zot territorit të tij, me këto veprime të reciprocitetit që u tregua në vepër, kur bëhet fjalë për tabelat e veturave, dhe në vazhdimësi Kryeministri duhet ta përdorë këtë masë të reciprocitetit, edhe për tjera gjëra sikur Serbia që po i përdorë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të tri komunave shqiptare sikur i ceka më lartë”, deklaron eksperti.  

Tërnava edhe më tej potencon se sikur të kishin vepruar më herët edhe kryeministrat tjerë atëherë Kosova do të ishte shtet sikur shtetet tjera përreth. Tutje shton se, ata të mëparshmit nuk kishin guximin as ta vizitonin veriun. 

“Sikur të ishte vepruar më herët në këtë mënyrë edhe të tjerët Kryeministra që para 21 viteve e deri më tani, tani Kosova do t’i përngjante shtetit sikur tjera shtete për rreth, e jo si deri më tani që e tërë popullata shqiptare dhe të tjerët e dinë se veriun nuk e qeverisë Kosova. Kosova tani me ushtrinë dhe policinë e saj duhet ta mbulojë tërë territorin e saj në kufijtë e saj dhe të hiqen ato terme veri dhe jug, dhe këto institucione të jenë të pranishme gjithnjë deri përtej Leposaviqit e Leshakut e në Jarinje. Atje në kufijtë me Serbinë duhet të jetë e stacionuar policia e Kosovës dhe forca tjera ushtarake ashtu si e parashohin ligjet dhe kushtetuta e Kosovës. Nëse thirremi se ne e qeverisim Kosovën, e kur dihen kufijtë e Kosovës deri ku shtrihen ata, si është e mundur kryeministrat si ata të mëparshmit, që ta kalojë një mandat të tërë të një qeverie e mos të vizitohen ato pjesë komunale të “veriut“ dhe tani po ata qeveritarët të mëparshëm të lavdërohen dhe të thirren se me sukses e qeverisin të tërë territorin, e në të vërtetë së patën kurrë guximin që 21 vite t’i vizitojnë ato komuna serbe dhe të përkujdesen edhe për ata banorë dhe territore të atyre vendeve dhe shpeshherë ish qeveritarët e sidomos Kryeministrat apo ministrat qoftë edhe fshehtas, kur shkonin ndonjëherë në ato pjesë të banuara në veri me serb, kur u kthenin u lavdëronin për ato vizita thuaja të fshehta të tyre. Një Qeveri në pushtet e ka për detyrë që t’i ndërmarrë të gjitha masat sikur i parasheh ligji dhe Kushtetuta në të gjitha pjesët e territorit të shtetit të Kosovës, pa marrë parasysh se a është në pyetje jugu apo veriu”, shprehet Tërnava. 

Ai thotë se në rast të çdo sulmi ndaj Kosovës, mund të sulmohet Serbia dhe atëherë do të vihet në pyetje se a do të ekzistojë më Serbia, e cila po tregohet tepër agresive në Ballkan dhe si e tillë që një periudhë dy dekadash po tregohet agresive edhe ndaj tjerave shtete fqinje që i ka, qoftë me Malin e Zi, Bosnjën e Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën. 

“Vuçiq të ndërmerr çfarë të dëshiron në shtetin e tij të Serbisë, sikur që thirri se do ta thërret mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të Serbisë, këto politika të tij janë politika për konsum për popullatën serbe dhe ta bind atë se po ndërmerr krejt çfarë ka në kompetencë, por ai e ka të qartë se sikur e shpjegova se rezoluta nga OKB 1244 ende është në fuqi dhe çdo sulm ndaj Kosovës mund të sulmohet Serbia dhe atëherë do të vihet në pyetje se a do të ekzistojë më Serbia, e cila po tregohet tepër agresive në Ballkan dhe si e tillë që një periudhë dy dekadash po tregohet agresive edhe ndaj tjerave shtete fqinje që i ka, qoftë me Malin e Zi, Bosnjën e Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën etj. Prandaj vendosja e reciprocitetit është e qëlluar nga Kryeministri Kurti dhe me këtë, Kurti po e tregon mençurinë dhe pastërtinë e tij si ekonomike dhe mençurinë intelektuale politike që e ka, por ta kemi të qartë meqë Kurti posedon aftësinë intelektuale, ai edhe për këto veprime të reciprocitetit është konsultuar edhe më miqtë tonë që na qëndrojnë pranë të fortëve të botës, dhe që po ata e kanë përkrahur për këto veprime. Tani kur dihet më se reciprociteti edhe në praktike ka filluar, dhe priten edhe tjera masa të reciprocitetit në të gjitha aspektet që Serbia po i ndërmerr ndaj neve kosovarëve, atëherë të gjitha gjasat janë se popullata serbe do të vijë deri te konstatimi se a duan luftë me shqiptarët, apo është koha të pajtohemi dhe të vijë deri te njohja reciproke e dy shteteve mes Serbisë dhe Kosovës, e kur dihet se edhe faktori ndërkombëtar po i kontribuon pajtimit me ndërmjetësimet e tyre që po i ndërmerr, e që pritet se ditëve në vijim do të takohen përfaqësuesit e dy shteteve të Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësuesin e BE. Tani për krejt këtë reciprocitet që e ka ndërmarr Kryeministri Kurti, është për t’u lavdëruar, sepse vetëm këto masa i përngjajnë burrështetasve që e përfaqësojnë shtetin e tyre, dhe Serbia tani është në potez se a dëshiron të pajtohet apo dëshiron konflikte luftarake e kur dihet se KFOR dhe NATO janë të gatshëm për me intervenua në mbrojtje të Kosovës, por nëse ndodh ky intervenim, çfarë do të ndodhë tani me Serbinë dhe a do të ekzistojë më? Prandaj Serbia tani do të vendos për rrugën e saj të mëtutjeshme, se a duan të jetojnë si shtete fqinj në paqe me Kosovën, apo t’ia fillojnë një luftë të re e cila më shumë do ta rrezikojë Serbinë”, thekson eksperti. 

Në fund, ai shprehet se Kosova  tregoi me këtë veprim të ndërmarrë se vendi ynë ka zot shtëpie, është shtet sovran, me kushtetutë, kufij e ushtri që i mbron ato. 

“Prandaj Kosova me këtë vendim e tregoj se ka zot shtëpie, është shtet sovran, me kushtetutë, kufij e ushtri që i mbron ato. Ajo zbaton ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare si atë të Brukselit për vepra të reciprocitetit e targave, të nënshkruar nga vet Vuçiqi. Prandaj BE duhet t’i rikujtojë Serbisë parimin: obligimin për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar. Qeveria e Republikës së Kosovës vetëm e zbatojnë normën e Brukselit që vazhdimisht e kërkon prej saj: sundimin e ligjit”, përfundon eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava për gazetën “Bota sot”.  

Burjani: Serbia duhet të mësohet që Kosova është shtet 

Edhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani për “Bota sot”, ka thënë se reagimi i presidentit serb është më shumë në mënyrë propagandistike se sa që ka të bëjë me ngjarjen. 

Image
Blerim Burjani

Sa i përket masave ekonomike dhe politike që Vuçiq ka deklaruar se do t’i ndërmarr kundër Kosovës, Burjani thotë se nuk ka se çfarë të ndërmarrë as nga ato politike as ekonomike sepse Kosova nuk varet nga politikat e Serbisë. 

Vuçiqi më tepër reagon në mënyrë propagandistike se sa që mund të bëj gjë në këto rrethana, pra reagimi me fjalë të mëdha por as që duken të mundshme, s’ka çka ndërmerr, ato ekonomike po të ndërmerr, i bën dëm vetes pra Serbisë, ato politike edhe s’ka çka, sepse Kosova nuk varet nga politika apo ndonjë masë politike të Serbisë, kjo i bie kurrgjë hiq”, thotë ai. 

Në fund ai thekson se Serbia duhet të mësohet që Kosova është shtet. 

“Pra s’ka gjë prej kësaj teme, le të mësohet Serbia se Kosova është shtet, kurrë nuk është vonë që të përmirësohet Serbia në relacion me Kosovën”, përfundon Blerim Burjani për “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat