Kosova mish për top /“Ballkani i Hapur” nuk ka sukses pa Kosovën – ja arsyet pse Rama dhe Vuçiqi e duan këtë projekt

Politika

Kosova mish për top /“Ballkani i Hapur” nuk ka sukses pa Kosovën – ja arsyet pse Rama dhe Vuçiqi e duan këtë projekt

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 nëntor 2021 Në ora: 08:01
Aleksandar Vuçiq, Albin Kurti dhe Edi Rama; foto ilustrim nga "Bota sot"

Të dy janë udhëheqës shteti, por të kundërt në ide dhe mendime, e me përplot përplasje për zhvillimin e Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta, dje ishin në kundërshtim me njëri tjetrin.

Derisa Meta gjendej në Kosovë dhe u shpreh kundër “Ballkanit të hapur”, në anën tjetër Rama në Serbi po zhvillonte takim për këtë projekt.

Sipas presidentit Meta, kjo nismë ka për qëllim ta rivalizojë procesin e Berlinit dhe e ringjallë fantazmën e Milosheviqit.

“Rezerva e parë që kam për “Open Balkan” është parimore. Bashkimi nuk mund të ofrohet përmes politikës përjashtuese. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të kemi në konsideratë parimet që garantojnë bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Rezerva e dytë lidhet me përpjekjet për të rivalizuar procesin e Berlinit. “Ballkani i hapur” e parcializon bashkëpunim vetëm në tre vende dhe duket sikur i jepet Serbisë kundrejt një sjellje më të balancuar në rajon. Si mundet t’u besojmë qëllimeve të mira kur ringjallet fantazma e Millosheviç”, ka thënë presidenti Meta.

Por, sipas Ramës, në këtë projekt duhet të bashkohen të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos Kosova.

Kjo e fundit vazhdon të jetë kundër “Ballkanit të Hapur”, derisa nuk dëshiron që të bashkohet në këtë nismë.

E derisa Meta është në të njëjtën linjë me Kosovën për këtë projekt, nuk dihet pse Rama këmbëngulë që Kosova t’i bashkohet atij.

Abazi: Kosova po përdoret “mish për top”, “Ballkani i hapur” nuk e fuqizon faktorin shqiptar

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.

Ai ka thënë se si shqiptarë jemi në një situatë të pafavorshme dhe se përmes agjendës së Serbisë dhe Vuçiqit po tentohet të dilet kundër procesit të Berlinit.

Image
Haki Abazi

“Si shqiptarë jemi në një situatë mjaft jo të favorshme. Përderisa ka zhvillime dinamike gjithandej rajonit dhe potenca e zgjerimit në BE ka hyrë në fazë të paqartë, shqiptarët dhe lidershipi i tyre është i pakoordinuar për të mos thënë në përplasje të vazhdueshme. Kjo nuk është e mirë sidomos për shkak se ka një dritare të jashtëzakonshme që shqiptarët të jenë faktorët dominantë në Ballkan dhe që ky potencial në mungesë të vizionit dhe vullnetit politik nga ana e lidershipit shqiptar po subordinohet një agjendë e Serbisë dhe Vuçiqit për procese alternative diametralisht të kundërta prej “Procesit të Berlinit”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, kancelarja Merkel gjatë vizitës në Tiranë u shpreh kundër “Ballkanit të Hapur” dhe kështu platformat tjera janë kundër Gjermanisë se si duhet të ecë përpara rajonit.

“Gjatë vizitës së fundit në Tiranë, kancelarja Merkel e tha hapur dhe qartë se Procesi i Berlinit është e vetmja platformë rajonale që është në sinkron me procesin e integrimit Evropian të Ballkanit. Atëherë i bie që ka interesa të tjera dhe arsye për devijim apo krijim të platformave tjera, të cilat as nuk janë diskutuar e as nuk janë sqaruar, por edhe e kundërshtojnë qëndrimin e kancelares Merkel dhe përcaktimit të Gjermanisë se si duhet të ecë rajoni përpara, për të arritur në pikën e integrimit. Për të satën herë rajoni po vihet në test pa ndonjë qartësi dhe Serbia po e përdor këtë për të konsoliduar radhët e saj për një tentim për vazhdim të dominimit në Ballkan”, ka theksuar deputeti.

Kjo nuk i ndihmon aspak fuqizimit të faktorit shqiptar në Ballkan

Duket mos dashur të komentojë deklaratat e Ramës dhe Metës, Abazi ka thënë se në linjat e interesit kombëtar, Kosova po përdoret si “mish për top” dhe kjo nuk e fuqizon faktorin shqiptar në Ballkan.

“Nuk do të doja të bisedoj për motivet e Ramës apo Metës meqë ato janë pozicione që mbajnë ata, por në linjat e interesit kombëtar duket qartë që Kosova po përdoret si “mish për top” dhe kjo nuk i ndihmon aspak fuqizimit të faktorit shqiptar në Ballkan dhe në afatgjatë, as edhe vetë politikanëve”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Më tej, ai ka shtuar se ideja e “Ballkanit të hapur” është jetëshkurtër derisa përmes tij Serbia dëshiron të kontrollojë dhe të dominojë në shtetet përreth dhe është zbatim i objektivave dhe qëllimeve të Millosheviqit.

“Është jetëshkurtër ideja e “Ballkanit të hapur” kur jeton në anën abstrakte të zhvillimeve politike. Serbia promovon “Ballkanin e hapur” përderisa deklarohet kundër pavarësisë së Kosovës dhe në anën tjetër inkurajon e mbështetë Dodik në veprimet e tij për të sfiduar rregullimin territorial dhe integritetin e Bosnje Hercegovinës. “Ballkani i hapur” në idenë e Serbisë është që të jetë i hapur që Serbia të kontrollojë dhe dominojë të gjitha shtetet përreth. Një “Ballkan i hapur” i llojit të tillë me një dominancë ekonomike të Serbisë në gjithë rajonin do të thotë pranim dhe zbatim i objektivave dhe qëllimeve të Millosheviqit, tani vetëm mjetet kanë ndryshuar. Nevojitet një angazhim i ri i diskutimeve gjithëpërfshirëse dhe ndërtim i urave të mirëbesimit së paku për çështjet nacionale në nivel të lidershipit politik, por jo vetëm”, ka deklaruar deputeti Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

Shahu: “Ballkani i hapur” nuk mund të jetë i suksesshëm pa Kosovën

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë se presidenti pavarësisht kundërshtisë ndaj kryeministrit, nuk ka gjë në dorë për të vendosur për këtë çështje.

Image
Rexhep Shahu

“Në vijim të përplasjeve mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta në Tiranë, vjen përplasja edhe për pozicionimin ndaj idesë e projektit që u shërben më së shumti serbëve, i quajtur “Ballkan i hapur”. Nuk është se presidenti i Shqipërisë ka ndonjë gjë në dorë për të vendosur dhe për të rrëzuar vendimet apo aktet e kryeministrit të vendit pasi Presidenti ka pak kompetenca, ndërsa kryeministri është njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri”, ka thënë ai.

Duke folur për “Bota sot”, Shahu vlerëson se qëndrimi i Metës e përçan më shumë politikën dhe e lëkund qëndrimin e Shqipërisë e praninë e saj në këtë projekt që është në favor të Serbisë, derisa përçarjen e politikës në Tiranë e quan të dhimbshme.

“Por, qëndrimi i presidentit Meta kundër projektit “Ballkani i hapur” flet shumë si qëndrim dhe mosdakortësia e tij e përçan më shumë politikën dhe e lëkund qëndrimin e Shqipërisë e praninë e saj në këtë projekt. Kjo do të thotë se palët në Shqipëri janë kundër njëra-tjetrës edhe për këtë çështje pasi “Ballkani i hapur” i jep më shumë favore Serbisë dhe më pak favore Shqipërisë. Përçarja e politikës në Tiranë është e dhimbshme se ndërsa njëri i bie thumbit, tjetri i bie patkoit. Presidenti del kundër “Ballkanit të hapur”, kryeministri merr pjesë në mbledhje pro “Ballkanit të hapur” dhe e fton Kosovën të bëhet me “Ballkanin e hapur””, thekson ai.

Sipas tij, “Ballkani i hapur” nuk mund të jetë i suksesshëm pa Kosovën pasi të gjitha rrugës kryqëzohen në Kosovë, edhe rruga e Serbisë drejt Evropës edhe e Tiranës.

“Nuk mund të jetë i suksesshëm “Ballkani i hapur” pa Kosovën sepse tashmë po e kuptojnë të gjithë se zëmreku i çështjeve në Ballkan është Kosova. Pa Kosovën nuk ka Ballkan të suksesshëm të hapur e as të mbyllur, sepse të gjitha rrugët kryqëzohen në Kosovë, edhe rruga e Serbisë drejt Evropës kalon nga Prishtina, por duket se edhe Tirana e ka rrugën nëpër Prishtinë për të shkuar në Evropë. Ndaj e duan Kosovën në “Ballkanin e hapur” Edi Rama me të tjerë”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat