“Nuk duhet lejuar kurrë”/Këto janë rreziqet për Kosovën nga formimi i Asociacionit

Politika

“Nuk duhet lejuar kurrë”/Këto janë rreziqet për Kosovën nga formimi i Asociacionit

Nga: G.B Më: 29 nëntor 2021 Në ora: 16:54
Ilustrim

Asociacioni i komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë ndër çështje më aktuale.

Kosova është shprehur kundër formimit të tij ndërsa që Serbia kërkon formimin e tij.

Përpos kësaj të fundit, që asociacioni të formohet kërkoi edhe sot presidenti slloven, Borut Pahor, gjatë vizitës në Kosovë.

Por, ai hasi në kundërshtim nga ana e presidentes Vjosa Osmani, e cila tha se nuk do të ketë asociacion.

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi.

Ai thotë se faktori ndërkombëtar duhet të jetë kundër formimit të tij.

“Faktori ndërkombëtar duhet të jetë kundër Asociacionit serb në Kosovë. Qëndrimet e faktorit ndërkombëtar për Kosovën në raport me shtetin serb nuk janë produktive për paqen në këtë anë të Evropës”, është shprehur ai.

Sipas tij, nga formimi i tij kemi rrezikun e formimit të shtetit të ri serb dhe është i rrezikshëm për paqen në rajon e më gjerë.

“Këtu është gjithashtu shkaku i rrezikshmërisë së formimit të shtetit të ri serb. Pra, me këtë del se do të ketë Asociacion, por multinacional, duke futur edhe komuna tjera jo serbe në Asociacion. Pavarësisht se si krijohet ky Asociacion, nëse nuk është OJQ, po ka pushtet ekzekutiv, krahas atij juridik e politik, shkatërrohet Republika në funksion të shtetit dy shkallës. Ashtu zhduket shteti unitar dhe formohet një shtet jo funksional me shumë qendra jashtë kontrollit dhe të rrezikshme për paqen në rajon e më gjerë”, ka vlerësuar ai.

Profesori shton se nuk duhet lejuar kurrë formimi i asociacionit dhe se Kosova i ka temat e domosdoshme për t’i diskutuar në dialog.

“Asociacioni me pushtet ekzekutiv, ku futen edhe komunat në qendër të Kosovës, kurrë nuk duhet lejuar. Kjo për faktin se krijohet pushtet i pavarur në brendi. Asociacioni një nacional ose multinacional dhe mos njohja e shtetit nuk është zgjidhje. Atë nuk e lejon as Kushtetuta e Republikës. Kosova i ka temat që janë të domosdoshme për tu shqyrtuar që të kemi paqe në këtë pjesë. Ndërsa, ekzistenca në preambulën e Kushtetutës së Serbisë të Kosovës si territor serb, është e dëmshme”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat