Dyshime se aksioni i djeshëm u dekonspirua/ Flet eksperti i sigurisë, tregon kush qëndron prapa grupeve kriminale në veri

Politika

Dyshime se aksioni i djeshëm u dekonspirua/ Flet eksperti i sigurisë, tregon kush qëndron prapa grupeve kriminale në veri

Nga: A.Zh Më: 14 tetor 2021 Në ora: 18:40
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë më 13 tetor, gjatë protestave ndaj një aksioni kundër kontrabandës së mallrave.

Aksioni i zhvilluar dje në qytete të ndryshme të Kosovës, përfshirë pjesën veriore, ka shkaktuar reagime të shumta në vend.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky aksion ishte pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal, dhe se nuk ishte i drejtuar kundër qytetarëve apo lokacioneve të caktuara.

Ndërsa, drejtori i Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti, se aksioni në të cilin u lënduan dhjetë zyrtarë policorë, nuk ka përfunduar në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan në tetë lokacione, pasi zyrtarë policorë janë penguar gjatë punës. Ai ka hedhur dyshimet se ka pas rrjedhje të informacioneve, lidhur me aksionin në fjalë.

“Dyshohet se në lidhje me operacionin ka pasur rrjedhje të informacionit. Kjo është diçka që është duke u hetuar”, ka thënë Mehmeti, dje në një konferencë për media.

Duke folur lidhur me këto dyshime, eksperti i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, ka thënë se nuk mund të dihet se sa është dëmi i shkaktuar nga ky dekonspirim i mundshëm. Sipas tij, në veri veprojnë grupe kriminale që shtirën si përfaqësues lokalë serbë.

Image
Drizan Shala

“Një aksion i organizuar dhe zbatuar nga institucionet e sigurisë, tregon faktin që në atë pjesë veprojnë grupet kriminale, të mbështjell nën petkun politik të përfaqësuesve lokalë serbë. Pra, në lidhje me pyetjen tuaj se a ka mundur të dekonspirohet plani nga brenda këtë nuk mund ta dimë tani, sepse nuk dihet se sa është dëmi i shkaktuar nga ky dekonspirim i mundshëm”, është shprehur Shala për gazetën “Bota sot”.

Ai ka kërkuar hetime lidhur me këtë rast.

“Për këtë duhet, nëse është e vërtetë, të hetohet i gjithë procesi i rrjedhës së informacionit që nga themelimi deri te zbatimi i tij në terren”, ka theksuar Drizan Shala për “Bota sot”.

Aksioni policor është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Në këtë aksion janë sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo, etj.”.

Policia ka thënë se janë arrestuar dhe ndaluar tetë persona. Ndërsa, janë shpallur në kërkim edhe dhjetë të tjerë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kontrabandë me mallra./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat