Vjosa e guximshme, përballë Serbisë kërcënuese! 

Politika

Vjosa e guximshme, përballë Serbisë kërcënuese! 

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 shtator 2021 Në ora: 08:24
Vjosa Osmani

Vendosja e reciprocitetit të targave nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë, ka qenë tema kryesore e ditëve të fundit. 

E në këtë rast nuk munguan reagimet e shumta, ku në mes tyre kishte edhe kërcënime nga shteti serb. 

Së pari, ishte presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili filloi menjëherë me mbledhje të Këshillit të Sigurisë dhe paralajmërim për vendosjen e disa masave politike e ekonomike. 

Pastaj, ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, i vazhdoi kërcënimet duke deklaruar se “mos luani me zjarrin derisa të jetë vonë”. 

Ai deklaroi se vendimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për vendosjen e reciprocitetit po e shtyn rajonin në gjak. 

"Regjimi i Kurtit në Kosovë po e çon rajonin në prag të gjakderdhjes. Dërgimi i forcave speciale të armatosura rëndë në zonat me shumicë serbe vetëm për të marrë pikë të lira politike në garën për zgjedhjet lokale të 17 tetorit është kërcënuese për jetën dhe shkel të gjitha marrëveshjet. Ju lutemi mos luani me zjarrin derisa të jetë vonë”, tha Gjuriq në një postim në Tëitter, përcjell “Bota sot”. 

Mirëpo, këtyre kërcënimeve serbe iu kundërpërgjigj menjëherë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. 

Edhe pse presidentja Osmani ishte në vizitë në Amerikë, ajo gjeti kohë për reagim dhe ia bëri me dije Serbisë se asnjë kërcënim i tyre nuk e tërheq Kosovën nga zbatimi i ligjit. Madje, ajo kërkoi nga BE t’ia ndalojë këto provokime Serbisë. 

“Asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të jetësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me obligimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie. Prandaj, ftoj Bashkimin Evropian që të ushtrojë presion mbi qeverinë e Serbisë që të ndalojë menjëherë provokimet ndaj Kosovës dhe keqpërdorimin për qëllime politike të qytetarëve serbë të Kosovës. Politika destabilizuese e Serbisë në Kosovë dhe në rajon dhe qëllimet e tyre hegjemoniste për të ashtuquajturën ‘botë serbe’ janë rikthim në logjikën e tyre të viteve ’90, e cila ka sjellë shumë viktima në rajonin tone”, deklaroi presidentja Osmani. 

E njohësit e çështjeve politike e vlerësuan reagimin e Osmanit ndaj kërcënimeve serbe. 

Halili: Presidentja Vjosa Osmani, nga Amerika i bëri me dije Serbisë se nuk frikësohemi nga kërcënimet e tyre! 

Profesori dhe njohësi i çështje politike, Nijazi Halili, për gazetën “Bota sot” ka komentuar reagimin e presidentes Vjosa Osmani lidhur me kërcënimet e Serbisë, pas vendosjes së reciprocitetit të targave. 

Image
Nijazi Halili

Fillimisht, ai e mirëpriti këtë reagim të presidentes, e cila ia bëri me dije Serbisë se nuk frikësohemi nga kërcënimet e tyre. 

“Ndaj këtyre kërcënimeve nga Amerika iu është kundërpërgjigjur presidentja Osmani, e cila ia bëri me dije Serbisë se nuk frikësohemi nga kërcënimet e tyre. Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas vendimit të fundit që ka marrë Kosova për të mos lejuar futjen e automjeteve me targa serbe. Në një shkrim të botuar në rrjetet sociale, Osmani shkruan se Kosova zbatoi marrëveshjen e nënshkruar nga të dyja palët në Bruksel, prandaj nuk ka pse të shihet si një vendim i njëanshëm”, deklaroi Halili. 

Tutje, profesori u shpreh se vendosja e reciprocitetit është vendim i pranueshëm dhe duhet të zbatohet nga Serbia, e veçanërisht në dy pikat kufitare në veri, ku po veprojnë strukturat ilegale. 

“Presidentja i bën thirrje BE-së që të ushtrojë presin Serbisë që të ndalojë provokimet ndaj Kosovës dhe mos ta përdorë këtë situatë për qëllime politike. Rrjedhimisht, vendimi siguron trajtim të barabartë dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja vendeve. Vendimi është pranuar dhe po zbatohet me përpikëri në të gjitha pikat kufitare, me përjashtim të dy pikave në veri, në të cilat serbët lokalë po keqpërdoren nga Qeveria serbe dhe strukturat ilegale atje”, theksoi ai. 

Në fund, Halili u shpreh krenar që Kosova ka aleat Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët po e mbështesin pa rezerva vendin tonë. 

Pasi, sipas tij nëse fati ynë mbetet në dorë të Bashkimit Evropian çështja do të përfundonte në favor të Serbisë. 

“Andaj, krenohemi dhe jemi me fat që i kemi miq Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët  në vazhdimësi janë mbështes pa rezervë të vendit tonë, përndryshe po të mbetet fati ynë në dorën e BE dhe Vosllav Lajçakut me bashkëpunëtorët e tij, sigurt se çështja  jonë do të përfundonte me një marrëveshje të një anshme e në favor të Serbisë “, ka potencuar Nijazi Halili për gazetën "Bota sot". 

Peçani: Presidentja Osmani ka treguar guxim në marrjen e përgjegjësisë si  shtetare që është 

Kurse, analisti tjetër politik, Ruzhdi Peçani, nuk u befasua nga kërcënimet dhe reagimet e Serbisë, pas vendosjes së reciprocitetit të targave. 

Image
Ruzhdi Peçani

“Rrethanat e krijuara dhe e gjithë ajo që po ndodh në veri të vendit, pas vendosjes së reciprocitetit, nuk janë të papritura. Nuk janë të papritura edhe reagimet që vijnë nga Serbia, pasi Qeveria e Kosovës është e vendosur për zbatimin e reciprocitetit për targave”, deklaroi ai. 

Analisti gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” mirëpriti reagimin e presidentes Osmani ndaj provokimeve serbe. 

Madje, Peçani rikujtoi edhe një deklaratë të Osmanit të vitit 2020 ndaj Qeverisë Hoti në lidhje me heqjen e reciprocitetit. 

“Presidentja e vendit znj.Vjosa Osmani ,që po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri një reagim ndaj kërcënimeve të presidentit serb Aleksandër Vuçiq e në mbështetje të fuqishme të qeverisë për  zbatimin e reciprocitetit. Të kujtojmë se znj.Vjosa Osmani, qysh në qershor të vitit 2020, kishte reaguar si Kryetare e Parlamentit të Kosovës ndaj Qeverisë Hoti për heqjen e reciprocitetit: 

“Ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e do vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët. Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”, përmendi analisti. 

Në vazhdim, ai vlerësoi se nga kjo deklaratë vihet në pah përkushtimi dhe mbështetje e Osmanit ndaj vendimit të reciprocitetit.

Gjithashtu, analisti vlerësoi se për herë të parë në 10 vitet në sinkron me kushtetutën iu dha një mbështetje e tillë nga një president i vendit. 

“Dhe nga këtu del premisa për përkushtimin e presidentes  për vendosjen e reciprocitetit. Duke i dhënë mbështetje të fuqishme, në këto dhjetë vitet e fundit përherë të në sinkron të plotë kushtetues. Dhe duke ndjerë përgjegjësinë shtetërore presidentja bëri reagimin drejtuar edhe Bashkimit Evropian duke ua bërë me dije se Serbia është ajo që nuk po zbaton marrëveshjet”, theksoi Peçani. 

Në fund, ai potencoi se Osmani tregoi gatishmëri ta mbështesë Kurtin në këto rrethana politike, duke treguar guximin në marrjen e përgjegjësisë si  shtetare që është.  

“Kështu presidentja, sipas kushtetutës që i takon dhe obligon, tregon gatishmërinë të përballet, tok me kryeministrin Albin Kurti, me këto rrethana politike, në mbrojtjen dhe forcimin e dinjitetit, sovranitetit dhe shtet ndërtimit të Kosovës, duke treguar guximin në marrjen e përgjegjësisë si  shtetare që është”, përfundoi Ruzhdi Peçani për gazetën “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat