Insistimi për formimin e Asociacionit/ Ky është skenari që pritet të ndodhë

Politika

Insistimi për formimin e Asociacionit/ Ky është skenari që pritet të ndodhë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 29 tetor 2021 Në ora: 19:40
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Kosova përveç shumë sfidave që ka përballë saj, kohëve të fundit është duke u përballur edhe me një kusht të Serbisë.

Serbia në çdo takim që gjendet përballë Kosovës përmend një nga temat që kërkon t’i realizohet.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është duke u kërkuar tash e shumë vite, e që e njëjta nuk po pranohet nga shteti i Kosovës.

Së fundmi në lidhje me këtë tema ka reaguar edhe drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips, i cili ka thënë se Kosova duhet të kërkojë të drejta për shqiptarët e Preshevës siç kanë serbët në Kosovë.

Sipas tij, serbët kanë të drejta në Kosovë më shumë se që duhen, përcjell “Bota sot”.

Philips tërheq një paralele mes gjendjes së serbëve në Kosovë dhe pakicës shqiptare në Serbi.

“Asociacioni është i tepërt. Kushtetuta e Kosovës parasheh një seri masash në mbrojtjen dhe promovimin e pakicave, të cilat po ashtu mbrohen nga parimet e Ahtisaarit. Marrëveshja që zoti Thaçi kishte bërë për Asociacionin ishte e keqe që në fillim”, deklaroi Phillips.

Philips tha gjithashtu se Asociacioni do të krijonte ndarje të mëdha në veri të vendit dhe do të minonte sovranitetin e vendit.

“Nëse Kosova ecën para me Marrëveshjen e Asociacionit ndaj së cilës është e obliguar, duhet të bëhet në simetri me trajtimin që Serbia i bënë pakicës shqiptare në Preshevë”, u shpreh ndër të tjera Philips.

Kujtojmë se në lidhje me Asociacionin, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur se disa pika të Marrëveshjes që binin ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Gruda: Asociacioni është i tepërt

Image
Përparim Gruda

Në lidhje me këtë temë, për gazetën “Bota sot”, profesori i së Drejtës Kushtetuese, Përparim Gruda, ka thënë se zgjidhjet kushtetuese dhe ligjore që janë bërë në lidhje me komunitet serbe në Kosovë nuk janë të bazuara në reciprocitet e as në ndonjë standard tjetër evropian.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare i ka propozuar Kosovës këtë model të pavarësisë me këto të drejta për serbet dhe se Kosova nuk ka pasur zgjidhje tjetër veçse ti pranoj.

Ai thotë se Asociacioni është i tepërt.

“Zgjidhjet kushtetuese dhe ligjore që janë bërë një lidhje me të drejtat e komunitetit serb ne Kosovë, nuk janë bazuar në reciprocitet e as në ndonjë standard tjetër evropian ose përvojën e ndonjë rasti tjetër. Ato janë krejtësisht zgjidhje politike të kompromisit që ka bërë Kosova për të shpallur pavarësinë e saj. Pra, fare thjeshtë, bashkësia ndërkombëtare i ka propozuar Kosovës këtë model të pavarësisë me këto të drejta për serbet. Kosova nuk ka pasur zgjidhje tjetër veçse ti pranoj. Asociacioni sigurisht që është i tepërt, por ne kemi nënshkruar një marrëveshje për themelimin e tij. Gjetja e një zgjidhje për ti ikur këtij obligimi ndërkombëtar nuk është e lehtë”, u shpreh ai.

Më tej, Gruda përmend dy marrëveshjet e nënshkruara për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe se ratifikimi i të dy marrëveshjeve obligon Kosovën që të themeloj Asociacionit, kjo sepse Kosova bënë pjesë në sistemet kushtetuese evropiane.

“Nga ana tjetër, Kosova duhet të angazhohet për të drejtët e shqiptareve në Presheve, Medvegjë dhe Bujanoc, por e ka të pamundur të imponoj reciprocitet. Do të ishte krejt iluzion që të mendohet se kjo gjë është e mundur. Duhet të jemi realist me vetveten dhe të mos ushqejmë pritje që janë jashtë realitetit dhe te mundurës. Kosova ka nënshkruar dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një në vitin 2013 dhe një në vitin 2015. E para është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e votave, e dyta, ndërkaq, nuk ka pas nevojë të ratifikohet në kuvend sepse ka qenë vetëm operacionalizim i dispozitave të marrëveshjes së parë. Me ratifikimin e Marrëveshjes së vitit 2013, Kosova pranoi si obligim ndërkombëtar dhe kushtetues themelimin e Asociacionit. Kjo është kështu për shkak se Kosova bën pjesë në mesin e sistemeve kushtetuese evropiane që marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara i ka njohur fuqinë juridike mbi ligjin e zakonshëm dhe nën dispozitat kushtetuese”, thotë Gruda.

Profesori sugjeron që Asociacioni të themelohet në përputhje me dy marrëveshjet e Brukselit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kur të arrihet marrëveshja finale për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në këtë kushte, ka pak gjasa që Kosova të mund t'i ikë obligimit për themelimin e Asociacionit. Megjithatë, në rrafshin politik, Kosova ka shumë arsye për të mos e themeluar atë asociacion, të paktën deri sa Serbia e kërcënon Kosovën me luftë ose deri në marrëveshjen finale për njohjen të ndërsjellë. Pra, unë sugjeroj që qëndrimi i Kosovën në këtë temë të jetë: Asociacioni do të themelohet në përputhje me dy marrëveshjet e Brukselit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kur të arrihet marrëveshja finale për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Gruda për “Bota sot”.

Burjani: Kosova nuk pranon formimin e Asosacionit

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se Asociacioni është problem që do të paraqitet edhe në të ardhmen.

Kosova nuk e pranon këtë gjë ndërsa Serbia këmbëngulë dhe kjo natyrisht që do të vazhdojë të mbetet një problem mes dy vendeve.

“Kjo është e qartë, asociacioni është problem i cili në të ardhmen nxitë çështje tjera politike, ndarje, kantonizim, gjithçka që asgjë nuk është e ruajtje të Kosovës si shtet unitar. Pra ky është një dështim i shtetit të Kosovës. Kjo është e papranueshme e rrezikshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj si shtet unitar”, thekson juristi.

Në fund, juristi thotë se deri më tani ka pasur iniciativa të shumta për tu formuar Asociacioni mirëpo që Kosova vazhdon ta sheh të dëmshme për vendin dhe natyrisht të papranueshme.

“Deri tash ka pasur indikacione të kësaj natyre madje edhe interesim sa që me çdo kusht të formohet Asociacioni. BE e kërkojnë po ashtu SHBA, tash ata thonë pa kompetenca ekzekutive, por këtë se do Serbia, pra mbetet problemi i hapur pasi Kosova nuk e pranon”, përfundon Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat