Pse nuk organizohet Referendumi për bashkim kombëtar?

Politika

Pse nuk organizohet Referendumi për bashkim kombëtar?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 29 nëntor 2021 Në ora: 17:42
Foto e përbashkët e dy qeverive shqiptare

“Të dy qeveritë të hartojnë një projekt kombëtar”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së përbashkët ndërmjet dy qeverive dhe nënshkrimit të 13 marrëveshjeve i kanë dhënë një impuls të ri idesë për bashkim kombëtar.

Në konferencën e mbajtur pas takimit të dy qeverive Edi Rama u pyet nëse do të votonte pro bashkimit kombëtar, marr shkas nga barometri i publikuar ditë më parë ku thuhet se 80 për qind e qytetarëve në Shqipëri janë pro bashkimit me Kosovën.

Rama tha se do të votonte hapur pro bashkimit me Kosovën dhe sipas tij një gjë e tillë do të ndodhë, por ai nuk e dinë se kur.

“Kjo është pyetje a provokim. Në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën do të bëja një shkelje të Ligjit për fshehtësinë e votës, do të votoja hapur pro. Tani në rast se më pyesni a do të ndodhë kjo apo jo, meqë më provokoni po provokoj edhe unë them se kjo do të ndodhë, nuk di kur do të ndodhë, si, por që kjo do të ndodhë një ditë, unë them që po.

Tani atyre që mund ta marrin këtë dhe mund të dalin e të bërtasin për Shqipërinë e madhe, unë them se fallxhorët nuk gjykohen… se është një fall meqë po më pyesni, nëse do të hidhja fall dhe në këtë rast po e hedh me imagjinatë se unë nuk shoh filxhan unë them se do të ndodhë, se kur e si këtë nuk e di.

Fallin e futa në mes për përkthyesit dhe për ata që do të bëjnë deklarata pas kësaj, se u takuan në Elbasan, do të digjet Ballkani, po na sulmojnë shqiptarët, etj., për këta e kisha”, deklaroi ai.

"Shumica nga shqiptarët për bashkim kombëtar"

Lidhur me këtë deklaratë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se nuk bëhet me deklarata bashkimi kombëtar, duke e pasur parasysh edhe faktin se populli shqiptar është i ndarë në disa shtete të Ballkanit.

Aty u vendosën disa marrëveshje, por që shumë nga to lidhen me integrimin e dy shteteve, dhe mënjanimin e barrierave për qarkullimin e njerëzve dhe të mallit. Por, shqiptarët ende i vuajën pasojat fatale të konferencave ndërkombëtare.

“Bashkimi kombëtar nuk bëhet me deklarata, populli shqiptar është i ndarë në disa shtete të Ballkanit. Ata gjinden nën sundimin grek, maqedon, malazez, serb. Ndërsa, gjithashtu kemi dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, që janë shqiptarë. Gjendja e tillë e kombit shqiptar u realizua gjatë dhe nën sundimin otoman. E që 1/2 e kombit u shkëputë nga atdheu, Shqipëria, kjo u bë gjatë Kongresit të Berlinit, në vitin 1878, si dhe më pas të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitet 1912/13. Këto dy takime ndërkombëtare ishin fatale për kombin shqiptar si tërësi. Sot gjendemi në 6 shtete. Në Tiranë ishte takimi i dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës. Aty u bënë disa marrëveshje dhe shumë prej tyre drejtojnë nga integrimi i dy shteteve dhe mënjanimi i barrierave kufitare për qarkullimin e njerëzve, të mallit, të kapitalit dhe të shërbimeve”, tha ai.

Cilat janë pengesat e bashkimit?

Kelmendi theksoi tutje se shumica nga shqiptarët janë për bashkim kombëtar, pra priten deklarime të Ramës dhe Kurtit.

Po ashtu ai shton se nëse ky është vullneti i të dy kryeministrave, atëherë pse nuk bëhet bashkimi në një shtet kombëtar.

“Në këtë kuadër është gjë shumë normale deklarimet e bëra nga dy kryeministrat mbi bashkimin e Kosovës dhe të Shqipërisë në një shtet. Shqiptarët në shumicë janë për bashkim kombëtar. Shumë pak, respektivisht një pakicë e vogël është kundër. Dhe, kur dihet ky vullnet, priten deklarime të z.Rama dhe të z Kurti për bashkim kombëtar. Të dytë përmendën Referendumin për bashkim dhe votën që ata do ta jepnin. Kjo kështu është thjeshtë politikë. Deklarim për konsum te populli që e ka vullnetin për bashkim. Nëse është ky vullnet i të dy kryeministrave, pse nuk bëhet atëherë bashkimi në një shtet kombëtar? Pse nuk organizohet Referendumi? Cilat janë pengesat e bashkimit? Këto janë pyetje që të dy duhet të japin përgjigje para popullit. Nuk mjafton vetëm deklarimi për Referendum dhe votimi individual për bashkim. Z.Rama dhe z. Kurti janë kryeministra të dy shteteve, të Shqipërisë dhe të Kosovës”, shtoi Kelmendi.

Më tej ka potencuar se duhet të bëhet bashkimi në një shtet të shqiptarëve, dhe se ka pengesa ligjore, por që mund të mënjanohen.

Tutje theksoi se faktori ndërkombëtar si UE dhe SHBA-të duhet të binden në të mire të prosperitetit të Ballkanit me një Shqipëri të bashkuar.

“Si të tillë duhet të bëjnë bashkimin, pse nuk e bëjnë? Kush është kundër bashkimit? Këto janë çështjet që duhet thënë popullit. Në të kundërtën, duhet të bëhet bashkimi në një shtet të shqiptarëve. Shqipëria dhe Kosova i kanë organet legjitime, janë Kuvendet që kanë dalur nga votat e popullit të këtyre dy shteteve. Kuvendi ka përgjegjësi dhe të drejtë të vendosë. Pengesa ligjore ka, por ato mund të mënjanohen. Kuptohet se pengesat shumë të mëdha janë pengesat e faktorit ndërkombëtar. Këtu duhet të punohet për të ardhur te fakti i mënjanimit të pengesave për bashkim kombëtar. Faktori ndërkombëtar, si BE-ja, Anglia dhe SHBA-të, e shtetet tjera, duhet të binden në të mirë të paqes dhe të prosperitetit të Ballkanit me një Shqipëri të bashkuar”, ka theksuar ai.

Kelmendi shtoi se deklaratat nuk e bëjnë bashkimin, vetëm se e tregojnë pafuqinë e të dyja vendeve.

Ai theksoi se mjeti i bashkimit është referendumi, dhe sipas tij, mjafton vendimi i dy kuvendeve për bashkim, duke e pasur parasysh që edhe vullneti i popullit është për bashkim.

Image
Muhamet Kelmendi

 

“Ndarja dhe pushtimi i kombit shqiptar dërgojnë te konfliktet midis kombeve. As Tirana dhe as Prishtina nuk mund të ikin nga përgjegjësia për mos bashkim me deklaratat se jemi për bashkim. Bashkimi kërkon forcë dhe mençuri, guxim dhe iniciativë konkrete të bashkimit. Deklaratat nuk e bëjnë bashkimin. Ato tregojnë pafuqinë e dy vendeve tona për bashkim. Ndoshta kështu bëhet edhe shqyrtimi i kundërshteteve të bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Diçka tjetër më konkrete nuk ka në deklaratat për bashkim të dy kryeministrave. Bashkimi kombëtar kërkon veprim. Referendumi është mjeti i bashkimit. Ka edhe forma tjera. Mjafton vendimi i dy kuvendeve të shteteve tona për bashkim. Kështu u bashkuan dy Gjermanitë, dy shtetet e Jemenit etj. Pra, format e bashkimit dihet. Vullneti i popullit shqiptar për bashkim ekziston. Kërkohet veprim në drejtim të shtetit kombëtar të shqiptarëve”, ka përfunduar Kelmendi.

“Si të arrihet realizimi i dëshirave për shqiptarët e të dy vendeve?”

Analisti politik, Faton Mehmeti, mendon se për të ndodhur një gjë e tillë është e vështirë, sepse sipas tij, çështja shqiptare është e sulmuar nga të gjitha anët.

Image
Faton Mehmeti

 

Madje ai propozon të hartohet një projekt për realizimin e vullnetit të shqiptarëve në të dyja vendet.

“Bashkimi nuk bëhet me dëshira, çështja shqiptare në Ballkan është e sulmuar nga të gjitha anët, kështu që është e vështirë të ndodhë një gjë e tillë brenda një kohe të shkurtër. Krahas dëshirës duhet të ekzistoj edhe vullneti për punë të përbashkët. Qeveritarët në Kosovë dhe Shqipëri duhet të hartojnë një projekt kombëtar për të realizuar dëshirat e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit. Bashkimi është mbyllja e plagëve të shqiptarëve për më shumë se 100 vjet”, ka deklaruar Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat