Të themelohet fond nga diaspora dhe bizneset për armatosjen moderne të FSK-së!?

Politika

Të themelohet fond nga diaspora dhe bizneset për armatosjen moderne të FSK-së!?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 4 dhjetor 2021 Në ora: 11:48
FSK

Kërcënime të reja për paqen në Europë po dalin në horizont. Kriza e Ukrainës sapo ka nisur të shkojë drejt kulmit. Perëndimi ende nuk ia ka arritur ta frenojë kërcënimin rus ndaj Ukrainës. Ndërkohë, Republika Serbe e Bosnjës, po bën plane, që Rusia të vendosë një bazë ushtarake ajrore atje, ndërsa Serbia ka arritur një lloj marrëveshje, që në të ardhmen Rusia të investojë për një elektrostacion bërthamor.

Serbia sipas një dokumenti strategjik të publikuar dit më parë parasheh që ta ketë dyfishimin e fuqisë ushtarake të katër shteteve ballkanike, Kroacia, Shqipëria, Kosova dhe Bosnja.

Po ashtu Serbia po e kërcënon veriun e saj, 21 vite pas ҫlirimit nga lufta e fundit me Serbinë. Krerët serbë vazhdimisht bëjnë deklarata të atilla që mund të sundojnë Kosovën dhe ta pushtojnë me luftë.

Kosova tani ka ushtrinë e saj dhe funksionon si një shtet normal. Kosova u bë me ushtri tre vite më parë, saktësisht më 14 dhjetor të vitit 2018, kur Parlamenti i Kosovës kishte votuar tri ligjet që e shndërrojnë FSK-në në ushtri të rregullt. Në atë seancë deputetët serbë nuk patën marrë pjesë.

Tani me gjithë vullnetin dhe gatishmërinë e kësaj ushtrie për t’i dalë në ‘krahë’ vendit për ҫdo nevojë, FSK-ja ende ka nevojë për investime ushtarake.

Duke pasur parasysh fuqinë ushtarake që e deklaron Serbia, dhe përpjekjet për aleancën me Rusinë, Kosova ndodhet në rrezik të madh, dhe duhet gjetur mënyra për zhvillimin e hovshëm ushtarak të vendit.

Bajqinovci: Nuk është përmendur fondi për ushtri

Image
Mefail Bajqinovci

Një nga mundësitë, që është disktuar dhe shtruar publikisht nga analist në “Bota sot”, është që krahas rritjes së buxhetit nga shteti, të krijohet edhe një fond i mbikëqyrur nga një kontrollë i rreptë, të cilin do të mund ta financonte diaspora, por ndoshta edhe biznese të fuqishme.

Gazeta ka kontaktuar deputetët nga Komisioni për Siguri, mirëpo ata nuk kanë dashur ta komentojnë këtë ҫështje. Ndërsa, vetëm deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci thotë se, nuk është përmendur ndonjëherë një fond i tillë.

“Jo nuk është përmendur asnjëherë fondi për ushtri. Sot po e dëgjoj, nuk e di se si rregullohet dhe a lejohet”, thotë deputeti Bajqinovci.

Ndërkaq njohësit e ҫështjeve politike në vend kanë komentuar këtë ҫështje në mënyra të ndryshme.

Maxharraj: Qeveria e përkoheshme në krye me Hashim Thaçin bëri ç’armatosjen dhe shuarjen e UÇK-së

Image
Binak Maxharraj

Profesori dhe publicisti që jeton në Amerikë, Binak Maxharraj thotë se ‘Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është ajo e cila së bashku më NATO-n ia solli lirinë e shumë të pritur për të cilën u flijuan shumë gjenerata ndër shekuj e vite, e sidomos në luftën e fundit ku ranë shumë dëshmorë të kombit’.

“Por, ajo pas luftës gjatë qeverisjes stërkeqe të qeverisë së përkohëshme në krye me Hashim Thaçin (lexo: kësaj qeveri nuk pranoi t’i bashkohet LDK e Ibrahim Rugovës) duke e ditë e me pastaj edhe duke e lanë amanet se “Hashim Thaҫin duhet mbajt larg pushtetit sepse është i rrezikshëm).”

Ai thotë tutje se, ajo se çka bëri kjo qeveri e përkoheshme në krye me Hashim Thaçin ishte ç’armatosja dhe shuarja e UÇK-së. Ky ishte një akt i turpshëm i kësaj qeverie. Duke e shndrruar në FSK për ndihma popullates në situata emergjente natyrore, por që kjo forcë nuk ishte e armatosur.

“Duke e patur parasysh nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik të Kosovës shteti deri më tani nuk ka patur mundësi të ndaj mjete të mëdha për armatim, ato ishin simbolike. Por, ekonomia e Kosovës u godit pamëshirshëm edhe nga vetë pushtetarët, të cilët e vodhën dhe e plaҫkitën shtetin sa mujtën dhe sa deshtën, u bën milionera pa u penguar nga askush sepse ishte një prokurori dhe gjyqësi e kapur nga ata. Më mirë dhe e mençur do të ishte që këta miliona të vjedhur nga elita e shtetit të investoheshin në blerjen e armatimit për ushtrinë tonë, duke e ditur që armiku i jonë i përmotshëm hala po na rrinë mbi krye dhe kërcënon me luftë. Dhe po pret rastin e volitshëm për sulm. E dihet se në rast sulmi nuk duhet pritur që të na ndihmoj për së dyti nga ata që e bënë herën e parë, sepse rrethanat janë krejt tjera”, thotë ai.

Maxharraj thotë tutje për ‘Bota sot’ se, ‘nga ky aspekt duhet t’i krijojmë kushtet që vetë ta mbrojmë shtetin tonë, e jo vetëm ta vjedhim, ta plaҫkisim dhe shkatërrojmë. Është për tu lavdëruar fakti që sivjet Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin ndau mbi 100 milionë euro për ushtri. Por, ushtrisë së Kosovës i duhen edhe ndihmat tjera nga vetë populli për armatosjen e ushtrisë tonë.

“Pos buxhetit të shtetit mendoj se ushtrinë duhet ta ndihmojë edhe vetë populli, sepse kjo është vetë forca e popullit. Së pari, mendoj se duhet të formohet ligjërisht një fond nga disapora për investime rreth armatosjes së ushtrisë tonë. Diaspora e jonë gjithëherë ka qenë fleksibile në ndihmat e saj, nuk ka kursyer asgjë kur është në pyetje shteti e sidomos tashti për ushtrinë tonë. Ajo ndihmoi edhe për luftën e Kosovës sidomos me Fondin 3%, “Vendlindja thërret” etj., por që fatkeqësishtë një pjesë e vogël e këtyre fondeve përfundoi në luftë, kurse pjesën tjetër mbi 80% të këtyre fondeve i vodhën, i plaҫkitën komandantët e “Shtabit të Rognerit” dhe komandantët tjerë të Zonave luftarake”.

“Së dyti, mendoj se do të ishte e nevojshme që pos Fondit për ushtri nga Diaspora, të shpallet me ligj edhe hua gjithëpopullore për grumbullimin e mjeteve për ushtri dhe së treti, do të ishte e nevojshme që ushtria e jonë të ndihmohet edhe nga bizniset, e sidomos nga ato koorporata të fuqishme për krijimin e një Fondi për blerjen e armatimit për ushtrinë tonë të lavdishme, sepse sot në mos me asgjë tjetër Kosova lavdërohet edhe ndërkombëtarisht për ndihmën e Ushtrisë së Kosovës kudo që ishte nevoja, por edhe në ndihmë NATO-s”, thekson Maxharraj.

Duhanaj: Është totalisht e padrejtë të kërkohen fonde të tilla nga Diaspora

Image
Leon Duhanaj

Po ashtu edhe analisti tjetër politikë nga diaspora, Leon Duhanaj thotë se ‘diaspora shqiptare, historikisht ka qenë promotor i të gjitha zhvillimeve pozitive në trojet shqiptare. Këtë e dëshmon historia që nga koha e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut e deri tek lufta e UÇK-së’.

Duhanaj thotë më tutje se nëse klasa politike e shtetit është e paaftë për të ngritur kapacitete ushtarake dhe kërkon nga diaspora, e cila në masë të madhe kryen shërbime dytësore në vende të huaja, atëherë vërtetë jemi për keqardhje.

“Megjithatë mendoj që nëse shteti e sheh dhe e pranon mërgatën si partner në aspektin financiar, atëherë do të duhej edhe të trajtohej si e tillë. Për ta arritur këtë, shteti duhet që diasporën ta trajtoj si partner të privilegjuar të cilit/vë do t'u hapeshin dyert për investime në Kosovë pa barriera, pa burokraci. Nëse shteti vërtetë synon të krijojë perspektivë, atëherë rruga është kjo. Nëse në Kosovë hyn potenciali financiar i diasporës, do të rritet mirëqenia, punësimi dhe buxheti i shtetit, nga i cili do të mund të financoheshin projekte qoftë ushtarake, qoftë të tjera”, thotë Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat