Ndikimi rus në Ballkan, Biden nuk rri ‘duarlidhur’ – vlerësohet lart emërimi i diplomatëve amerikanë

Politika

Ndikimi rus në Ballkan, Biden nuk rri ‘duarlidhur’ – vlerësohet lart emërimi i diplomatëve amerikanë

Nga: A.M Më: 21 tetor 2021 Në ora: 15:47
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden

Së fundi, rajoni i Ballkanit ka qenë qendër e konflikteve dhe tensioneve të shumta. 

Marrëdhëniet në shtetet e këtij rajoni, përfshirë Kosovën kanë qenë të tensionuara dhe një nga arsyet ka qenë Serbia me politikat e saj, të cilat mbështeten nga Rusia. 

Siç duket këto kriza në Ballkan, Amerika i ka analizuar dhe ka vepruar menjëherë. 

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka emëruar pesë diplomatë në Ballkan. Të gjithë janë të njohur në fushën e diplomacisë.

Në mesin e këtyre diplomatëve janë Kristofer Hill i cili do të udhëheq ambasadën amerikane në Beograd, Gabriel Escobar i cili do të jetë zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit që do të merret me Ballkanin Perëndimor, Jeffrey M. Hovenier i cili pritet të zëvendësojë Philip Kosnettin në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë. 

Po ashtu, është përmendur edhe emri i James O’Brien i cili është nominuar nga Joe Biden si koordinator për politikat e sanksioneve dhe emri i Michael Murphy i cili është një politikan me përvojë të madhe sa i përket politikës së jashtme amerikane.

Njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Besnik Vasolli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar emërimin e këtyre diplomatëve amerikanë. 

Ai u shpreh se kjo është një shenjë e qartë e SHBA-të po rikthen në rajon, ku kjo erdhi si pasojë e ndikimit rus dhe marrëdhëniet e tensionuara në mes shteteve të Ballkanit.

Image
Njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Besnik Vasolli

“Angazhimi i diplomatëve me përvojë në Ballkanin Perëndimor është një shenjë e qartë se Shtetet e Bashkuara po kthehen në rajon. Ndikimi rus, marrëdhëniet e tensionuara rajonale dhe incidentet e fundit në pjesë të ndryshme të rajonit kanë rritur nevojën për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në rajon”, deklaroi Vasolli.

Gjithashtu, njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane vlerësoi se po Amerika po i jep rëndësi të madhe gjeo-strategjisë të Ballkanin Perëndimor.

Vasolli përmendi edhe konfliktet dhe krizat e fundit që kanë ndodhur në Mal të Zi, Kosovës dhe Bosnjë Hercegovinë. 

“Duke emëruar diplomatë me përvojë kaq shumë vjeçare në rajon, të cilët e kuptojnë shumë mirë të kaluarën e rajonit dhe sfidat që ka kaluar ky rajon, SHBA po tregon se gjeostrategjia e këtij rajoni është e rëndësishme. Muajt e fundit, kanë ndodhur gjëra që na kujtojnë të gjithëve fillimin e krizës në rajon, incidentet në Mal të Zi, në Kosovë por edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë lejnë të kuptojmë se rajoni është ende një vatër konflikti ku investimet e bëra prej shumë dekadash po rrezikohen”, theksoi ai. 

Në fund, Vasolli potencoi se edhe problemet e brendshme të BE-së kanë ndikuar që fuqitë e ndërkombëtare si Kina, Rusia dhe Turqia të shtrijnë ndikim e tyre në këtë pjesë të Evropës. 

“Nga ana tjetër, BE, me probleme të brendshme, nuk ka qenë në gjendje të mbushë boshllëkun, kështu që fuqitë e tjera ndërkombëtare si Kina, Rusia por edhe ato rajonale si Turqia e kanë përdorur këtë situate ato në avantazhin e tyre”, përmbylli Besnik Vasolli për gazetën “Bota sot”. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat