Thyhet bllokada, Shqipërinë dhe Kosovën, s’ka kush i ndalon!

Politika

Thyhet bllokada, Shqipërinë dhe Kosovën, s’ka kush i ndalon!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 29 nëntor 2021 Në ora: 22:28
Mbledhja e qeverive shqiptare

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës, është mbajtur të premten më 26 nëntor në qytetin e Elbasanit, në shenjë të heqjes së kufirit, pas gjashtë muajve.

Kjo mbledhje arriti të sjellë 13 marrëveshje të nënshkruara nga dy vendet, përcjell “Bota sot”.

Në këtë takim palët njoftuan që në buxhetet e dy vendeve për vitin e ardhshëm janë parashikuar fondet për kryerjen e fizibilitetit të ndërtimit të hekurudhës Shqipëri-Kosovë, gjë që konsiderohet si fillimi i punimeve për ndërtimin e saj.

Ky takim arriti të sjellë 13 marrëveshje të nënshkruara. Mirëpo njëra nga marrëveshjet më të rëndësishme në këtë takim ishte largimi i kontrolleve kufitare për dyja vendet.

Ishte Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi, i cili tha se qarkullimi i qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, do të lehtësohet dhe kontrollet në kufi nuk do të ekzistojnë më.

Ai ka sqaruar se kishte rënë dakord me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, që në kufi të vendosen kamera për monitorimin e automjeteve që hyjnë dhe dalin nga vendet, por të mos kërkohen pasaportat apo letërnjoftimet nga qytetarët që kalojnë kufirin.

“Qarkullimi do të bëhet pa ndalim dhe kamerat do të regjistrojnë vetë çdo gjë, sa i takon identitetit të makinës që kalon nëpërmjet leximit të targës, dhe çdo gjë do të jetë automatike pa pasur nevojën që të ndalohet në kufi”, ka shpjeguar Çuçi.

Kujtojmë që deri më tani janë mbajtur shtatë mbledhje të përbashkëta, përfshirë mbledhjen e 26 nëntorit 2021, dhe janë nënshkruar rreth 100 marrëveshje, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi.

Këto marrëveshje kanë për qëllim një qeverisje të përbashkët strategjike, në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve.

Lëvizja Besa: Shembulli i heqjes së kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet ndjekur edhe nga Maqedonia e Veriut

Nga Lëvizja Besa sot përmes një komunikate kanë përshëndetur vendimin e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë për nënshkrimin e marrëveshjes për heqjen e kufirit ndërmjet dy vendeve.

Nga kjo parti kërkojnë që shembulli i tillë të ndiqet edhe nga Maqedonia e Veriut.

“Lëvizja e lirë dhe heqja e kufirit duhet të jetë shembull i integrimit rajonal dhe shembulli i këtillë, si i Kosovës dhe Shqipërisë, duhet të ndiqet dhe të implementohet edhe nga Republika e Maqedonisë së Veriut.

Lëvizja BESA konsideron se një marrëveshje e këtillë në mes të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe vendeve fqinje do të kontribuojë në mirëqenien ekonomike dhe do të ketë impakt pozitiv drejt integrimit të vendit në BE”, thonë nga Lëvizja Besa.

Krasniqi: Marrëveshja për heqjen e kufirit, hapë i rëndësishëm për Kosovën dhe Shqipërinë

Image
Analisti Islam Krasniqi

Në lidhje me këtë temë analisti Islam Krasniqi në një prononcim për “Bota sot”, thotë që kjo marrëveshje e nënshkruar nga të dyja vendet është një hapë afër bashkimit kombëtar.

Mirëpo, pavarësisht kësaj këto takimi janë gjithashtu një hapë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme për të dyja vendet e cila na dërgon një hapë më afër aspiratës së bashkimit Kombëtar ëndërr shekullore e popullit tonë.

Gjithsesi është një hapë drejtë normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve tona sepse kohëve të fundit ka pasur shumë të çara në mes të dy kryeministrave, me akuza e kundër akuza duke i kthyer inatet personale në interes të përgjithshëm e që nuk i kanë shërbyer askujt”, u shpreh analisti.

Ai ndër të tjera thotë që kjo marrëveshje është vazhdim i deklaratës që Rama bëri karshi BE-së që nëse nuk i lirojnë bllokadat, Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen.

“Kjo marrëveshje është një hap i kryeministrit të Shqipërisë, i cili e kërcënoi Bashkimin Europian se nëse ata vazhdojnë me këtë bllokadë Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen, e që kjo marrëveshje është një hap drejt asaj që kryeministri Shqiptar është deklaruar më parë, i cili mund të jetë edhe kërcënim për bashkësinë ndërkombëtare”, tha Islam Krasniqi për “Bota sot”.

Ahmeti: Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve

Image
Analisti Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti politik tjetër, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që marrëveshjet e arritura janë në interes reciprok për të dyja shtetet.

“Marrëveshjet e arritura janë të mirëseardhura për të dyja shtetet, pasi interesat janë reciproke dhe strategjike për të ardhmen. Mendoj se qeveritë e dyja shteteve duhet të jenë më serioze për zbatimin e marrëveshjeve, pasi që kemi një përvojë të hidhur nga qeveritë e kaluara lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura”, thekson ai.

Analisti thotë se këto marrëveshje të nënshkruara janë me interes për qytetarët, por edhe për vazhdimin e politikave unifikuese e strategjike për një të ardhme më të mirë.

“Qytetarët e të dyja shteteve kanë interes që marrëveshjet të zbatohen në mënyrë sa më të mirë të mundshme, pasi këto marrëveshje të nënshkruara janë me interes për qytetarët, por edhe për vazhdimin e politikave unifikuese e strategjike për një të ardhme më të mirë për dyja shtetet”, nënvizon analisti.

Në fund, ai thotë që liderët qeveritar duhet të kapërcejnë inatet politike dhe të mbrojnë interesat e qytetarëve.

“Liderët qeveritar duhet të kapërcejnë inatet politike dhe duhet të dalin mbi interesat e tyre në mënyrë që të përfitojnë qytetarët e të dyja shteteve, pasi që ka mundësi shumë më shumë në politika të përbashkëta”, përfundoi Ahmeti për ‘Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat