Kush humbi e kush fitoi? Analistët komentojnë rezultatet e zgjedhjeve lokale, ja befasia më e madhe

Politika

Kush humbi e kush fitoi? Analistët komentojnë rezultatet e zgjedhjeve lokale, ja befasia më e madhe

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 19 tetor 2021 Në ora: 10:22
Foto ilustrim

Të dielën janë mbajtur zgjedhjet lokale në Kosovë.

Në shumë komuna partitë janë në balotazh dhe zgjedhjet do të mbahen pas 1 muaji, në mes të partive që janë në balotazh.

Rezultati i zgjedhjeve ishte befasues në shumë komuna.

Për zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Zgjedhjeve ENEMO, ka vlerësuar se zgjedhjet në Kosovë ishin të qeta pavarësisht tensioneve në veri të vendit dhe pandemisë COVID-19.

“Zgjedhjet lokale janë mbajtur në një mjedis të qetë, pavarësisht tensioneve në veri, pasigurisë dhe shtyrjes së mundshme për shkak të COVID-19, megjithatë vonesat e vazhdueshme në kryerjen e reformave zgjedhore kanë dërguar në pikën ku rregullat janë të paqarta dhe konfliktuale, gjë që ndikon edhe në sigurinë juridike”, kishte deklaruar shefi i këtij misioni, Pierre Peytier.

Qarri: Befasi në këto zgjedhje është PDK

Analisti politik Gani Qarri, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë në këto zgjedhje befasia është te PDK e cila ka shënuar rritje në disa komuna, në Mitrovicë dhe Skënderaj.

“Në Republikën e Kosovës, kësaj radhe, pothuajse si asnjëherë më parë, pas zgjedhjeve lokale, gati gjysma e komunave do të shkojnë në balotazh, ku votimet e radhës, do të mbahen pas 1 muaji, në mes të partive, me kandidatët konkurrent. Ajo që befasoi me këtë rast, është fakti se në zgjedhjet e 17 tetorit, ish kryetarët dhe kandidatët të cilët, në vend të veprimit politik e kujdesit profesional e njerëzor për mirëqenien e qytetarëve, paaftësitë e veta u munduan t’i kamuflojnë me inskenime imamësh dhe shfaqje kuazi fetare, kanë irrituar qytetarët deri në atë masë, sa që kanë humbur edhe mbështetjen e tyre, ndaj që nga Mitrovica në Skënderaj, e deri në Prishtinë dhe Prizren, PDK ka shënuar rritje fenomenale, gjë që nuk ishte pritur në këtë masë, por e dëshmoi vet rezultati i zgjedhjeve duke fituar disa komuna, që në votimin e parë”, thotë ai.

Image
Gani Qarri

 

Sipas tij, PDK ishte mirë e përgatitur, kurse për VV-në deklaron që nuk pret fitore nga Vitia.

“PDK me një kandidatë të mirë përgatitur si Bedri Hamza i fitoi me përqindje pakrahasimisht të madhe edhe zgjedhjet në Mitrovicë, si dhe kandidati i avancuar i LDK-së, Përparim Rama shkoi në balotazh me Arben Vitinë, megjithëse konsiderohej se do të fitonte pa balotazh, ai jo vetëm që nuk arriti numrin e dëshiruar të votave, por unë pres që partitë opozitare t’i bashkojnë forcat dhe në Prishtinë të fitojë Përparim Rama, ndërsa Arben Vitia, në raundin e dytë, t’i humb përfundimisht zgjedhjet, për të parin e Prishtinës”, shpjegon tutje analisti.

Kurse për zgjedhjet Qarri thotë se u zhvilluan në atmosferë tërësisht të qetë dhe demokratike e pa incidente, ku u dëshmua se prioritet ka kandidati dhe jo partia.

“Sa u takon vetë zgjedhjeve, Kosova duhet krenuar me faktin se edhe zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ishin të qeta, me një pjesëmarrje solide të votuesve, të cilat u zhvilluan në një atmosferë tërësisht demokratike, e pa incidente, ku u dëshmua se prioritet ka kandidati, dhe jo partia, ndaj përzgjedhja e kujdesshme e kandidatëve, ishte veprimi më i mençur që dha efektet e veta dhe duke qenë se LVV serish defiloi me kandidatë gjysmë-politik e gjysmë fetar, nuk arriti ta fitoi asnjë komunë të vetme në raundin e parë edhe pse në zgjedhjet nacionale, mori më së shumti vota dhe pati dalë e para si parti”, deklaron ai.

Në fund, ai ka shtuar se përzgjedhja me vëmendje e kandidatit duhet të ketë për prioritet mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e komunës që udhëheq.

“Se përzgjedhja me vëmendje e kandidatit i cili për prioritet ka mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e komunës që udhëheqë, e jo ritet e hoxhallarëve, është jetike, e dëshmon edhe fakti tjetër, me kandidatin Bekim Jashari në Skënderaj, i cili me sjelljet dhe qëndrimet e tij të paqarta kombëtare, lëndoi ndjenjat atdhetare të drenicasëve si treva më patriotike në vend e më gjerë, për çka edhe është kritikuar në vijimësi, në të gjitha mediat e vendit, për fotografi, aktrime fetare e defilime me sheik arab, ndaj jo vetëm se u bë i pa dëshirueshëm, për të parin e Skënderajt, por ai humbi edhe zgjedhjet që në raundin e parë dhe nuk do të jetë më kryetar”, përfundon Gani Qarri për “Bota sot”.

Krasniqi: Nuk kishte as fitues as humbës

Ndërsa, analisti Islam Krasniqi, ka thënë që me këto zgjedhje i treguam bashkësisë ndërkombëtare se Kosova është shembull për rajonin në këtë aspekt, edhe pse në këto zgjedhjet fitues i vetëm është qytetari.

“Edhe një herë i treguam Bashkësisë Ndërkombëtare që Kosova është shembull për rajonin se si duhet të mbahen zgjedhjet, të një niveli të lartë demokratik, pa asnjë incident. Në këto zgjedhje nuk ka fitues por as humbës, janë disa fitore të vogla e që mund të konstatojmë se fitues i vetëm mund të jetë qytetari i Republikës së Kosovës për kulturën dhe nivelin që tregoi në këto zgjedhje”, ka thënë ai.

Image
Islam Krasniqi

 

Sipas tij, VV nuk mundi t’i ruajë ato komuna që kishte, duke shtuar që në këto zgjedhje ajo nuk ka pasur as elektorat e as kandidatë të duhur për kryetar komunash.

“Mund të citojnë se VV-ja është humbëse në këto zgjedhje pasi që komunat që i pati nuk mundi t'i ruajë, edhe pse po bazohen në zgjedhjet në qendrore (nacionale) e që nuk kanë të përbashkët asgjë pasi që VV-ja për zgjedhjet qendrore ka pasur elektorat dhe ka qenë e përgatitur, por që edhe qytetarët i ndëshkuan partitë tjera me arsye se patën treguar qeverinë në kohë pandemie, ku rrezikuan qytetarin për interesa të veta, po ashtu pa harruar të cekim se për zgjedhjet lokale VV-ja s’ka pasur as elektorat, as programe por as kandidatët e duhur”, sqaron analisti.

Në fund, ai ka vlerësuar se edhe pse VV është balotazh në 12 komuna, ajo ka mundësi t’i fitojë 6 prej tyre, kurse PDK ka rikthyer fitoren në Mitrovicë derisa LDK ka ruajtur elektoratin e saj.

“VV-ja tash është në 12 komuna në balotazh që 6 prej tyre ka mundësi t'i fitojë, e që në fund mund të dalë fituese. PDK-ja ka dalë fituse me komunën e Mitrovicës sepse e ka kthyer pa harruar të cekim se ka qenë e pritur kjo fitore, se z.Bahtiri patë humbur besimin e elektoratit të tij dhe votuesi e ndëshkoi. LDK-ja ka ruajtur elektoratin e saj. Lista Serbe ka ruajtur komunat e saj që i ka pasur e që ato rezultatet kanë qenë të ditura”, përfundon Islam Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat