Policia e Kosovës nuk garanton lirimin e të akuzuarëve të Hagës: Avokati Halilaj dhe kryeprokurori Smith mendojnë njësoj!

Politika

Policia e Kosovës nuk garanton lirimin e të akuzuarëve të Hagës: Avokati Halilaj dhe kryeprokurori Smith mendojnë njësoj!

Nga: N. Sh. Më: 9 nëntor 2021 Në ora: 19:32
Jack Smith dhe Gazmend Halilaj

Kryeprokurori i Speciales, Jack Smith nuk është bindur në Policinë e Kosovës.

Në një parashtresë të dërguar në gjykatë Smith ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit, duke aluduar se Policia e Kosovës nuk ka dhënë sërish garancë të mjaftueshme për lirimin e krerëve të UÇK-së.

“Garancitë e fundit të PK-së mbeten të pamjaftueshme dhe si të tilla nuk përbëjnë ndryshim të rrethanave”, ka thënë Smith në parashtresat e tij.

“Në dritën e rreziqeve të larta që ekzistojnë dhe rrethanave specifike të të akuzuarit, gjyqtari i procedurës paraprake duhet të përcaktojë se kushtet e propozuara janë të pamjaftueshme për të justifikuar lirimin dhe, edhe sikur të ishin, Kosova nuk dëshiron dhe nuk është në gjendje të t’i zbatojë ato”, ka thënë ai.

Sipas Smith, propozimi i Policisë që banesa/shtëpia e një të akuzuari të monitorohet nga një oficer dhe një kamerë, nuk përbën shmangie nga rreziku që ai pretendon.

“Së pari, përgjigjet e PK-së ndaj mbikëqyrjes së kushteve të banimit parashikojnë një përdorim të burimeve të kufizuara që nuk është qartësisht në proporcion me peshën e rreziqeve. PK-ja propozon që të ketë një oficer të vetëm që ta ruajë banesën me një kamerë të vetme në derën e përparme të banesës. dhe një të dytë jashtë ndërtesës. Perimetri i banesës nuk mund të sigurohet pa më shumë burime, duke lënë të pa monitoruara pjesë të mëdha të pronës. Në veçanti, përveç atyre pjesëve të rezidencës që një roje mund të shohë nga dera e përparme, pjesa e brendshme e pronës do të ishte e pavëzhgueshme. Kjo është në kontrast të qartë me Qendrën e Paraburgimit, e cila ka një ekip oficerësh të paraburgimit, detyrat kryesore të të cilëve përfshijnë ruajtjen e një mjedisi të sigurt paraburgimi”, thuhet tutje në parashtresën e Smith.

Sipas tij, Kosova ende nuk ka ofruar garanci adekuate për të zbutur rreziqet serioze të paraqitura nga të Akuzuarit.

“Këto dështime të vazhdueshme paraqesin një paaftësi të thjeshtë për të zbatuar masa të mjaftueshme”, ka thënë Smith.

E këto konstatime të Smithit i ka komentuar ish-ushtari i UÇK-së, tani avokat Gazmend Halilaj.

Ai këto konstime i sheh si reale.

“Konstatimet e kryeprokurorit amerikan Jeck Smith, lidhur me mosbindjen që Policia e Kosovës është e gatshme të bëjë monitorimin e suksesshëm të të akuzuarëve në Hagë, në rast që këta të fundit të lirohen me kusht, konsideroj që është mjaft real. Fare nuk e kontestojmë faktin që të njëjtit janë të përgatitur a jo, sepse Policia ka arritur një nivel të lartë të profesionalizmit, por dyshimi është direkt i të akuzuarve tek eprorët e lartë të saj”, thotë Halilaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, vet fakti që të gjithë ish-drejtorët e përgjithshëm të Policisë, që kanë dal nga Policia menjëherë janë kyçur tek një subjekt i caktuar politik dhe i kanë hyrë garës për deputet.

“Kjo do të thotë se ekziston dyshimi i bazuar mirë që të njëjtit janë ngritur në pozitë nga politika, i kanë shërbyer politikës dhe në fund janë kthyer në politikë, gjegjësishtë tek të akuzuarit që aso kohe ishin kryetar të shtetit. Për më tepër kemi përfshirje të lartë të zyrtarëve policor në krim të organiuar, siç ishte rasti tek arrestimi i dhjetëra policëve për kontrabandë në pjesën veriore, Kamenicë, si dhe dekonspirimi i operacionit të muajit tetor në pjesën veriore në raport me peshqit e mdhenjë të kontrabandës etj. ku të gjitha këto e bëjnë të arsyeshmë konstatimin e kryeprokurorit amerikan që tani për tani ndikimi tek policia sidomos tek niveli i menaxhimit të lartë është lehtë i qasshëm”, potencon tutje avokati.

Avokati përmend edhe një intervistë dhënë një javë më parë në “Bota sot”, ku shprehet se ashtu siç ka theksuar aty, ka vlerësuar edhe kryeprokurori Smith, dhe nuk ka përgjigje tjetër, pos të mbështet fuqishëm atë që e ka deklaruar atëherë dhe tani.

“Mos të harrojmë se në institucionin e Policisë ka numër të mjaftueshëm të policëve dhe policeve jashtëzakonisht të përgjegjshëm profesional dhe korrekt, të cilët i shërbejnë vetëm kushtetutës dhe ligjit, por të njëjtit vazhdojnë të përbuzen dhe mbeten anash nga menaxhimi i tyre, sepse për asnjë pozitë apo çmim nuk pranojnë të shkelin betimin e dhënë”, përfundon Gazmend Halilaj.

Kujtojmë se Gjyqtari i Procedurës Paraprake kishte urdhëruar Policinë e Kosovës që të dërgojë garancë të detajuar për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo garancë, e cila ka mbërritur para pak ditësh do të shqyrtohet sërish nga gjyqtari i Procedurës Paraprake teksa së shpejti pritet edhe një vendim për lirimin ose jo të krerëve të UÇK-së nga paraburgimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat