Paralajmërimi i ekspertit të sigurisë: Ja kur fillon rrënimi i kupolës së krimit të organizuar në Kosovë!

Politika

Paralajmërimi i ekspertit të sigurisë: Ja kur fillon rrënimi i kupolës së krimit të organizuar në Kosovë!

Nga: N.Sh. Më: 26 tetor 2021 Në ora: 16:52
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur me 13 tetor ka miratuar koncept dokumentin për vettingun në drejtësi përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se vendin më së shumti e ka dëmtuar mungesa e drejtësisë dhe se “lirinë e fituar duhet ta institucionalizojmë përmes drejtësisë”.

Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

“Gjyqësori duhet të jetë i pavarur, jo vetëm në formë por edhe në përmbajtje. Në mënyrë që sistemi gjyqësor dhe prokuruorial të veprojë drejt është e nevojshme që në të gjitha nivelet të ketë njerëz profesional dhe me integritet”, shtoi Kurti.

Sipas tij vettingu do të tregojë gjendjen aktuale brenda sistemit gjyqësor në kuptim të kapaciteteve profesionale pastaj edhe etikës së punës së dhe integritetit të akterëve të gjyqësorit në përgjithësi.

“Vettingu do të bëhet përmes një mekanizmi të pavarur nga gjyqtarë dhe jogjyqtarë të zgjedhur nga Kuvendi dhe Presidenca me prani të ndërkombëtarëve”, tha Kurti.

Ky mekanizëm, sipas tij, do të operojë me ndihmë të sekretariatit për çështje logjistike kurse në shkallë të dytë do të veprojë Kolegji për Apel.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se procesi i vettingut do të bëhet përmes një periudhe optimale 5-vjeçare.

“Mekanizmi i pavarur do të ketë mandatin e tij në verifikimin e integritetit personal të subjekteve për vlerësimin e performancës, profesionalizmit dhe kontrollin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Haxhiu duke premtuar se i gjithë procesi do të jetë i drejt, profesional, i pavarur dhe efektiv.

E me fillimin e jetësimit të këtij ligji, pritet që të fillojë e mbara e shumë pritur në institucionet e Kosovës.

Image
Hajrullah Tërnava

Kështu po vlerëson ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Sipas tij, shtetit do t’i kthehet reputacioni pozitiv nga e kaluara e errët që kishte.

“Tani kur është në pritje faza finale e miratimi të Ligjit Vetting,  pas përfundimit të koncept dokumentit të miratuar në Qeveri, progresi në reformën zgjedhore duket i pritshëm dhe shumë gjithëpërfshirës. Qasja  shumë profesionale e reformës në sitëm ka një rëndësi tepër të veçantë. Gjithsesi që në rezultatin pozitiv do të ndikoj kontrolli i jashtëm në sistem e i cili parashihet me Ligjin Vetting, që për ta adresuar përgjegjësinë dhe llogaridhënien e përmbushjes së obligimeve sipas ligjit dhe zyrës zyrtare, do të realizohet kryesisht nga ekspertizë e pa varur jashtë gjyqësorit, për ta pamundësuar vazhdimin e betonizimit të paprekshëm dhe veprimet e qeverisë në vetë, pa i dhënë llogari askujt, edhe kur kemi pasur të bëjmë me shkelje serioze të ligjit dhe detyrës zyrtare”, thekson Tërnava.

Sipas tij, një opsion i mirë është që të themelohen trupa të pavarur me kompetencë për çështje specifike të administrimit të gjyqësorit, e që nuk janë objekt i kontrollit nga një institucion apo autoritet i vetëm.

Ai shton se, përbërja e këtyre trupave duhet të reflektojë qëllimin e tyre të veçantë.

“Puna e tyre parashihet që duhet të jetë e rregulluar me ligj dhe jo me dekret ekzekutiv. Tutje në këtë dokument prej 305 faqesh thuhet se me qëllim të parandalimit të pretendimeve për koorporatizim dhe garantimit të procedurave të të drejta disiplinore, Këshillat Gjyqësorë nuk duhet të jenë kompetentë edhe për a) pranimin e ankesave dhe zhvillimin e hetimeve disiplinore, dhe në të njëjtën kohë b) të zhvillojnë shqyrtimin dhe të marrin vendim për masat disiplinore. Vendimet disiplinore duhet të jenë objekt i ankesës përpara gjykatës kompetente. Trupat kompetentë për të zhvilluar shqyrtimin në një rast disiplinor dhe për të marrë vendime rreth masave disiplinore, nuk duhet të jenë në përbërje ekskluzive të gjyqtarëve, por duhet të kenë përfaqësim edhe të anëtarëve jashtë profesionit gjyqësor”, thekson ai.

Ai tregon se në këtë koncept dokumenti të vettingut parashihet që për gjykimin e rasteve të disiplinës gjyqësore të zhvillohen me transparencë dhe jo të mbyllura sikur deri më tani, për çka edhe duhet të ngrihet një organ i veçantë i pavarur pa konflikt të interesit.

Sipas tij organet të cilat vendosin për meritat e rastit duhet të veçohen nga ato të cilat i iniciojnë dhe hetojnë ato, si dhe në përbërje të tyre nuk mund të ketë anëtarë të përbashkët që ushtrojnë dy funksionet.

“Parimisht, seancat disiplinore për gjyqtarët duhet të jenë transparente: transparenca duhet të jetë rregulli i artë për shqyrtimet disiplinore të gjyqtarëve. Këto seanca do të jenë të hapura, me përjashtim të rasteve kur gjyqtari i akuzuar kërkon që të jenë të mbyllura”, tregon Tërnava.

Tutje, Tërnava potencon se, në këtë rast vendos gjykata nëse kërkesa është e justifikuar, duke shtuar se, vendimet që kanë të bëjnë me disciplinën gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara.

“Gjithsesi se fillimi i këtij procesi, do të jetë fillimi i rrënimit dhe shthurjes së kupolës së krimit të organizuar në sistemin e drejtësisë, pasi që për plotë dy dekada, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë, në këto 13 vite, ky sistem ka funksionuar tërësisht i ndikuar nga politika, grupet e interesit, pavarësisht vërejtjeve serioze dhe kërkesave për reformim të thellë që vazhdimisht janë adresuar edhe nga BE-ja, në secilin vit në Raportet e Progresit. Me fillimin e jetësimit të Ligjit te Vettingut edhe do të filloj e mbara e shumë pritur në institucionet e drejtësisë të Kosovës, dhe shtetit do t’i kthehet reputacioni pozitiv nga e kaluara e errët sikur që ishte deri më tani, një shtet i së drejtës vetëm në letër, por i kontrolluar nga krimopolitika në gjata zbatimit të ligjit në vepër praktike dhe faktike”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat