Fundi i UNMIK-ut në Kosovë!

Politika

Fundi i UNMIK-ut në Kosovë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 tetor 2021 Në ora: 21:28
Mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Disa ditë më parë u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua për Kosovën dhe aksionin që u bë në Veriun e Mitrovicës.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fjalën e tij ka kërkuar shkuarjen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

Ai kërkoi mbylljen e këtij misioni, dhe të ketë një prani tjetër të OKB-së në Kosovë

Ndryshe, Kosova është u përfaqësua nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila kishte një paraqitje dinjitoze, ku gjatë fjalës së saj në KS edhe ajo kërkoi edhe mbylljen e UNMIK-ut.

Qasja e UNMIK-ut u cilësua si e njëanshme, ku u theksua se ky mision po mban anën e shtetit serb me deklarimet e përfaqësuesit.

Në lidhje me këtë kanë folur njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula dhe eksperti i sigurisë, Armend Halimi për gazetën “Bota sot”.

Ata vlerësuan se përfundimi i misionit të UNMIK-ut në Kosovë është e domosdoshme.

Pula: Kosova ka të drejt të kërkoj përfundimin e mandatit të UNIMK-ut

Image
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula ka pritur që KS i OKB-së që ta zhvlerësojë rezolutën 1244 të UNMIK-ut, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se udhëheqësit e institucioneve të Kosovës duhet që të insistojnë tek shtetet anëtare të KS të OKB-së që më çdo kush ta shfuqizojnë këtë rezolutë.

“Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndër të tjerash ka theksuar ndalimin e armiqësive, mbajtjen dhe forcimin e armëpushimit dhe vendosjen e një pranie civile ndërkombëtare, e me qëllim të themelimit dhe funksionalizimit të institucioneve në Kosovë, të cilat veçse janë arritur e konfirmuar me aktin e shpalljes së mëvetësisë si Republikë e pavarur më 2008-tën, prandaj është pritur që Këshilli i Sigurimit i OKB-së, të nxirrte një tjetër rezolutë që do ta zhvlerësonte rezolutën 1244, dhe ta mbyllte mandatin, por që s’ka ndodhur. Bartësit institucional të Republikës duhet të insistojnë në ndërgjegjësim të faktorit ndërkombëtar, respektivisht shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ta nxjerrin një rezolutë tjetër duke e shfuqizuar rezolutën 1244 meqë është arritur qëllimi”, deklaroi ai.

Sipas Pulës, vetë fakti që mandati i UNMIK-ut zgjati kaq shumë, tregon se politika e Kosovës nuk ka funksionuar siç duhet.

“Kohëzgjatja e mandatit të -UNMIK-, sikur na e tregon se politika jonë nuk ka qenë në funksion të kohës, kështu që, Kosova jo vetëm se ka të drejtë, por edhe detyrë shtetërore të hap për diskutim dhe kërkoj përfundimin e mandatit të UNMIK”, theksoi njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në vazhdim, ai komentoi edhe deklaratën e Përfaqësuesit Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm, Zahir Tanin.

Ai u shpreh se paraqitja e këtij të fundit në OKV nuk përkonte me realitetin e krijuar në Kosovë, madje ky deklarim i Tanin ishte jashtë çdo logjike.

“Deklarime të paqëndrueshme mbi të vërtetën, realitetin dhe të ardhmen properëndimore, ka patur edhe më parë, e deklarimi i zotëri Zahir Tanin (Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm), në paraqitjen e fundit të seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk ishte mbi atë se çfarë realiteti institucional e shtetëror është krijuar në Kosovë, por mbi atë se çfarë ‘dikush’ do dëshironte të dëgjonte!. Deklarimi ishte jashtë çdo logjike ligjore e politike, për nga rrethanat e deklarimit, për nga përmbajtja, si dhe për nga pasojat që mund të shkaktohen hamendësime tek vendet që akoma nuk e kanë njohur mëvetësinë e Kosovës”, vlerësoi Pula.

Në fund, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare tha se UNMIK ende nuk e ka kuptuar realitetin dhe nuk ka ndërruar qëndrim.

Prandaj ai kërkoi që të fillojë një ofensivë politike e diplomatike në Kosovës, pasi çdo ditë që kalon, është ditë e vonuar.

“Administrata ndërkombëtare -UNMIK- duket sikur nuk e ka kuptuar kuptimin politik-historik të problemit, andaj dhe, nuk ka ndërruar qëndrimin mbi realitetin. Politika jonë defanzive ka krijuar lojën që golat të përfundojnë në rrjetën tonë. Ngase shumë gjatë, strategjitë tona, si institucione, i kemi krijuar e mbështetur mbi forcat e jashtme, e për rrjedhojë, i kemi përshtatur veprimet nga situatat të cilat edhe na janë imponuar. Koha për ofensivë politike e diplomatike, sot, nesër, e çdo ditë që kalon, është ditë e vonuar”, përfundoi Shqiprim Pula.

Halimi: Misioni i UNMIK-ut është i panevojshëm

Image
Eksperti i sigurisë, Armend Halimi

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Armend Halimi në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se mandati i UNMIK-ut do të duhej të përfundonte vite më parë.

Pasi, sipas tij misioni i kësaj organizate është i panevojshëm.

“Organizata e UNMIK-ut de facto ka përfunduar misionin e saj në Kosovë me rastin e krijimit të institucioneve vendore, e që ekzistenca e saj sidomos pas pavarësisë së vendit është e panevojshme”, deklaroi Halimi.

Gjithashtu, eksperti i sigurisë tha se UNMIK ka qenë i njëanshëm në raportim, duke e dëmtuar Kosovës, prandaj misioni i tyre duhet të përfundojë.

“Republika e Kosovës ka marrëdhënie diplomatike me vendet e bashkësisë ndërkombëtare, gjë që gjendja faktike reale shihet nga prezenca e misioneve diplomatike. Andaj, gjersa misioni i UNMIK-ut është tani më 'informues', është i panevojshëm, ngase siç edhe shihet kohës së fundit as në raportim nuk është real duke qenë i njëanshëm”, përmbylli Armend Halimi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat