Si ndodhi vjedhja spektakolare e mbi 2 milionë eurove? Ish-zëvendësministri ka një kërkesë urgjente për Qeverinë Kurti!

Politika

Si ndodhi vjedhja spektakolare e mbi 2 milionë eurove? Ish-zëvendësministri ka një kërkesë urgjente për Qeverinë Kurti!

Nga: N.Sh Më: 21 tetor 2021 Në ora: 21:45
Labinot Gruda dhe Kadri Shala

Dy milionë e 77 mijë euro kishin kaluar nga Thesari i Shtetit përmes katër transaksioneve në llogarinë e kompanisë private me bazë në Drenas, LDA Grup SHP, me pronarë Kadri e Valon Shala.

Kjo vjedhje e cila ishte më e madhja e zbuluar në Thesarin e Shtetit, ka rezultuar me disa të arrestuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), javën e kaluar ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurve me iniciale L.G dhe K.SH.

I pandehuri L. G., akuzohet për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 i KPRK-së, ‘’Hyrja në sistemet kompjuterike’’ nga neni 327 të KPRK – së, ‘’Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes’’ nga neni 336 të KPRK- së, si dhe ‘’Shpëlarje e parasë’’ nga neni 308 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin K.SH.

“Ndërkaq, ndaj të pandehurit me inicialet K.SH., është ngritur aktakuza për shkak të veprave penale ‘’Shpëlarje e parasë’’ nga neni 308 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin L.G, dhe për veprën penale ‘’Ndihma’’ nga neni 33 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, në ndërlidhje me veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale tutje ka theksuar se si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve L.G dhe K.SH, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej dy milion e shtatëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë euro e nëntëdhjetë cent (2,077,995.90) euro.

Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër veturave të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar Buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në lidhje me këtë çështje, ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava, shprehet se, Qeveria Kurti e ka për obligim që t’i luftojë të gjitha krimet që kanë ndodhur prej një kohe të gjatë në Kosovë.

Ai thotë se, lufta kundër së keqes, krimit e korrupsionit, duhet të jetë top prioritet.

Andaj, Tërnava kërkon urgjentisht nga Qeveria e Kosovës, që të fillojë intensivisht me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe veprave të tjera kriminale të nëntokës, që u kryen në Kosovë përgjatë viteve të kaluara.

Image
Hajrullah Tërnava

Sipas tij, kontribut në këtë drejtim gjithsesi do të mund të jep edhe monitorimi nga opinioni publik dhe përcjellja hap pas hapi e secilit rast opinioni e ka rolin e vetë pozitiv që krimet të ndiqen e të mos harrohen, sikur që ishte presioni i muajve të fundit ndaj Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e cila më në fund ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër 2 të pandehurve me rastin e plaçkitjes së arkës së shtetit vitin e kaluar, e ku pretendohet se buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm mbi 2 milionë euro.

“Nëse prokuroria edhe tani do t’i neglizhoj si deri me tani këto raste, ekziston rreziku që edhe kjo çështje të merr kohë të zvarritjes në procedurë gjyqësore, pasi që bëhet fjalë për një super skandal që ka ndodhur brenda institucionit më të rëndësishëm të shtetit, në menaxhim të arkës së shtetit, dhe lidhjet me mafio politiken mund ta ushtrojnë ndikimin e vetë. Peshë pozitive në këtë rast ka vetëm mbajtja nën vëzhgim, monitorim të vazhdueshëm e aktiv nga mediat dhe njohësit e kësaj fushe, fillimin e procesit gjyqësor të këtyre “peshkatarëve“ të milionave të shtetit, vjedhja e të cilave u zbulua mbase rastësisht, kurse edhe shumë vjedhje të tjera mjeshtërore e spektakulare kanë mundur të përfundojnë të harruara por të pa zbuluara”, shprehet Tërnava.

Tërnava thekson se, Prokuroria Speciale ka njoftuar se si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve L.G dhe K.SH, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej dy milion e shtatëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë euro e nëntëdhjetë cent në këtë rast (2,077,995.90) euro.

Lidhur me këtë, Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e katër veturave të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, kurse edhe shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës.

“Prokuroria duhej ti hulumtoj edhe shume veprat tjera të tilla që supozohet se janë krye më parë po në atë arkë të shtetit, sikur që e tha edhe ish Ministrja e financave Bajrami në mandatin e para kësaj qeverie, sikur që e ceku, se opinioni do të tronditet kur ta kuptoj vjedhjen edhe më të rëndë se kjo e mbi dy milion eurove, që opinioni ende nuk e din për këtë vjedhje dhe ndoshta edhe vjedhje të tjera, qe supozohet se edhe mund të kishin ndodhur nga të fortit e shtetit sikur tani kjo vjedhje që ndodhi”, përfundon Hajrullah Tërnava.

Ndryshe, Labinot Gruda dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Drenasit.

Sipas burimeve nga Zyra e Thesarit kishte ndodhur vetëm një transaksion, në njërën nga bankat komerciale në Kosovë, nga e cila shuma prej 2.1 milionë eurove është shpërndarë pastaj në katër llogari të ndryshme jashtë Kosovës.

Gjithashtu mësohet se, pavarësisht se njëherë u tha se këto mjete janë të bllokuara nga ana e BQK-së, një gjë e tillë është e pamundur.

Kjo pasi, pagesat që bëhen nga Zyra e Thesarit brenda Ministrisë së Financave, nuk kalojnë për verifikim apo procesim në BQK, por vetëm raportohen pas ekzekutimit.

Përveç ekzekutimit të pagave të sektorit publik, ku BQK bënë shpërndarjen e mjeteve nëpër bankat komerciale, pagesat tjera nuk e kërkojnë konfirmimin e BQK-së.

E për Grudën me shkollim, Fakultetin Ekonomik, ishte zbuluar një e kaluar të errët.

I dyshuari, pas kryerjes së kësaj vepre, kishte kaluar disa ditë pushime në Shqipëri, pushim ky që e nxiti të ndryshojë mendje për vjedhjen që dyshohet se kreu.

Gruda, pas kthimit nga pushimi, kishte vendosur që të informoj vetë për transferin e 2.2 milionëve nga Thesari i Shtetit, duke pranuar kështu burgun, para kërcënimeve me vdekje.

Duhet përkujtuar që “avullimi” i dy milionë eurove të shtetit pati ndodhur gjatë qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas publikimit të informacioneve lidhur me këtë ngjarje, ministrja e atëhershme Hykmete Bajrami pati deklaruar se janë duke u ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm lidhur me situatën.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat