“Vuçiqit t’i ndalohet hyrja në Amerikë”

Politika

“Vuçiqit t’i ndalohet hyrja në Amerikë”

Nga: A.SH Më: 7 nëntor 2021 Në ora: 22:07
Aleksander Vuçiq

Një grup i kongresistëve amerikanë kanë kërkuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, t’u vihen sanksione atyre që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe kanë akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për thellim të korrupsionit dhe presion ndaj mediave.

Ndër tjera në letrën drejtuar Bidenit, ata shprehen se janë të shqetësuar për situatën politike në Serbi dhe ndikimin që një situatë e tillë mund të ketë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.

Lidhur me këtë analisti Skënder Mulliqi, ka thënë se regjimi i Beogradit të sotëm është pothuajse i njëjtë me atë të viteve të 90-ta, kur në krye të shtetit serb, ishte Millosheviçi.

“Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ishte në partinë radikale të Sheshelit, ishte shef i informacionit në kohën e Millosheviqit. Nga kjo shihet se bëhet fjalë për një njeri të cilit nuk i ka mbetur së pari te paqja në Ballkan, dhe as në konsolidimin e mardhënieve me Kosovën si fqinjë që janë. Regjimi i Beogradit të sotëm është pothuajse i njëjtë me atë të viteve të 90-ta, kur në krye të shtetit serb, ishte Millosheviqi. Edhe ai, edhe Vuçiqi kane ardhur në pushtet përmes metodës së populizmit”, ka thënë ai.

Sipas tij, Vuçiqi si gjithë pushtetet e deritashme po e përdor nacionalizmin serbomadh, duke provokuar një luftë të re ballkanike, por që Amerika dhe NATO, nuk e kanë lejuar ndryshimin e kufijve në Ballkan me rastin e shpërbërjes me dhunë të ish-Jugosllavisë nga Millosheviçi, e sigurisht se nuk do të lejojnë as tash.

“Ballkani dhe bota demokratike është vu në siklet nga regjimi i pareformuar në Serbi, i cili po shkakton kriza përmes kërcnimeve me luftë në Bosnje, Mal të Zi dhe në Kosovë. Natyrisht se tash mund të vijmë edhe të pyetja e parashtruar , se Vuçiqi ka ngulfatur gjithçka që është pozitive në Serbi. Në planin e brendshëm po vlon situata nga gjendja e keqe ekonomike në këtë shtet dhe natyrisht se Kosova është mbulesa më e mirë për pushtetin autokratik të Vuçiqit. Ai është një mafioz e kriminel , i cili vetëm po i rrit tensionet politike mbrenda dhe jashtë Serbisë. Vuçiqi si gjithë pushtetet e deritashme po e përdor nacionalizmin serbomadh, duke provokuar një luftë të re ballkanike. Ky agresivitet i tij lidhet edhe me zgjedhjet që i kemi në këtë shtet në muajin prill të vitit që po vjen. Vuçiqi ka vu kontroll të fortë mbi mediet, pastaj, ka legalizuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Të gjitha këto po kërkon t`i mbulojë me prodhimin e krizave të jashtme, që t’i sigurojë vetes pushtet sa më të gjatë. Duke shikuar këtë gjë, por edhe krizën me luftë që po prodhon Vuçiqi së bashku më rusët në veri të Kosovës, grupi i kongresistëve amerikanë si, Ragja Krishnamort, Riqi Tores, Dejvid Sislin, Jan Shakovski, Gjejms Mekgavern, Gjim Kosta, Majk Gigli, kanë kërkuar nga presidenti Biden, përmes një letre, që t’i vihen sanksione Serbisë, dhe Vuçiqit t’i ndalohet hyrja në Amerikë, sepse po rrezikon popullin e vet, dhe po rrezikon edhe paqen në Ballkanin Perëndimor. Amerika dhe NATO, nuk e kanë lejuar ndryshimin e kufijve në Ballkan me rastin e shpërbërjes me dhunë të ish-Jugosllavisë nga Millosheviqi, e sigurisht se nuk do të lejojnë as tash”, shpjegon tutje analisti.

Ai thotë që kërcënimet dhe propagandat ruse-serbe kanë bërë që Amerika të përqëndrojë më shumë vëmendjen në Ballkanin Perëndimor.

“Propaganda ruso-serbe dhe kërcinimet e tyre me luftë të re në Bosnje dhe në Kosovë, kanë bërë që Amerika të përqëndrojë më shumë vëmendjen në Ballkanin Perëndimor. Serbia është duke kërkuar që të formohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive, të cilën gjë nuk është duke e pranuar pala e Kosovës, në krye me Kurtin”, shprehet ai.

Në fund ai deklaron se, se Serbia nuk njeh gjuhë diplomatike, ajo njeh vetëm gjuhën e forcës për t’u zbrapsur nga apetitet e saj hegjemoniste në rajon.

Madje, ai shton se Serbisë do t’i jepet porosi e qartë nga Senati dhe nga presidenti Biden, që sa më parë të ulen tensionet politike dhe kërcinimet për një luftë të re, nëse është nevoja do t’i vihen edhe sanksione shumë të rrepta.

“Serbia bëhet sikur ka harruar që me forcë e kanë ulur në bisht Millosheviçin, dhe këtë gjë Amerika dhe NATO, do të bëjnë edhe tash nëse paraqitet nevoja. Nuk do të lejojnë që t’u rrezikohen interesat strategjike nga Rusia dhe Serbia, dhe investimet e tyre të mëdha që i kanë bërë në Ballkan. Se Serbia nuk njeh gjuhë diplomatike, këtë e ka vërtetuar koha. Ajo njeh vetëm gjuhën e forcës për t’u zbrapsur nga apetitet e saj hegjemoniste në rajon. Vuçiqit sidomos pak kësaj letre mendoj unë, do t’i jepet porosi e qartë nga Senati dhe nga presidenti Biden, që sa më parë të ulen tensionet politike dhe kërcinimet për një luftë të re. Por, nëse është nevoja do t’i vihen edhe sanksione shumë të rrepta. Duket se veq është duke fituar përkrahje ndërkombëtare opozita serbe, që në zgjedhjet që do të vijnë mos të jetë më në krye të shtetit serb, ultrancionalisiti i Sheshlit, Aleksander Vuçiq. Faktorit politik shqiptar i kërkohet vigjelencë dhe unitet i madh, sepse dy shtetet tona mund të vihen në rrezik, bashkë me trojet tjera etnike nga kërcënimet që po vijnë për luftë nga Rusia dhe Serbia. Serbia nuk është për paqe me Kosovën dhe nuk është as për integrime rajonale si “Open Ballkan”, por është duke e kamufluar këtë nismë për hegjemoninë ndaj tokave shqiptare”, përfundon analisti Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat