Vrasja e Mustafës, deklarata e Sabahate Tolajt dhe ‘porosia e Hashim Thaçit’

Politika

Vrasja e Mustafës, deklarata e Sabahate Tolajt dhe ‘porosia e Hashim Thaçit’

Nga: A.M. Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 23:46
Xhemail Mustafa

Të martën, u bënë 21 vite nga vrasja e veprimtarit të shquar të LDK-së dhe njërit prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të gazetës “Bota sot”, Xhemail Mustafa.

Publicisti Idriz Zeqiraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka risjellur në kujtesë aktin barbar që u bë ndaj Mustafës në 23 nëntorin e vitit 2000.

Zeqiraj ka thënë se ekzekutimi ishte tronditje enorme e opinionit shqiptar të kudondodhur në botë.

“Ekzekutimi zyrtar i Xhemail Mustafës, ishte tronditje enorme e opinionit shqiptar të kudondodhur në botë. Ai këshillonte, pazëshëm e urtësisht, Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova. Dhe, kemi mësuar nga njerëzit e Dr. Rugovës se Ai e dëgjonte vëmendshëm dhe kishte besim të plotë ke Xhema i Tij”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Zeqiraj ka zbuluar edhe karakteristika të cilat mbretëronin te Mustafa.

Image
Idriz Zeqiraj

“Krejt ndryshe, nga disa përkthyes, të cilët e kanë shoqëruar në disa udhëtime, flasin në vetën e parë, "unë e bëra këtë apo atë", "ne merrnim vendime, jo Rugova"!? Dhe, disa, në gjallje të Dr. Rugovës, u hodhën në prehrin e Hashimit, përlavdëronin për vizionin e tij dhe ndoca të tjerë, pas shuarjes të Presidentit Rugova, bënë nënshkrime fatale në dëm të Kosovës, duke e ndotur edhe LDK-në, sipas skenarit të shefit Hashim!

Xhemail Mustafa dhe Sali Çekaj, ngjasonin më urtësinë e tyre, sikur të ishin vëllezër lindakë më Presidentin Rugova. Shoqëruesit e Tij, lajmëtarë të vrasjes së Enver Malokut, më parë, dhe të Xhemës, më vonë, se në të vetmet raste, kemi parë lotët në sytë e Dr. Rugovës. Nga Monte Karlo, në Konferencën në Krans Montana, ai do të shkonte për homazhe, ke varri i mikut dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Xhemës, në Gllamnik të Llapit.

Xhemail Mustafa ishte trim i urtë, njësoj si shefi i tij Rugovë, përgjatë luftës qëndroi në Prishtinë. Dëshmi e këtij qëndrimi është libri-ditar unik, "Një lutje për Prishtinën", si një kujtesë i një kohe zezonë, vlerë e veçantë e publicistikës shqiptare kombëtare”, ka vlerësuar Zeqiraj.

Më tej, ai ka përmendur edhe pamjet që bënë xhiro nëpër mediat botërore gjatë homazhit familjar.

“Vrasja e trishtë e Xhemail Mustafës, homazhi familjar pranë ark-mortit, shënon dhimbjen skajore e kulmore, sidomos të vajzës së tij të shumëdashur, Beriane. Shpërthim vaji e xhëmë, të fiksuara në foto-kamerë të zëshme, të papërmbajtshme, bëri xhiron e botës, në mediat e shkruara dhe vizive, anekënd botës. Motër e vëlla, Beriana dhe Basiani, që janë "na bëjë baba të të ngjajmë", janë ngushëllim i madh për shqiptarët. Dhe, ky është mallkimi më domethënës, për SHTAB-istët banditë e rrugaçë”, ka theksuar Zeqiraj.

Ndërkaq, ai ka zbuluar se çfarë i kishte thënë pjesëtarja e Shërbimit Policor të Kosovës, Sebahate Tolaj në Koshare.

“Ekzekutimi i Xhemail Mustafës është bërë, në kohën kur UNMIK-u kishte përgjegjësinë kryesore për sigurinë. Dosjet i ka të gatshme, edhe për shumë vrasje tjera. Shefja ime, për Logjistikën Emergjente të Luftës, Sabahate Tolaj, në Hetuesinë Speciale të Pejës, në prillin e 2003, në Koshare, më ka thënë: "Gati në përfundim të një dosje, e bollshme me fakte për arrestim të kriminelëve, UNMIK-u na e merr nga dora, duke thënë vazhdoni me dosjen tjetër të re. Dhe, megjithatë, askush nuk arrestohet!?", ka thënë ai.

Gjithashtu, Zeqiraj ka shpresë së Gjykata Speciale do të bëjë hetime për zbulimin e vrasjes së Mustafës, si dhe vrasjeve të tjera.

“Porositësit, jo vetëm që nuk janë prangosur, por vazhdojnë të jenë të fortë, në shtet e pushtet dhe parti politike. Në këto krime janë përfshirë komandantë të UÇK-së, të cilët me bërrylime u bënë personalitete shtetërore e pushtetare. Dhe, kjo përbën atë "Thembrën e Akilit", që kriminelët livadhisin, "me krime nëpër këmbë!"

Megjithatë, Gjykata Speciale është një shpresë, për një hetim e zbulim të vrasjes zyrtare të Xhemail Mustafës dhe të viktimave të tjera politike. Sepse ajo do të ishte zgjidhje zinxhirore, edhe për serinë e vrasjeve tjera, përfshirë edhe gazetarët brilantë dhe të guximshëm, të gazetës kombëtare "Bota sot", Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti, me shokë. Dihet, koka e krimit janë krerët politikë të LPK-së, të futur në ingranazhin e Sigurimit Shqiptar, përmes tij, të lidhur me Shërbimet Informative, të shteteve armike të Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Më tej, Zeqiraj ka përmendur edhe prosinë e  ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

 “Në mesin e spekulimeve, për vrasjen e Xhemajl Mustafës, ka edhe të vërteta të mjaftueshme, që do të shërbenin për hetim, deri në zbulim të krimit në fjalë dhe të krimeve tjera numerike. Asnjë krim, qoftë vrastar politik, ordiner apo ekonomik, nuk është bërë, pa qenë pjesë e krimit edhe pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe të Policisë të Kosovës (PK). Kjo është dëshmuar në të gjitha gjyqet, përgjatë këtyre dy dekadave të pas luftës. Disa "komandantë" banditë, të zhytur në krime, nxituan për t`i punësuar bandat e tyre në TMK dhe PK, për t`i përdorur, edhe zyrtarisht, në krimet e ndryshme!

Edhe "vdekja" e befasishme, në Badovc, të një eksponenti të policisë, vitin e shkuar, është tejet domethënëse! Edhe ish-kuadri i dikurshëm qeveritar, më vonë deputet, është përfolje e hershme, madje e përsëritur, nga më shumë se një burim. Porosia e Hashimit, e dhënë shokëve që "të mbrohen në heshtje", është një pranim faktik i fajësisë. Rumunët kanë një urtësi: "Ai që gënjen, duhet të këtë memorie të fortë, përndryshe gënjeshtra të tradhton, të zbulon!", ka deklaruar ai

Po ashtu, Zeqiraj shprehet se janë përfolur njerëz e armë të njëjta, të përdorura edhe në vrasjet e plagosjet tjera, si: Enver Malokun, Ekrem Rexhën, Fetah Rudin.

“Vërtet, kanë kaluar tej dy dekadave dhe krimi, edhe nëse është hetuar e zbuluar, ende nuk është ndëshkuar! Vëllezërit tanë jugorë, e kanë një shprehje: "Ku ka zë, nuk është pa gjë!" Realisht, janë përfolur njerëz e armë të njëjta, të përdorura edhe në vrasjet e plagosjet tjera, si: Enver Malokun, Ekrem Rexhën, Fetah Rudin, që vërteton konstatimin e Prokurorit amerikan, të Gjykatës Speciale, Jack Smith, se prapa vrasjeve politike, qëndron detashmenti i kuq, me bërthamë LPK-në, të organizuar në një - Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët, tipike e modelit të diktatorit terrorist shqiptar, Enver Hoxha, i cili, duke shkelur mbi kufomat e atdhetarëve nacionalistë shqiptarë, grabiti pushtetin dhe sundoi Shqipërinë, me dajak e plumb, për afro pesë dekada radhazi.

“Sigurimsat e Enverit, të instaluar në hotelet e Kosovës, instruktonin bandat e SHIK-ut, sipas listave të zeza emërore të SHTAB-it, për atentatimin e ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut; bashkëpunëtorët e Presidentit Rugova; aktivistët e LDK-së; si dhe kuadrot e hershme të LPK-së, që i konsideronin si rivalë potencialë, në të ardhmen e afërt! ”, ka nënvizuar ai.

Sipas tij, për të mbuluar gjurmët e vrasjeve të veprimtarëve politikë janë vrarë edhe  ekzekutorët.

 “Vrasjet zinxhir, tipike mafioze, për të humbur gjurmët e krimit, ata që i porosisnin vrasjet politike, i kanë vrarë edhe ekzekutorët. Rasti ekstrem është vrasja e trefishtë, e atyre që e plagosën kuadrin e LDK-së, mikun e Dr. Rugovës, Fetah Rudin. Dhe, ndonëse u fiksua makina e kuqe e atentatorëve, në ikje e sipër, shefi i tyre porositës, kishte menduar edhe vdekjen e tyre. Dhe, në itenerarin ikës, i priste një makinë vetë-shkarkuese, "kiper", e cila i aksidentoi për vdekje. Për çudi, jo vetëm që u zhdukë shoferi, por as kamioni mbytës, i treshës kriminale, nuk është gjendur më! Krejt, si në filmat horror!”, ka përfunduar Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat