Kundërshtarët më të mëdhenj të Rugovës

Politika

Kundërshtarët më të mëdhenj të Rugovës

Nga: A.M. Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 16:55
Presidenti historik, Ibrahim Rugova

Sot është datëlindja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, 77 vjetori, i cili erdhi si një shpëtimtar për shqiptarët.

Si intelektual me nam që i jepte zë lëvizjes intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, që nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë, dhe ndër të parat në Europën Juglindore, që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

LDK-ja nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur thuajse të gjithë popullsinë rreth vetes, mbase mbi 90 %. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Krahas kësaj veprimtarie të madhërishme, Rugova kishte edhe kundërshtarët e tij politik, që nuk e mbështetnin në planet e tij.

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” foli për veprimtarinë dhe jetën politike të presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Çështjen e Kosovës e shndërroj në problem ndërkombëtar

Ai tha se ditëlindja e presidentit Rugova është datë historike për shqiptarët dhe të gjithë kombin.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri

“Sot është ditëlindja e 77-të e presidentit historik të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, data kur shqiptarët dhe gjithë kombi ynë, me epitetin më të lartë përkujtojnë prijësin politik e organizativ, udhëheqësin, shtetarin dhe themeluesin e Kosovës së pavarur dhe shtetit tonë të lirë, bashkëkohor.

Njeriun e aftë e të ditur të pajisur me filozofinë moderne, urtësia politike e të cilit arriti që çështjen e Kosovës ta shndërroj në problem ndërkombëtar dhe ta fus në kancelaritë e vendeve më të fuqishme të botës dhe Evropës Perëndimore, si dhe ta bëjë temë kryesore për trajtim urgjent edhe në diplomacinë e jashtme amerikane dhe në vet Shtëpinë e Bardhë në Uashington”, shpjegoi analisti.

Krahas kësaj, Qarri e vlerësoi lart punën e presidentit Rugova, duke thënë se ndonëse jeta e tij u ndërpre para kohe, nuk ka dhe vështirë që do të ketë, politik-bërës shqiptar, që ti afrohet punës së tij.

“Doktor Ibrahim Rugova kaloi një jetë të tërë, në shërbim të popullit, kombit dhe atdheut, misionar shpirtëror, jo diktatorial, i cili synim të vetëm jetësor pati pavarësimin e Kosovës ngritjen e institucioneve të forta e stabile dhe shtetndërtimin e mirëfilltë të Kosovës së lirë, kontribut madhor e i pakrahasueshëm me cilindo lider dhe veprimtar tjetër politik në gjithë historinë e Kosovës.

Ndaj megjithëse jeta e tij, nuk zgjati shumë dhe u ndërpre para kohe, ndoshta edhe me ndërhyrjen konspirative të duarve misterioze të njerëzve të keqbërës, kur ai më së tepërmi i duhej Kosovës, nuk ka dhe vështirë që për kohë të shkurtër edhe në të ardhmen do të ketë, politikbërës shqiptar, që ti afrohet punës, kontributit dhe arritjeve të tij politike”, theksoi ai.

Në vazhdim, analisti përmendi marrëdhëniet e Rugovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikë, Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermanin.

Ku si rrjedhojë e këtyre aleancave të Rugovës dhe shtetet e mëdha erdhi edhe ndërhyrja e NATO-se dhe çlirimi i Kosovës.

“Dr. Ibrahim Rugova ishte njeri i veprave që nuk krijojnë kundërshtar, por prodhojnë vetëm miq dhe dashamirë, shenjtor i cili me sjellje i afrohej shumë të shenjtëruarës Nënë Tereza duke miqësuar Kosovën për herë të parë në histori me shtetet më të mëdha dhe njerëzit më të fuqishëm në botë, të cilët vendosnin për konfiguracionin e të ardhmes politike, jo vetëm për vende të vogla dhe rajone të kufizuara por për mbarë globin.

Miqësia me liderë të botës

Ndaj për ta shpëtuar Kosovën dhe shqiptarët nën ish sundimin serbo-jugosllav, Rugova fillimisht lidhi të ardhmen e Kosovës me SHBA-të dhe Bill Klintonin, Toni Blerin dhe Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Zhak Shirakun, shtetin gjerman etj, të cilat në krye të NATO-s, çliruan dhe bënë për herë të parë në historinë tonë kombëtare, shtet të lirë e të pavarur Republikën e Kosovës”, nënvizoi Qarri.

Në fund, ai nuk harroi të përmend edhe kundërshtarët më të mëdhenj të presidentit Rugova.

Ku sipas Qarrit, kundërshtarët e Rugovës ishin armiqtë e jashtëm të shqiptarëve dhe të shtetit të Kosovës, ku nuk përjashtoi ndonjë mundësi edhe për ndonjë agjent të brendshëm politik.

“Kështu që kundërshtarët e tij më të mëdhenj, është e natyrshme që të ishin armiqtë e jashtëm të shqiptarëve dhe të shtetit të Kosovës si dhe ndonjë paparac i shitur agjenturor dhe i dyshimtë politik-vendor, i cili me gjithë infuzionet që merrte pareshtur, për fryrje artificiale, nga shërbimet e huaja, arriti ti bënte shumë dëme dhe pengesa, popullit të ardhmes së vendit, duke shitur toka e kërkuar publikisht edhe ndihmën e ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës, që ishte edhe mision i tij, por kurrë nuk arriti ti bëhej kundërshtar i njëmendtë politik shenjtit Dr. Ibrahim Rugova, që edhe për së vdekuri, gëzon më shumë respekt, dhe mbështetje e autoritet, se sa politikbërësit fizikisht të gjallë aktual, që ka Kosova dhe shqiptarët”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat