Qeveria t’i shpartallojë grupet kriminale në veri, të lidhura me politikën

Politika

Qeveria t’i shpartallojë grupet kriminale në veri, të lidhura me politikën

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 nëntor 2021 Në ora: 09:49
Veriu i Mitrovicës

Streha e kriminelëve në vitet e fundit po del të jetë pikërisht Veriu i Kosovës, ku të cilët vazhdimisht me veprat e tyre kanë sfiduar shtetin e Kosovës, shkruan “Bota sot”. Sipas një hulumtimi të fundit që ka në shënjestër veriun e vendit tonë, u shfaqën përpjekjet e sistemit të drejtësisë për t’i dënuar kontrabandistët, e që janë pa rezultat. 

Gjithashtu tregohet fakti se të gjithë të arrestuarit dhe të shpallurit në kërkim në aksionin e 13 tetorit për krim të organizuar dhe kontrabandë janë recidivistë.  Për dhjetë vjet ndaj tyre institucionet ligj zbatuese kanë shqiptuar gjoba në rastet kur janë zënë nën vlerën prej 5 mijë euro, e në rastet kur janë zënë me mall mbi këtë vlerë, i kanë rënduar me kallëzim penal. 

Bashkëpunimi i shqiptarëve me serbët në veri të vendit, është bërë sfidë në vete për institucionet tash e 21 vjet.  Në periudhën 2017 deri në tetor 2021, dogana ka arritur që vetëm në regjionin e Mitrovicës të zbulojë 263 raste të kontrabandimit duke sekuestruar mall në vlerë të 480 mijë eurove.  Derisa pranë Prokurorisë Themelore në Mitrovicë janë dorëzuar 95 kallëzime për vlera malli prej 324,373 mijë euro. Këto kallëzime penale nuk janë për 95 njerëz, por shumica janë për të njëjtit. 

Duket se tashmë ata e kanë gjetur formulën dhe e dinë që edhe po i zuri policia – disi, diku, në një hallkë të shtetit, do ta gjejnë mundësinë të lirohen.  Prapa këtyre lidhjeve të shqiptarëve dhe serbëve në krimin e organizuar, dyshohet të jenë të përfshirë edhe politikanë të ndryshëm, madje besohet se zinxhiri komandues del ose ishte deri në nivelin e lartë politik. 

Analistët komentuan përfshirjen e politikës në krimin në veri dhe dëmin që ia bëjnë shtetit dhe shoqërisë sonë. 

Qarri: Grupet kriminale serbe në veri të Kosovës paraqesin rrezik të madh për tërësinë territoriale të vendit! 

Image
Gani Qarri

E lidhur me këtë në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri.  Ai vlerëson se lidhjet e krimit të organizuar shqiptaro-serb në veri, nuk janë më lidhje vetëm me njerëz të thjeshtë, por edhe të krerëve të politikës. 

“Mjerisht, siç është dëshmuar tanimë, qe sa kohë, edhe me fakte konkrete, lidhjet e krimit të organizuar shqiptaro-serb në veri, nuk janë më, lidhje vetëm me njerëz të thjeshtë, por koketim i hapur i vet krerëve të politikës së inkriminuar shqipfolëse me grupet kriminale serbe në veri për interesa jo thjeshtë vetëm financiare e mafioze, por edhe manipulime politike deri në tradhti, për ndarjen dhe shitjen e veriut të vendit tonë Serbisë okupatore”, deklaroi Qarri. 

Ai thotë se grupet kriminale serbe në veri të vendit tonë po drejtohen nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.  Krahas kësaj, ai përmendi edhe emra të ish-udhëheqësve të Kosovës, të cilët vlerëson ai se janë të përfshirë në këto raste. 

“Madje duke pasur parasysh faktin se grupet kriminale serbe që veprojnë në mënyrë të organizuar në veri, janë nën dirigjimin e drejtpërdrejtë të Aleksandër Vuçiqit dhe shërbimit sekret të Serbisë BIA, vet kjo interferon kapjen direkte të politikanëve të inkriminuar shqiptar deri te kryetarët e partive politike dhe ish udhëheqësit më të lartë shtetëror të Kosovës, që nga Hashim Thaçi, e deri te Ramush Haradinaj & Co të cilët përveç bizneseve mafioze, bëjnë edhe pazare politike, mbi dakordancën për vizatimin e kufijve të rinj, faljen e veriut dhe ndarjen e Kosovës”, theksoi ai. 

Tutje, Qarri potencoi se Zvonko Veselinoviqi dhe Milan Radoiqiqi janë prijësit mafioz të grupeve kriminale në veri.

Ai thotë se kjo gjë paraqet rrezik të madh, jo vetëm për tërësinë territoriale të vendit, por edhe për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe vazhdimësinë e shtetësisë së Republikës së Kosovës.

“Për aq më tepër prijësit mafioz të grupeve kriminale serbe në veri, si ZvonkoVeselinoviqi dhe MilanRadoiqiqi shërbejnë edhe si postier besnik të Aleksandër Vuçiqit për përcjelljen e porosive sekrete të tij, politikanëve të shantazhuar shqiptar në Prishtinë si Thaçi dhe Haradinaj me shokë, dhe përderisa grupet kriminale serbe mbajnë lidhje direkte edhe me Thaçin e Haradinajn, madje kanë vizituar ata edhe në zyrat shtetërore të Republikës së Kosovës në Prishtinë, kjo nënkupton se politikanët e tillë janë nën kontrollin e plotë të Beogradit, gjë që paraqet rrezik të madh, jo vetëm për tërësinë territoriale të vendit, por edhe për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe vazhdimësinë e shtetësisë së Republikës së Kosovës”, nënvizoi analisti.

Ndër të tjera, ai kërkoi arrestimin e menjëhershëm të politikanëve të inkriminuar dhe të gjithë shërbëtorëve të Serbisë në Kosovë.

Qarri vlerëson se këto arrestime duhet të bëhen për tradhti të lartë ndaj vendit, shuarjen e shtetit, rrezikimin e tërësisë territoriale dhe shkatërrimin e rendit kushtetues të Kosovës.

“Prandaj për të mënjanuar rrezikun e hapur të bosnjëzimit të vendit tonë me asociacionin një etnik serb, të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, gjë që është akt i paprecedent në një shtet multietnik si Kosova, si dhe për të shpëtuar shtetin tonë të brishtë nga ndarja de-fakto, kur dihet se nga argatët e Thaçit janë dhënë shuma marramendëse parash të taksapaguesve të varfër të Kosovës për propagandimin e ndarjes edhe në botë, në mënyrë që të parandalohet ndarja dhe të shkërmoqen (shkatërrohen) përfundimisht edhe strukturat paralele serbe, politikanët e inkriminuar dhe të gjithë shërbëtorët e Serbisë në Kosovë duhet të arrestohen sa më parë dhe të vendosen urgjentisht prapa grilave, për tradhti të lartë ndaj vendit, shuarjen e shtetit, rrezikimin e tërësisë territoriale dhe përpjekjeve për shkatërrimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, përfundon Qarri për “Bota sot”.

Ahmeti: Qeveria përmes mekanizmave institucional duhet të shpartallojë grupet kriminale të lidhura me politikën

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti vlerëson se pavarësisht faktit se qëndrojnë politikanë të fuqishëm prapa krimit të organizuar, ata duhet të luftohen.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai thotë se disa politikanë kanë vepruar sikur të jenë të paprekshëm, pasi kanë qenë të amnistuar nga institucionet e drejtësisë.

“Grupet kriminale duhet të luftohen pakompromis, dhe nëse mbrapa krimit të organizuar qëndrojnë politikanë të caktuar, ata duhet të shkojnë në përgjegjësi. Politikanët e fuqishëm kanë vepruar sikur të jenë të paprekshëm, pasi kanë qenë të amnistuar nga institucionet e drejtësisë”, deklaroi Ahmeti.

Ai vlerëson se lidhja politikë-krim i jep imazh të keq shtetit dhe shoqërisë, pasi politikanët përfitojnë në emër të kriminalitetit.

Ai kërkoi nga Qeveria Kurti II që përmes mekanizmave institucional t’i shpartallojë grupet kriminale të lidhura me politikën.

“Lidhja e politikës me krimin i jep një imazh të keq shtetit, por edhe shoqërisë, pasi politikanët përmes "përfaqësimit" po zgjedhin mundësinë për të përfituar në emër të kriminalitetit. Në një shtet ligjor nuk duhet të ketë njerëz të fuqishëm, të cilët e sfidojnë drejtësinë. Prandaj, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të jetë vigjilente që përmes mekanizmave institucional t’i shpartallojë grupet kriminale të lidhura me politikën”, përmbylli bisedën Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat