A ishte mbështetja ndaj Hashim Thaçit arsye e dorëheqjes së Rrahman Ramës?

Politika

A ishte mbështetja ndaj Hashim Thaçit arsye e dorëheqjes së Rrahman Ramës?

Nga: A.SH Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 14:14
Rrahman Rama

Ditë më parë Bashkim Jashari gjatë është emëruar komandant i FSK-së, nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ky emërim erdhi pas dorëheqjes së ish-komandantit Rrahman Rama.

Këtë ndryshim në FSK e ka komentuar për “Bota sot” analisti Gani Qarri.

Ai ka thënë se ky ndryshim erdhi si pasojë e kundërshtimit të Rrahman Ramës për përdorimin e automjeteve të FSK-së, në kulmin e veprimeve operacionale të njësive speciale të Policisë së Kosovës në veriun e vendit.

“Sa u takon ndryshimeve aktuale në kreun e ushtrisë së vendit, edhe po të mos ofronte dorëheqje vet Rrahman Rama, pas kundërshtimit të tij, për përdorimin e automjeteve M1117 ASV (Armour Secured Vehicle) të FSK-së, në kulmin e veprimeve operacionale të njësive speciale të Policisë së Kosovës në veriun e vendit, kishte indice se pa vonuar shumë, ato doemos do, dhe duhej të ndodhnin. Kjo për vet faktin se të pengohet, për anime politike, përdorimi i automjeteve, qofshin ato edhe ushtarake, nga njësitet elite të Policisë së Kosovës, në ditët më të vështira të acarimit të situatës kur ato kishin marrë urdhër të vendosen atje, për mbrojtjen e pikave kufitare të shtetit, nga bandat kriminale serbe në veri, një mosmarrëveshje e tillë, vështirë se mund të rregullohej ndryshe, përveç shkarkimit dhe zëvendësimit të tij”, shprehe Qarri.

Sipas tij, Rama dilte hapur në përkrahje të ish-presidentit Hashim Thaçi, e meqenëse edhe është rregull ligjor, që komandanti i forcave ushtarake të jetë i pa parti dhe të mbajë qëndrim neutral politik, shkarkimi apo dorëheqja e tij ishte më se e nevojshme.

“Madje pikërisht për shkak të qëndrimeve politike të Ramës marrëdhëniet e Qeverisë Kurti me Rrahman Ramën, i cili edhe në të kaluarën lëshonte deklarata të pamatura mbështetëse për ish pushtetarët e inkriminuar dhe në vend të qëndrimit neutral politik, dilte në përkrahje të hapur ndaj Hashim Thaçit, si dhe pengesave me kokëfortësi, në rastin e lartcekur, u ftohën deri në atë masë, sa që u anulua edhe një vizitë e Ramës që ai parashihej ta bënte, në fund të nëntorit në Mbretërinë e Bashkuar”, potencon ai.

Image
Gani Qarri

 

Qarri e sheh si të nevojshme dorëheqjen e Ramës, pas kështuupër depolitizimin përfundimtar të Ushtrisë së Kosovës, e cila ka obligim ligjor dhe kushtetues t`i shërbejë shtetit dhe popullit të Kosovës dhe jo individëve apo partive politike, sipas animeve personale.

Ai më tutje shprehet se, koha e komandosëve pa shkollë adekuate dhe pa profesion akademik, në krye të Ushtrisë së Kosovës ka përfunduar dhe se duhet të vijnë njerëzit e duhur, oficer të karrierës të shkolluar.

“Për aq më tepër, me shkarkimin e Rrahman Ramës, përveç depolitizmit që ishte shumë i nevojshëm të ndodhte edhe më herët, përfundimisht po merr fund koha e komandosëve pa shkollë adekuate dhe pa profesion akademik, dhe në krye të Ushtrisë së Kosovës, do të vijnë njerëzit e duhur, oficer të karrierës të shkolluar dhe të mirëpërgatitur profesionalisht”, deklaron Qarri.

Në fund, ai jep mendimin e tij duke thënë se derisa të zgjasë procesi i bisedimeve me Serbinë, në krye të ushtrisë së Kosovës do duhej të ishte emëruar gjeneral Ramadan Qehaja, ndërsa Bashkim Jashari zëvendës i tij.

“Dhe sipas mendimit tim, fillimisht për një periudhë të caktuar, të paktën për kohën, derisa do të zgjasë procesi i bisedimeve me Serbinë, në krye të ushtrisë së Kosovës do duhej të ishte emëruar gjeneral Ramadan Qehaja, ndërsa Bashkim Jashari zëvendës i tij, i cili do të mund ta pasonte z. Qehaja. Kjo për vet faktin se gjeneral Qehaja, përveç profesionalitetit të lartë dhe përvojës së gjatë në ushtri, njeh mirë edhe mentalitetin, taktikat e luftës dhe doktrinat e ushtarakëve serb, pra kundërshtarit kryesor aktual të Kosovës si Serbia, nga e cila vendi ynë, vijon të marrë kërcënime pareshtur dhe në vijimësi, aventurë që duket se do të zgjasë deri në përmbylljen e dialogut me këtë shtet hegjemonist dhe okupator të Kosovës”, përfundon analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat