“Vuçiq ka kërcënuar serbët: Ngrihuni ose...”, ish-zëvendësministri tregon kush e dekonspiroi aksionin në veri, e përfshirë edhe BIA serbe

Politika

“Vuçiq ka kërcënuar serbët: Ngrihuni ose...”, ish-zëvendësministri tregon kush e dekonspiroi aksionin në veri, e përfshirë edhe BIA serbe

Nga: A.Zh Më: 15 tetor 2021 Në ora: 20:13
Aksioni i Policisë në veri të Kosovës

Njohësi i çështjeve të sigurisë në Kosovë Hajrullah Tërnava, ka komentuar aksionin e fundit të Policisë së Kosovës, të zhvilluar dy ditë më parë kundër kontrabandës, në qytete të ndryshme të vendit. Ky aksion ka përfshirë edhe pjesën veriore të Kosovës, duke shkaktuar reagime të shumta.

Por, sipas Tërnavës, Policia e Kosovës i ka të gjitha kompetencat që të intervenojë edhe në pjesën veriore, ku u goditën kontabanduesit me mallra të ndryshme.

“Policia e një vendi obligohet që t’i jetësojë ligjet që janë në harmoni me Kushtetutën në territorin e po atij shteti, për të cilin punojnë dhe janë të angazhuar, e që paguhen nga taksapaguesit e atij shteti. Përpos jetësimeve të ligjeve në territorin e Kosovës, ata e ruajnë rendin publik dhe qetësinë e qytetarëve dhe me veprimet e tyre në preventivë aty ku janë të pranishëm, zhvillohet jeta normale e qytetarëve të shtetit. Në rastet ku ka informacione se po thyhen ligjet nga ana e qytetarëve, qoftë me prishjen e rendit publik apo si në rastin konkret me zhvillimin e kontrabandës në ato pjesë të territorit të Kosovës në veri, policia e Kosovës i ka të gjitha kompetencat të intervenojë në bazë të komandave hierarkike që i ka, dhe t’i luftojë ato dukuri kriminale negative, dhe ta kthejë atë situatë në gjendje të rregullt, ku qytetarët duhen të jetojnë në kushte normale konform ligjeve në fuqi”, ka thënë eksperti i sigurisë, në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Image
Hajrullah Tërnava

 

Ai e ka quajtur të domosdoshëm këtë aksion të Policisë së Kosovës dhe në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Më tej Tërnava ka fajësuar shtetin e Serbisë, se po kontribuon në gjendje konfliktuoze në Kosovë. Këtu ai ka përmendur edhe kërcënimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ndaj serbëve të Kosovës, ditë më parë gjatë tensioneve në Jarinje dhe Bërnjak.

“Intervenimi i Policisë së Kosovës në veri të vendit tonë kundër kontrabandës dhe korrupsionit, ka qenë i domosdoshëm dhe në baza ligjore dhe në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, edhe që gjendja e sigurisë në ato pjesë është e destabilizuar, sepse një gjendje të tillë e ka iniciuar vet shteti i Serbisë, i cili shpesh u kontribuon gjendjeve konfliktuoze në Kosovë, sepse edhe para pak ditëve kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq, iu drejtua popullit serb në Kosove me fjalët: se kush nuk punon nën direktivat e Listës serbe në Kosovë, shteti i Serbisë nuk do t’iu ndihmojë atyre familjeve serbe materialisht dhe do t’i largojë nga vendet e punës ku janë të punësuar, si dhe nuk do t’i llogarit më si serbë. Këtë të thënë e ka potencuar në ditën kur serbët e kundërshtuan reciprocitetin në Jarinje dhe Bërnjak, dhe gjatë tërë asaj kohe të rezistencës serbe ku ishin rrugët të bllokuara me kamionë të tërë, serbët e punësuar në institucione dhe komuna, të gjithë ishin jashtë vendeve të tyre të punës dhe merrnin pjesë në protesta në anën e serbëve”, ka thënë ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme.

Sipas tij, kërcënimet që po u bëhen serbëve në Kosovë, kanë për qëllim largimin e tyre nga Kosova dhe prishjen e qetësisë dhe rendit në Kosovë.

“Në situatën çfarë tani gjenden pakicat serbe në Kosovë, janë të detyruara që t’i kryejnë urdhrat e shtetit të Serbisë, prandaj këto reagime të popullatës serbe mund të ndërlidhen me sjelljet e politikanëve serbë, që po duan që situatën e rendit dhe të qetësisë në Kosovë ta destabilizojnë, që botës t’iu tregojnë se shqiptarët po përdorin dhunë ndaj serbëve në Kosovë, dhe me këto “veprime të dhunshme dhe presione që po ju bëhen atyre, po duan që serbët t’i largojnë nga Kosova”, me këto intervenime të policisë së Kosovës, e ku përpos qytetarëve, pati edhe policë të lënduar nga konfrontimet me protestuesit serbë, dhe pati shkrepje të armëve nga të dy anët dhe pati edhe të plagosur”, është shprehur më tej Hajrullah Tërnava.

Gjatë aksionit të Policisë, u sekuestruan mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat sipas Tërnavës vijnë nga Serbia. Po ashtu, u sekuestrua edhe sasi e lartë e parave.

“Meqenëse kishte vlerësime të tilla se qe një kohë të gjatë në ato pjesë të veriut ka mallra kontrabanduese dhe korrupsion që vijnë nga Serbia, policia e Kosovës e kishte përgatitur planin e intervenimit në ato pjesë të territorit të saj, edhe që nga përvoja e policisë që tani po vërehet, e në bazë të përvojës së tyre në praktikë, është konfiskuar një sasi e mallrave të kontrabanduara dhe sasi e lartë e parave, si dhe u bë burgosja e disa personave si pjesëmarrës në ato krime, dhe një numër i madh që tani gjenden në arrati në territoret e Serbisë”, ka thënë më tutje eksperti i sigurisë për “Bota sot”.

Sipas tij, qëllimi i Serbisë është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Këtë siç ka thënë Tërnava, ajo po mundohet ta jetësojë me apelin se populli serb duhet të ngrihet në protesta dhe të reagojë kundër reagimeve të institucioneve të Kosovës.

“Serbia me apelin e saj që i drejtohet popullit serb, se atje ku ka serbë në territorin e Kosovës nëse intervenon policia e Kosovës, duhet të ngrihet i tërë populli serb në protesta dhe të reagojë ndaj atyre intervenimeve, pavarësisht a janë në harmoni me ligjet a jo, dhe me këtë t’i tregohet botës se Kosova nëse do njohje të pavarësisë në mënyrë reciproke, duhet së paku ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe, si atë të nënshkruar në vitin 2015 nga ana e Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafës, e të cilin asociacion e ka miratuar Parlamenti i Kosovës, me votimin e deputetëve të asaj legjislature në atë parlament, edhe që Gjykata Kushtetuese, e shpalli si antikushtetues nënshkrimin e asaj marrëveshjeje, ku u konfirmua se pati 23 shkelje të neneve kushtetuese. Prandaj, Serbia është e interesuar që ta jetësojë patjetër Asociacionin e Komunave Serbe”, ka theksuar Hajrullah Tërnava.

Ndërsa, duke folur për mundësinë e dekonspirimit të aksionit të Policisë, ai ka thënë se kjo u bë nga bashkëpunëtorët e Serbisë në territorin e Kosovës. Sipas tij, këtë kanë mundur ta bëjnë policët serbë brenda Policisë së Kosovë apo bashkëpunëtorët e BIA-s serbe.

“Aksioni i ndërmarrë nga ana e policisë është dekonspirua nga qytetarët serbë që ishin të dirigjuar nga pushteti serb, sikur e shpjegova më lartë, e që dihet edhe publikisht se Serbia ka bashkëpunëtorët e saj në territorin e Kosovës, që shtetin serb e njoftojnë për çdo ndodhi në territorin e Kosovës. Edhe në formacionet e policisë së Kosovës është një numër i policëve serbë, që punojnë dhe që ishin të përfshirë po në atë intervenim, prandaj dekonspirimi është i mundshëm edhe nga ata policë serbë, apo bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete (BIA) serbe, sepse pati edhe reagime dhe protesta edhe në pjesë të tjera të serbëve që janë në territorin e Kosovës, lidhur me këtë intervenim të policisë, e në përkrahje të popullatës serbe, gjë që po reagojnë në mënyrë të sinkronizuar në tërë Kosovën, sikur kanë kërkuar burrështetasit e Serbisë”, ka përfunduar Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat