“Trefishoi rrogën e tij, pse nuk ua ngriti pensionet veteranëve sa ishte kryeministër”, çfarë fshihet pas kërkesës së Haradinajt?

Politika

“Trefishoi rrogën e tij, pse nuk ua ngriti pensionet veteranëve sa ishte kryeministër”, çfarë fshihet pas kërkesës së Haradinajt?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 14 tetor 2021 Në ora: 22:42
Albin Kurti, Ramush Haradinaj; foto ilustrim nga "Bota sot"

Gjatë një tubimi zgjedhor në Junik, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar në prani të veteranëve dyfishimin e pensioneve për këtë kategori. Haradinaj ka thënë se punë shumë e rëndësishme është dyfishimi i pagave të invalidëve dhe pensionet e familjarëve të dëshmorëve.

Dyfishimin e këtyre pensioneve Haradinaj ka thënë se duhet bërë për shkak se vendi po shkon drejt rritjes së çmimeve.

Ai ka shtuar se pas këtij procesi ka ardhur koha që të dyfishohen pagat e pensionet e invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve.

Përveçse Haradinaj bëri kërkesa të tilla në kohë të fushatës zgjedhore dhe jo më parë, dihet se edhe Haradinaj merr pagë nga shteti si invalid lufte. Atë e ka konfirmuar vetë Haradinaj në Agjencinë Kundër Korrupsionit, duke deklaruar se merr 225 euro pension invalidor në muaj.

Njohësit e ҫështjeve politike në vend kanë kritikuar deklaratën e Haradinaj për rritjen e pensioneve të veteranëve, pasi sipas tyre po e bën për fushatë sepse ai nuk asgjë në dorë. Madje një vendim të tillë do të mund ta merrte edhe ne kohën kur ishte vetë kryeministër, mirëpo ai bëri një tjetër hap, trefishoi vetëm rrogën e tij.

Mehazi: Ramush Haradinaj pa kurrfarë arsye kërkon nga qeveria e Kurtit rritjen e pensioneve të veteranëve

Image
Sylejman Mehazi

 

Kështu, analisti politik, Sylejman Mehazi thotë se pa asnjë arsye, Haradinaj bën një kërkesë të tillë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa një vendim të tillë nuk e mori sa ishte vetë në këtë pozitë.

“Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pa kurrfarë arsye kërkon nga qeveria e Kurtit rritjen e pensioneve të veteranëve të luftës, për shkak se nuk vendos ai por kryeministri Albin Kurti, pse kur ishte ai në krye të qeverisë së Kosovës nuk bëri rritjen e rrogave të ish-ushtarëve të UÇK-së, kush e ka ndalur?, por këtë e kërkon nga Albin Kurti”, thekson Mehazi.

Ai thotë tutje se Haradinaj gjatë qeverisjes së tij trefishoi rrogën e vetë dhe nuk mendoi që t’ua rriste pagën veteranëve të luftës.

“Ironia më e madhe politike e ish-kryeministrit Haradinaj është se gjatë qeverisjes së tij bëri petulla për vete duke e rritur trefish vetëm rrogën e vtij, e aspak nuk mendonte t'ua rriste rrogën pensionistëve të veteranëve të luftës. Qytetarët e Kosovës më shumë pak i besojnë Ramush Haradinajt, ka humbur besimin e shumicës së votuesve, por edhe veteranët e luftës nuk i zënë besë kërkesës së Haradinajt ndaj tyre”, vlerëson aii.

Mehazi thotë se kryetari i AAK-së t'i kishte dashur aq shumë ish-luftëtarët pensionistë, do t’ua kishte rritur rrogat atëherë kur ishte ai kryeministër e jo të kërkonte rritjen e rrogave të tyre nga qeveria e Albin Kurtit.

“Shihet e vërehet hapur se kritikat e kërkesat e Haradinajt ndaj qeverisë së Kurtit bëhen vetëm për të marrë poena politike gjatë zgjedhjeve lokale që do mbahen në Kosovë më 17 tetor. Pasi dhe vetë Haradinaj është pensionist i veteranëve të luftës dhe në emrin e ish-ushtarëve të UÇK-së kërkon lëmoshë nga qeveria e Albin Kurtit që t'i rritet rroga se tani ka mbetur i zbrazur e nuk ka sesi ta mjelë qeverinë e Kosovës”, vlerëson Mehazi për ‘Bota sot’.

Maxharraj: Komandantët pas zgjedhjeve keqpërdornin pasurinë e shtetit, duke vjedhë dhe plaҫkitë çdo gjë që u vinin përdore

Image
Binak Maxharraj

Ndërkaq, profesori dhe opinionisti Binak Maxharraj, thotë se gjatë gjithë periudhës së pas luftës është bërë zakon, është bërë si një refren, që për çdo palë zgjedhje që mbahen në Kosovë, qofshin ato parlamentare apo lokale të mbahen tubime të ndryshme nga të gjitha partitë politike për t’i mikluar votuesit, për të ju premtuar se unë jam më i miri se ai tjetri që ngandonjëherë këto premtime përfundojnë edhe me sharje e ofendime ndër nga më të ndryshmet.

“Në të gjitha tubimet paraelektorale dhanë premtime ndër më të ndryshmet të cilat zakonisht janë vetëm premtime pa kurrfarë mbulese, por qëllimi i tyre është të fitohet pozita. Pastaj secili nga këta i harron premtimet, zotimet të dhëna para elektoratit, që pastaj ai pozitën e vetë e shfrytëzon për interesin personal. Kështu, komandantët apo çlirimtarët, qofshin ata të vërtetë apo të rrejshëm gjatë fushatës premtonin çka mos se do ta bëjë këtë, ose atë po që se zgjidhet. Por, këta komandantë apo çlirimtarë pas zgjedhjeve kur i fitonin postet e tyre në pushtet ndryshonin tërësisht pak gjë nga zotimet dhe premtimet realizonin, por shumica e tyre e shikonin interesin e vetë personal se si të pasurohen qoftë ligjërisht por me shumë joligjërisht duke e keqpërdor pasurinë e shtetit, duke vjedhë dhe plaçkitur çdo gjë që u vinin përdore. Sot, shumica e komandantëve apo çlirimtarëve janë bërë milionerë, që do të thotë se ata paskan luftuar për tu pasuruar e jo për shtet ndërtimin e vendit”, është shprehur Maxharraj.

Ai thotë tutje se madje disa prej tyre jo vetëm që u pasuruan, por tentuan edhe të ia fusnin thikën pas shpine shtetit përmes skandaleve dhe aferave të ndryshme siç është tentimi për copëtimin, ndarjen e vendit apo korrigjimin e kufijve me okupatorin.

“Ose rasti më i mirë është humbja e Çakorrit i cili sot e kësaj dite nuk do të humbiste po të mos lëshonte pe Ramush Haradinaj. Por, Ramushin e thyen, ai lëshoi pe para elektoratit se Çakorrin nuk do ta jepnin, kur atij mafia politike ia premtoi postin e kryeministrit. Duke i parë përfitimet nga ky post, Ramushi u dorëzua dhe Çakorri humbi, iu dha falas apo iu shit Malit të Zi, koha do të tregojë. Ose rasti i Isa Mustafës i cili e kishte keqpërdor 3% gjatë luftës, por edhe me biznese të pista pas luftës gjatë fushatës para elektorale nuk la gurë pa luajtur, duke e sharë PDK-në dhe SHIK-un. Kjo ishte vetëm një frazë e tij për të mashtruar elektoratin dhe anëtarësinë e LDK. Dhe fill pas kësaj ua ktheu shpinën dhe fluturim shkoi dhe iu bashkua kupolës së krimit të organizuar të PAN-it dhe për dhjetë vite sa ishte kryetar i LDK-së u bë vegël pune e Hashim Thaçit, duke mos e përfillur aktivitetin, zhvillimin dhe demokratizimin e LDK-së, të cilën në zgjedhjet e fundit parlamentare e rrëzoi për tokë duke rënë në vetëm 12,8% të elektoratit, etj, etj”, thotë Maxharraj.

Tutje, ai thotë se premtimet hiç më të vogla nuk janë as tani kur po mbahen aktivitetet parazgjedhore për zgjedhjet lokale për kryetar komunash që do të mbahen me 17 tetor 2021, në të cilat po bëhen shumë premtime, zotime të shumta deri te premtimet e paimagjinueshme.

“Në këtë fushat është edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili këto ditë foli para veteranëve dhe familjarëve të të rënëve në komunën e Junikut, ku doli hapur duke thënë se është shumë i rëndësishëm dyfishimi i pagave të veteranëve, invalidëve dhe familjarëve të dëshmorëve të rënë, të cilën gjë kur ai vetë ishte kryeministër as që e ka përmend, por puna e parë që e bëri kur u ul në karrigen e kryeministrit, jo që vetëm lejoi humbjen e Çakorrit, por veproi duke ia rritur rrogën vetes, të cilën e bërë gati më të madhe se sa të kryeministrave të tjerë në rajon”, ka theksuar analisti.

Ai thotë se çështja e dyfishimit të pensioneve të veteranëve të luftës të cilën e parashtroi Ramush Haradinaj në Junik, është me tepër në këtë situatë në të cilën gjendemi, vetëm një fushatë para zgjedhjeve lokale të 17 tetorit 2021, për arsye se në këtë kohë kur kemi një qeveri tjetër më të mirë dhe demokratike me mbi 50% të votuesve dhe me problemet me të cilat kjo qeveri po përballet me vendimet dhe marrëveshjet e dëmshme për shtetin nga qeveritë e mëparshme.

“Ato ishin të shantazhuara nga Serbia, është një propozim jo fortë i qëlluar në këtë kohë kur qeveria e tashme ka premtime dhe zotime edhe më të mëdha në ndërtimin e shtetit, në ç’kapjen e tij nga klano-mafitë e mëparshme. Pra, një propozim i Haradinaj mbetet vetëm një propozim për fushatë zgjedhore sepse kurrfarë mbulese tjetër nuk mund të ketë, por mund të jetë edhe lakmi e vetë Ramushit për t’ju rritur pensioni, ani pse ky njeri nuk ia di as fundin pasurisë së tij të akumuluar pas luftës, që arrin në miliona euro”, ka përfunduar profesori Binak Maxharraj për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat