“Politikanët bëjnë deklarata bombastike”/Arsyet pse Serbia ka frikë nga bashkimi kombëtar, ja cili shtet duhet ta jap dritën jeshile

Politika

“Politikanët bëjnë deklarata bombastike”/Arsyet pse Serbia ka frikë nga bashkimi kombëtar, ja cili shtet duhet ta jap dritën jeshile

Nga: G.B Më: 16 tetor 2021 Në ora: 15:57
Edi Rama

Së fundmi është bërë sërish aktuale ideja për bashkimin Kosovë-Shqipëri.

Ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se në synimet e tij ka bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Kjo deklaratë e tij bëri bujë të madhe, derisa reaguan ashpër Serbia dhe Rusia.

Kjo e fundit e quajti të papranueshme një ide të tillë të Ramës.

Por, sa është e mundshme një gjë e tillë dhe pse Rama e dha pikërisht tani një deklaratë të tillë?

Lidhur me këtë, për gazetën "Bota sot" ka folur analisti politik, Islam Krasniqi.

Ai ka thënë se procesi i bashkimit është i pandalshëm por që ende nuk është koha.

Image
Islam Krasniqi

Sipas tij, deklarata e Ramës ka qenë matje e pulsit të BE-së.

"Procesi i bashkimit të shqiptarëve është proces i pandalshëm mirëpo s'ka ardhur koha ende sepse kjo është ëndërr shekullore e brezave më radhë. Deklarata e kryeministrit shqiptar është një vullnet i dalë nga populli, por që liderët tanë kanë frikë të përmendin nga Bashkësia Ndërkombëtare. Unë besoj se me këtë deklaratë ka dashur të matë pulsin BE-së sepse edhe Bashkimi Evropian e di së nëse nuk hapen dyert e Ballkanit Perëndimor, do të ndodhë natyralizimi i shqiptarëve, pasi që nuk ka logjikë që Shqipëria të kufizohet më shqiptarë, e që edhe për bashkësinë ndërkombëtare do të jetë më e lehtë, por ato kanë frikë nga ndonjë konflikt në rajon", është shprehur ai.

Krasniqi ka theksuar se liderët shqiptarë nganjëherë lëshojnë deklarata bombastike për të qenë në qendër të vëmendjes.

"Nganjëherë liderët tanë politikë në Shqipëri dhe Kosovë lëshojnë deklarata bombastike për të qenë në qendër të vëmendjes, por kjo deklaratë mund t'i ngutë edhe procesin e anëtarësimit në BE, të cilat për t'i ikur konflikteve në Ballkan i ngritin proceset", ka vlerësuar analisti.

Ai ka treguar dhe arsyet pse Serbia ka frikë nga Shqipëria e Madhe, ndërsa për Rusinë thotë se nuk merret parasysh reagimet, nëse SHBA jep dritën jeshile.

"Serbia duke e kritikuar Shqipërinë e Madhe ajo po zgjerohet vetë, e që nga Shqipëria e madhe kanë frikë të gjithë, sepse tani Shqiptaria është anëtare e NATO-s e që kufijtë e saj i ka të mbrojtur dhe të sigurt. Reagimet e Rusisë dhe Serbisë askush nuk i merr për bazë, nëse marrim dritën jeshile nga Washingtoni zyrtar", ka deklaruar Islam Krasniqi për gazetn "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat