“Një fakt i qartë”, analisti amerikan komenton vendimin e Kosovës për zyrtarët rusë

Politika

“Një fakt i qartë”, analisti amerikan komenton vendimin e Kosovës për zyrtarët rusë

Nga: A.ZH Më: 22 tetor 2021 Në ora: 22:01
Daniel Serwer

Me kërkesë të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, sot ka shpallur dy zyrtarë rusë “non grata”.

Presidentja Osmani ka njoftuar se dy zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, janë shpallur të “padëshiruar” për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Ajo është zotuar se Kosova do të punojë më tej me amerikanët dhe evropianët, "për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse".

Vendimin e Kosovës e ka quajtur “normal” eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin John Hopkins, Daniel Serwer.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Serwer ka thënë se destabilizimi rus është një fakt i qartë dhe se kushdo që ka lidhje me të, duhet të ndalohet.

“Nuk di asgjë për këtë rast konkret, por është normale që një sovran të ketë autoritetin për të shpallur zyrtarët e huaj “non grata”. Destabilizimi rus është një fakt i qartë. Kushdo që është përgjegjës për këtë duhet të ndalohet”, ka thënë analisti për “Bota sot”.

Në media janë publikuar edhe emrat e dy rusëve “non grata”. Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev janë dy zyrtarët, veprimtarinë e të cilëve, Kosova e sheh si cenim të sigurisë kombëtare.

Për Alexey Kryvosheev nuk është hera e parë që është shpallur “non grata”.

Ai është shpallur “non grata” edhe nga Shqipëria, pasi që në janar të këtij viti, sipas qeverisë, vazhdimisht ka thyer masat anti-covid në këtë vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat