Rreziku i një përplasje të madhe, Lindje / Perëndim, kërcënimet ruse për paqen europiane dhe në Ballkan!?

Politika

Rreziku i një përplasje të madhe, Lindje / Perëndim, kërcënimet ruse për paqen europiane dhe në Ballkan!?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 4 dhjetor 2021 Në ora: 08:32
Aleksandar Vuçiq, Vladimir Putin

Ukraina dhe aleatët e saj në NATO kanë dhënë alarmin për lëvizjen e trupave ruse pranë kufijve të Ukrainës. Kriza e emigrantëve e shkaktuar nga Bjellorusia, përplasjet për Tajvanin të Kinës me SHBA-të dhe Japoninë, kërcënimi rus për zbarkim të forcave ajrore në Republikën Serbe, janë shenja të qarta se jemi në prag të përplasjes së madhe Lindje/Perëndim, dhe që mund të ketë shpërthim të konfliktit edhe në Ballkan

Lëvizje të tilla kanë ngritur shqetësimet se konflikti në Ukrainën lindore mund të përshkallëzohet në luftë të hapur midis dy fqinjëve, sipas agjencisë britanike.

Sekretari Blinken vuri theksin tek diplomacia si zgjidhje për situatën.

"Siç e kemi bërë shumë të qartë javët e fundit, ne kemi shqetësime të thella në lidhje me planet e Rusisë për ripërtëritje të agresionit kundër Ukrainës. Mënyra më e mirë për të shmangur krizën është përmes diplomacisë. Nëse Rusia vendos të ndjekë rrugën e konfrontimit, do të ketë pasoja serioze”, tha zoti Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit tha se Rusia dhe Ukraina duhet të zbatojnë plotësisht detyrimet e tyre sipas procesit të paqes të Minskut të vitit 2014, i krijuar për t'i dhënë fund luftës mes separatistëve pro-rusë dhe forcave të qeverisë ukrainase në lindje të Ukrainës.

“Kush po e cenon paqen e sigurisë në rajonin tonë”

Lidhur me atë se çfarë kërcënime paraqesin për Kosovën, si dhe a ekziston rreziku për një përplasje mes tyre, në një prononcim për “Bota sot”, analisti Enver Bytyçi ka deklaruar se shembja e Murit të Berlinit duhej të sillte një epokë paqeje e sigurije, e jo mbas 30 vitesh të shohim konflikte.

Image
Enver Bytyçi

Bytyçi rikujton se në momentin kur Vuçiqi po zhvillonte bisedime se si do të koordinonin veprimet e aksionit politik kundër Kosovës, Rama mbane fjalimin e “Ballkanit të Hapur” para parlamentit serb, madje u cilësua edhe si promotor i “Open Ballkan”-it.

“Sot, si anjëherë tjetër, po dalin në sipërfaqe konfliktet e dy shekujve të fundit midis Lindjes dhe Perëndimit. Për fat të keq në vend që shembja e Murit të Berlinit të sillte një epokë paqeje e sigurie përmes marrëdhënieve të partneritetit midis Fuqive të Lindjes dhe atyre të Perëndimit, mbas 30 vitesh shohim se konflikti vetëm thellohet. Këto ditë ne ndajmë lajmet se si Kremlini po grumbullon forcat ushtarake të Rusisë në kufi me Ukrainën dhe tensioni midis NATO-s e Moskës rritet vazhdimisht. Dje ishte në Kremlin Milorad Dodik dhe u takua me presidentin rus, Vladimir Putinin. Ndërsa, para një jave ishte për vizitë e bisedime me Putinin në Moskë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiqi. Atë moment që Aleksandër Vuçiqi po zhvillonte bisedime në Kremlin se si do të koordinonin veprimet e aksionet politike e diplomatike kundër Kosovës dhe destabilizimin e Ballkanit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbajti fjalimin për “Ballkanin e Hapur” para parlamentit të Serbisë, e madje u duartrokit dhe u cilësua si promotor i “Open Balkan”-it", tha ai.

Tutje ka theksuar se Rama ka deklaruar se Vuçiqi asnjëherë nuk ka folur kundër Kosovës, dhe në anën tjetër Beogradi dhe Kremlini po bënin plane kundër Kosovës.

Kërcënimi nga misionarët e diplomacisë serbo-ruse

Bytyçi vlerëson se paqen e sigurisë në rajonin tonë e cenojnë jo vetëm lindorët, por edhe misionarët e mbshëtjetjes politike serbo-ruse.

“Jo vetëm kaq, por Edi Rama i tha parlamentit të Serbisë se “Presidenti Vuçiq nuk i kishte folur kurrë kundër Kosovës”. Ishte ora kur miku i tij në Kremlin po thurte pikërisht plane kundër Kosovës. Politika dhe politikanët shqiptarë që nuk e shohin realitetin e një konflikti Lindje-Perëndim në Ballkan dhe rolin e Serbisë pro-Rusisë në këtë konflikt, janë dhe mbeten në frontin lindor të konfliktit në rajonin tonë. I pari ndër ta është kreu i ekzekutivit të Shqipërisë, Edi Rama. Paqen e sigurinë në rajonin tonë dhe në Europë nuk e cënojnë vetëm lindorët tradicionalë e të Luftës së Ftohtë, por edhe misionarët e mbështetjes së politikave serbo-ruse. Problemi është i dyfishtë: Së pari, kemi zhvillime të reja në përplasjen midis Fuqive të Lindjes dhe Bashkimit Europian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto përplasje dhe konflikte thellohen vazhdimisht”, shtoi Bytyçi.

Më tej ka deklaruar se Rusia synon që humbjen e fuqisë politike dhe ekonomike, ta kompensojë me agresivitet dhe kërcënime.

Sipas tij, konflikti në mes Rusisë dhe Ukrainës nuk është vetëm për dominimin e të parës, por edhe për sundim, Nëse Moska ka sukses, atëherë objektivi i dytë do të jetë Ballkani.

“Në fakt Rusia synon që humbjen e fuqisë politike dhe ekonomike përballë Kinës dhe fuqive të tjera të Mëdha ta kompensojë me agresivitet të shtuar dhe kërcënime ushtarake. Kjo formë e kërcënimit të Perëndimit nga ana e Lindjes ndodhi në vitin 2008 kur ndërhyri në Gjeorgji dhe aneksoi Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut. U shfaq në vitin 2014 kur Moska dhe Putini dhanë urdhër për aneksimin e Krimesë, e cila ishte pjesë e sovranitetit të shtetit të Ukrainës, por edhe me investimin ushtarak të Kremlinit në lindje të Ukrainës. Ky konflikt midis Rusisë dhe Ukrainës vazhdon edhe sot. Është konflikt jo vetëm për dominim, por edhe për sundim. Nëse Moska do të ketë sukses në Ukrainë, është e sigurt se objektivi i dytë i saj do të jetë Ballkani”, ka potencuar ai.

Bytyçi më tej ka deklaruar se Rusia ka avantazhe në territoret ku jetojnë serbët, sepse i mban peng Beogradi dhe Moska, dhe e gjithë kjo sepse, është interes themelor i saj, andaj edhe jemi të rrezikuar ne shqiptarët.

“Në rajonin tonë Rusia ka avantazhe në të gjitha territoret ku jetojnë serbët. Para së gjithash në Republikën Srpska të Bosnjë-Hercegovinës dhe në Serbi. Në këto territore Rusia mban shpresën e destabilizimit të rajonit të Ballkanit. Serbët, kudo që jetojnë, nuk po integrohen në shtetet ku janë. Kjo sepse po i mban peng Beogradi dhe Moska. Lindja, sidomos Rusia, nuk kanë interes për stabilitet, paqe e siguri në rajonin e Ballkanit dhe në Europë. Destabilizimi i Ballkanit dhe Europës është interesi themelor i saj. Për këtë arsye ne shqiptarët jemi më të kërcënuar se kurrë. Ky rrezik shkon në drejtim të zhbërjes së atyre sukseseve që kombi shqiptar ka arritur në këto 30 vitet e fundit. Të zhbërjes së shtetit të Kosovës”, ka shtuar Bytyçi.

Synimet e njëjta i ka edhe “Ballkani i Hapur”, andaj në vend se ne shqiptarët të bashkohemi për tu mbrojtur nga lindja, disa nga politikanët i janë bashkuar boshtit Beograd-Moskë.

“Këto qëllime dhe synime i ka edhe “Ballkani i Hapur”. Ai është një instrument i rikthimit të Rusisë në rajonin tonë. Këto zhvillime nuk janë të papritura. Ne shohim prej 20 vitesh se si përplasen Lindja dhe Perëndimi për sfera influence, ndikim dhe sundim në rajonin tonë e në Europë. Por, në vend që ne shqiptarët të nxirrnim mësime e të bashkoheshim për t’u mbrojtur nga Lindja, disa politikanë që kanë në dorë fatin e shqiptarëve në Ballkan, i janë bashkuar boshtit Beograd-Moskë. Ky është problem më i madh për ne shqiptarët. Shqiptaria dhe shqiptarët janë përplas për shekuj e dekada midis Lindjes e Perëndimit dhe kanë vokacion perëndimor. Por, liderët e korruptuar të tyre në territoret shqiptare janë me lindjen, me Rusinë”, ka përfunduar Enver Bytyçi.

“Po kërcënohet edhe Kosova”

Analisti Blerim Burjani, mendon se qëllimi i Rusisë është që të krijojë diçka të veten, madje sipas tij, ky shtet është mjaft i gjallë në politikën ndërkombëtare.

Image
Blerim Burjani

Ndërsa për shtetin e Kosovës, ai theksoi se është pjesë jo formale e botës perëndimore, dhe mund të kërcënohet nga Rusia.

“Ka shumë sinjale që nga viti 2015 në këtë drejtim, Rusia don të krijojë diçka të veten në botë dhe është mjaft e gjallë në politikën ndërkombëtare. Aleanca ruso-kineze mund të jetë një kërcënim real për perëndimin dhe Kosovën. Kosova është pjesë jo formale e botës perëdimore, ende nuk është anëtare e OKB-së dhe a anëtare e NATO-s. Perëndimi dhe Kosova kërcënohen mund të kërcënohen nga Rusia, Serbia”, thotë ai.

Tutje u shpreh se Rusia tani aleat e ka vetëm Serbinë në Ballkan, por në anën tjetër paraqet rrezik në të ardhmen.

“Përderisa Kina paraqet rrezik po ashtu të madh për botën perëndimore, SHBA-ja duhet të ndërtojë sërish një miqësi me Turqinë për të forcuar aleancën në Azinë e vogël dhe më gjerë. Kosova i ka hap rrugën aleatetit të saj SHBA-së, të ndërtoj bazën ushtarake të saj në Kosovë, ky është një hap i madhë i bërë nga Kosova. Rusia njëherë përnjëherë ka aleat të vetin vetëm Serbinë në Ballkan, por ajo po angazhohet për një aleancë me botën e tretë e cila paraqet një rrezik në të ardhmën e afërt”, ka përfunduar Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat