SHIK-u në duart e Gjykatës Speciale!

Politika

SHIK-u në duart e Gjykatës Speciale!

Nga: P.R Më: 10 nëntor 2021 Në ora: 19:43
Kadri Veseli

Ish kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli, tashmë një vit po qëndron i paraburgosur në Hagë, ku nga Gjykata Speciale nder tjerash akuzohet edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, anëtarë të LDK-së.

Por kohë më parë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se kur Vetëvendosje do të vije në pushtet, VV do të organizojë edhe hetimin e organizatës ilegale SHIK si dhe rrjetin e veprimtarisë së saj.

“Kur të vijmë në qeverisje do të organizojmë hetimin e organizatës ilegale SHIK si dhe rrjetin e veprimtarisë së saj. Do ta hetojmë SHIK-un dhe dosjet që kanë pasur dhe të gjitha gjetjet do t’i dorëzohen prokurorisë”, kishte thënë Albulena Haxhiu.

Por kur kanë kaluar gati një vit që kur Vetëvendosje erdhi në pushtet për herë të dytë, kjo parti nuk ka marr ende iniciativën për hetimin e SHIK-ut.

E këtë mos veprim të VV-së po e kritikon ashpër ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj.

Image
Saim Tahiraj

“Deklarata e ministres së drejtësisë Albulena Haxhiut që kishte dhënë sa ishte në opozitë se: VV-ja posa të marrim pushtetin do e hetojmë SHIK-un, është e ngjashme me deklaratat tjera të liderit te VV-së dhe bashkëpunëtorëve të tije. Të gjitha ato deklarata, të mbushura me premtime dhe zotime, nuk ishin asgjë tjetër vetëm demagogji dhe mashtrime të paskrupullta për të ardhur në pushtet. Fatkeqësisht përmes kësaj rruge të ndyrë arritën ta bindin popullin se i vetmi "shpëtim" ishin ata, dhe se sot i kemi në krye të shtetit! Në tërë këtë dramë tragjike ndodhi një e mirë, për vetëm disa muaj ju qjerren maskat dhe doli në pah fytyra e tyre e vërtetë, mashtrues dhe vetëm mashtrues”, thotë Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

Ai e quan këtë mashtrimin më të madh të Vetëvendosjes.

“Premtimet dhe pritjet se do filloj hetimi i SHIK-ut ishte dhe mbeti mashtrimi më i madh në radhën e mashtrimeve të shumta. Ata/ato që besuan këtë ishin naivët më të mëdhenj! Si mundë të hetohet SHIK-u nga një organizatë politike që e formoj vet SHIK-u. Partitë politike që u formuan pas lufte si; PDK,AAK dhe VV u themeluan nga SHIK-u”, shprehet Tahiraj.

Ai shton se qëllimi kryesor ishte shkatërrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Qëllimi kryesor i tyre ishte shkatërrimi dhe eliminimi i LDK-së nga skena politike e Kosovës dhe marrja me çdo kusht e pushtetit! Po ta shikojmë dhe analizojmë mirë strukturën organizative, do bindemi se skeletin dhe trurin e VV-së e përbën SHIK-u. Kjo është karta e fundit, e papërdorur gjerë më këtë vit në pushtet, që SHIK-u e përdori VV-në për ti realizuar qëllimet e veta. Qëllimi kryesorë i SHIK-ut është që përmes pushtetit të VV-së ta destabilizimi i situatës në Kosovë. Këtë po përpiqet ta arrinë përmes skenarëve të ndryshëm, siç ishte skenari në Mitrovicë, ku si qëllim final ka pengimin e Gjykatës Speciale dhe defuksionalizimin e saj”, thekson Tahiraj.

Për fund, Tahiraj deklaron se e vetmja shpresë për hetimin e SHIK-ut, është Gjykata Speciale.

“Është absurditet i llojit të vet të pritet, se do hetohet SHIK-u nga ky pushtet i VV-së e cila organizohet dhe drejtohet nga vet SHIK-u. Të gjithë ata/ato që kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në këtë ëndërr, duhet të zgjohen dhe ta shikojnë realitetin në sy. SHIK-u është vet VV-ja. E vetmja shpresë që ka mbetur për ne, se do e hetoj SHIK-un, ka mbetur Gjykata Speciale. Urojmë që kjo gjykatë t’i përmbushë pritjet tona dhe mos të bjerë pre e presioneve, shantazheve dhe veprimeve korruptive. Po e themi këtë sepse kemi një histori të hidhur me UNMIK dhe EULEX”, përfundon për gazetën “Bota sot” ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat