Kelmendi: Shteti i Kosovës funksionon

Politika

Kelmendi: Shteti i Kosovës funksionon

Nga: A.M. Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 22:01
Ilustrim

Garancia e ofruar e Policisë së Kosovës nuk e ka bindur prokurorët e Gjykatës Speciale.

Prokuroria Speciale e ka refuzuar garancinë për lirimin me kusht të ish presidenti Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi ka thënë për gazetën “Bota sot”, se kundërshtimi i garancisë për lirimin me kusht nga burgu është injorim i shtetit të Kosovës.

“Shteti i Kosovës jeton tash e mbi një decenie. Këtë shtet e kanë njohur mbi 115 shtete dhe është anëtare e një numri të organizatave ndërkombëtare. Në kuadër të kësaj, ky shtet është përgjegjës për rendin dhe sigurinë në Kosovë, këtë e pranojnë të gjitha shtetet që e kanë njohur. Me këtë shtet bashkëpunon edhe UE dhe SHBA-të etj. Mos pranimi i garancisë për lirimin me kushte është injorim dhe kundërshtim i vetë shtetit”, ka thënë ai.

Gjithashtu, profesori e ka përmendur se Gjykata Speciale është krijuar nga Kuvendi i Kosovës.

Image
Muhamet Kelmendi

“Gjykata Speciale në Hagë është gjykatë e Kosovës. Është krijuar me vendim të Kuvendit dhe vepron me ligjet e Kosovës. Dhe, injorimi i garancisë, është vetë injorim i vetë shtetit. Kjo nuk e nderon këtë gjykatë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, Gjykata Speciale i ka bërë disa lëshime në rastin e arrestimit të përfaqësuesve të UÇK-së.

“Gjykata Speciale ka shkelur disa parime juridiko-penale në rastin e të arrestuarave nga radhët e UÇK-së. Së pari, nuk arrestohet, me ligj, askush pa fakte dhe dëshmi që në momentin e arrestimit. Së dyti, shqyrtimi kryesor, duhet domosdo të fillojë brenda një viti nga momenti i arrestimit dhe së treti, Kosova i ka këto organe, përkatësish ka polici. Këto janë faktet që tregojnë lëshimet e kësaj gjykate dhe parimisht është shkelje e rëndë. Kjo nuk e nderon këtë gjykatë”, ka thënë Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat