“Shfrenimi i pakontrolluar i Haradinajt ndaj Kurtit”, publicisti tregon tradhtinë ndaj kryeministrit – ja si nisi gjithçka

Politika

“Shfrenimi i pakontrolluar i Haradinajt ndaj Kurtit”, publicisti tregon tradhtinë ndaj kryeministrit – ja si nisi gjithçka

Nga: A.M Më: 16 tetor 2021 Në ora: 17:19
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka qenë kundërshtari më i zëshëm i kryeministrit Albin Kurti, kohëve të fundit.

Ai herë pas here ka lëshuar akuza dhe kritika të ndryshme në drejtim të kryeministrit të Kosovës, madje edhe ka kërkuar dorëheqjen e tij.

Haradinaj këto kritika i shpeshtoi gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale me qëllim që të fitojë ndonjë votë elektorale

Publicisti Idriz Zeqiraj në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot” i përmendi disa arsye se pse Haradinaj po akuzon dhe sulmon kryeministrin Kurti, e të cilat janë subjektive dhe te pabaza.

Ai vlerëson se një nga arsyet është edhe fakti se VV ia shuajti shpresat Haradinajt për t’u bërë president i vendit, ku kjo erdhi edhe si pasojë e debaklit të madh që AAK pësoi në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Image
Publicisti Idriz Zeqiraj

“Janë disa arsye pse Ramush Haradinaj akuzon dhe sulmon, pa zgjedhur fjalë as mjete, Albin Kurtin dhe LVV! Këto akuza janë krejt subjektive dhe hiç parimore. Rendisim disa nga këto arsye:

1) Pas debaklit të pësuar, në zgjedhjet e 14 shkurtit, subjekti i tij, AAK, është katandisur në 7 %. Largimet e disa kuadrove, kanë marrë edhe elektorate. Tani, kërkon të ri faktorizohet, qoftë edhe me zhurmë të çakorduar, se diçka pozitive po ndodhë në subjektin e tij.

2) Shpresa për t`u bërë pjesë e koalicionit me LVV, u shua, ashtu siç mori fund edhe ëndrra për t`u bërë president i vendit Ramush Haradinaj. Pse u josh aq shumë pas këtij posti? Sepse me zgjedhjen banditeske të Hashimit president, mendoi se edhe ai do t`ia dilte, me ndihmën e Hashimit dhe të Isa Mustafës të LDK-së. Por, Kurti uli trarin "No passaran", nuk kalon! Dhe, kjo e dëshpëroi me tepri atë.

3) Çështja e gazit amerikan, hezitimi i LVV, për t`i thënë OK-ej, edhe pse Kurti thotë se "shqyrtimi i kësaj çështjeje, nuk është refuzim", ishte një rast i memëzi pritur nga Haradinaj, për ta sulmuar, shfrenueshëm, Albinin si "antiamerikan dhe armiqësim me aleatin e pazëvendësueshëm, SHBA!" Qëllimi është i lexueshëm: Hyrja në qejf, besnikëria ndaj Amerikës!" Por, shprehja e kësaj simpatie, nuk ndihmon, ashtu siç nuk e shpëtoi as "Xhorxh Uashingtonin" e Brojës, përkatësisht, të Kosovës! Vetëm dy ditë pas arrestimit të Hashimit, administrata e presidentit Biden, doli me deklaratë: "Para ligjit të gjithë janë të barabartë. Drejtësia duhet të veprojë me vendosmëri!"”, shpjegoi Zeqiraj.

Sipas tij, Haradinaj nuk i ka mbyllur ende disa procese të hapura pas luftës, ku me aprovimin e Gjykatës Speciale është ndërlidhur edhe vrasja e dëshmitarëve të Hagës, sidomos në Dukagjin.

“Dihet, Ramushi ende nuk i ka mbyllur disa procese të hapura të luftës, por më shumë të pas luftës. Hashimi, dinakërisht, aprovimin e Gjykatës Speciale e ka ndërlidhur me faktin e vrasjes të dëshmitarëve të Hagës, sidomos në Dukagjin dhe të pamundësisë të hetimit dhe të gjykimit në Kosovë. Dhe, këtë ia faturon Ramushit, me bandat e tij. Thaçi, duke qenë nën hetim, për krime lufte, në burgun hetues të Hagës, vështirë t`i shmangët sqarimit të deklaratës së tij publike, për vrasjen e organizuar të dëshmitarëve dhe adresimin, tashmë, të bërë publike”, tha ai.

Publicisti e mbështeti heshtjen e Kurtit përballë këtyre akuzave të rënda, pasi e gjithë veprimtaria dhe rrugëtimi i tij politik është transparent.

“Komoditeti i heshtjes së Albin Kurtit, edhe pas akuzave tepër të rënda, është i përligjshëm. Sepse, e gjithë jeta, veprimtaria e Albinit, që nga rinia e hershme studentore; qenia sekretar i Demaçit përgjatë luftës; burgu i mundimshëm serb, deri në rrezikim të jetës; si dhe opozitarizmi, sa i egër, i dhunshëm, por, krejt i përligjur, justifikoi edhe domosdonë e protestave agresive. I gjithë ky rrugëtim domethënës, është, tërësisht, transparent. Ishte kryeministri Thaçi, më vonë, shef i shtetit, i cili, për ta shpëtuar lëkurën e tij, i vuri në ankand tokat shqiptare. Tashmë, kjo është vërtetuar katërçipërisht, pa alibi, për ta provuar të kundërtën”, theksoi Zeqiraj.

Në vazhdim, ai konsideron se opozita në Kosovë jeton ende më frikën se mund t’iu zbulohen krimet e tyre ekonomike dhe politika, prandaj ajo akuzon pozitën dhe tenton ta bllokojë Vettingun.

“Opozita PAN-iste në Kosovë, jeton me ethet e krimeve politike dhe ekonomike. Prandaj zhurmon dhe akuzon pozitën aktuale, duke bërë edhe protesta të lodhëta e pa motiv, madje, duke kërcënuar me protesta masive, për ta rrëzuar Qeverinë Kurti. Partitë-banda të PAN-it, përhapin mjegullnajë, me qëllim të rikthimit të pushtetit të tyre korruptiv, hajnor. Për ata është jetike bllokimi i reformave, i Vettingut, mbajtja nën kontroll, qoftë edhe duke qenë në opozitë, të drejtësisë të kapur nga ata, për t`i shpëtuar ndëshkimit të pritshëm, sekuestrimit të pasurive pa mbulesë faktike, abuzimet privatizuese, duke i blerë tokat shtetërore me vezë, për t`i shitur me lope”, nënvizoi publicist.

Gjithashtu, Zeqiraj vlerësoi se shfrenimi i Haradinajt është i pakontrolluar dhe se këto akuza zënë fill kohë më parë.

Pasi Haradinaj njëherë u bashkua më VV-në kundër LDK dhe PDK, ndërroi krah dhe votoi pro Demarkacionit vetëm pasi u josh nga pozita e kryeministrit.

“Shfrenimi i shpeshtuar dhe i pakontrolluar i zotit Ramush Haradinaj, në adresë të Albin Kurit, zë fill në disa aleanca të tyre të hershme. Por, rolet duhej të ishin të kundërta. Realisht, Albini ka qenë i dëmtuar, nga bashkëpunimi, si opozitar, me Ramushin dhe AAK-në e tij. Opozita e bashkuar, VLAN, kundër PDK-së, ishte në rrjedhë të mbarë. Por, Isa dhe Ramushi, garonin se cili do t`i bashkohej, më parë, qeverisjes të PDK-së. Skija e vjetër, Isa, përkundër vullnetit të strukturave të partisë dhe elektoratit, ishte i parë në tradhti të VLAN-it.

Në pengimin e kalimit në Parlament të Demarkacionit, Ramushi me AAK-në e tij, ishin bashkë. Por, joshja me postin e kryeministrit, Ramushi e theu besën e dhënë Albinit dhe tradhtoi. Ishte e ulët dhe kriminale, gatishmëria për këmbimin e liberalizimit të vizave, me faljen e 8.300 hektarëve tokë Malit të Zi. Parlamentarët, votues të Demarkacionit, sikur të ishin "me bythë në prush", patriotizmin e varën "në bisht të lahutës!"”, tha ndër të tjera ai.

Në fund, publicist potencoi se Haradinaj vazhdimisht ka kamufluar me deklaratat e tij politico-juridike të cilët nuk e bindën askënd.

Në këtë rast, përmendi edhe momentin kur Haradinaj për të u mbrojtur nga drejtësia ndërkombëtare dhe krimet e luftës, rivalët politik, Haradinaj e Thaçi u bënë bashkë brenda natës.

“Përrallat e Haradinaj, për Komisionin e tij rishikues të Marrëveshjes të Demarkacionit, janë kamuflazhë politiko-juridik, që nuk bindin askënd. Me marrëveshje ndërkombëtare nuk ka lojë me anekse shtesë dhe as me ndryshime domethënëse. Ato mund të bëjnë retushime të parëndësishme, pa e cenuar përmbajtjen e frikësuar në marrëveshjen fillestare ndërkombëtare.

Thyerjet e aleatëve do të vazhdonin, me bashkimin e votës për zgjedhjen banditeske të Hashimit president. Edhe votat këmbeheshin me diplomatë! "Ujdia" e partive-banda të PAN-it, për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ishte dramatike. Ndjenja e mbrojtjes nga drejtësia ndërkombëtare, për krimet e luftës, por, edhe të pas luftës, kryesisht, me viktima shqiptarë, kryekëput, kundërshtarë politikë, por, edhe brenda llojit, për shmangie të rivalitetit për pushtet, i bashkoi brenda natës!”, përmbylli Idriz Zeqiraj, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat