Jo se Ramushi, se hiqte kufirin me bager, por Kosova ndoshta nuk do të ekzistonte nga pazaret e komandantëve

Politika

Jo se Ramushi, se hiqte kufirin me bager, por Kosova ndoshta nuk do të ekzistonte nga pazaret e komandantëve

Nga: A.Z Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 17:37
Ramush Haradinaj

Ditë më parë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kishte shkuar që të hiqte kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, por që e kishte ndaluar ish-Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Sandër Lleshaj.

Haradinaj tha se Lleshaj ia kishte bërë me dije se po ta largonte atë kufi, Shqipëria do të humbte të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër vendet e BE-së.

Lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Ramushi dhe AAK-ja së pari duhet ta sigurojnë popullin se nuk do të ketë ndarje, dhe se janë kundër planeve të Thaçit për ndarjen e Kosovës e më pas t’i fillojnë bagerët drejtë kufirit me Shqipërinë.

“Ramush Haradinaj e AAK-ja dhe të gjitha partitë opozitare, para se t’i nisin bagerët drejt kufirit me Shqipërinë, duhet ta sigurojnë popullin, se nuk do ta lejojnë ndarjen dhe bosnjëzimin e Kosovës, të dalin me qëndrim të qartë publik, se janë kundër planeve të kuislingut Thaçi për ndarjen e Kosovës si dhe kundër marrëveshjes, kundër kushtetuese të asociacionit një etnik serb të nënshkruar kundërligjshëm nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, dhe bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të mblidhen deputetët e të gjitha partive shqiptare në Kuvend e të votojnë në mënyrë unanime, me shumicë absolute për zhvlerësimin e menjëhershëm të asociacionit dhe planeve të Thaçit & Co për ndarjen e Kosovës”, tha ai.

Ruajtjen e vet ekzistencës së Kosovës më tepër u takon SHBA-ve, NATO-s

Tutje tha se Haradinaj para se të vinte në pushtet, bënte sikur nuk e akceptonte Demarkacionin, por pasi e mori postin e Kryeministrit, ia fali 8.230 hektarë të Kosovës, Malit të Zi.

Image
Gani Qarri

 

Qarri theksoi më tej se nëse Kosova nuk do të përkrahej nga SHBA-ja, NATO-ja dhe nga vendet evropiane, sot Kosova nuk do të ekzistonte fare nga pazaret e komandantëve.

“Në fakt me propagandë false dhe piskamë boshe e fjalë të mëdha, Ramush Haradinaj, para se të vinte në pushtet dhe të bëhej kryeministër i Qeverisë së PAN-it, bënte sikur nuk e akceptonte as Demarkacionin me Malin e Zi, sipas hartave të vizatuara, me porosi të kuislingut Hashim Thaçi, nga bashkëvendësi dhe argati i tij besnik, Murat Meha, por me të marrë postin e Kryeministrit, ai ia fali vet 8.230 hektarë tokë të vlershme të Kosovës, një shteti xhuxh si Mali i Zi. Ndaj lavdia dhe falënderimi për çlirimin dhe mbajtjen në këmbë, fort me zor- nga tendencat e komandantëve, për ta shitur pjesë-pjesë dhe ruajtjen e vet ekzistencës së shtetit të Kosovës më tepër u takon SHBA-ve, NATO-s dhe miqve tanë evropian si Mbretëria e Bashkuar e Gjermania, se përndryshe nga pazaret 20 vjeçare të komandantëve me tokat e tona, sot Kosova jo vetëm që nuk do të ishte e bashkuar me Shqipërinë, por ndoshta edhe nuk do të ekzistonte fare si shtet, apo do të ishte ndarë e copëtuar qysh moti, "barabartë" me Serbinë”, shtoi Qarri.

Më tej tha se duke e pasur parasysh që Haradinaj Malit të Zi i dha mbi 8.200 hektarë tokë, madje edhe Hoxha pagoi para të taksapaguesve të Kosovës, atëherë fjalët e Haradinajt tingëllojnë si propagandë dhe marketing elektoral.

“Përderisa Thaçi & Co, i falën FYROM-it mbi 2500 hektarë tokë në afërsi të Debelldesë, me Haradinajn kryeministër Malit i Zi mori mbi 8.200 hektarë tjerë, tokë të Kosovës, madje sikur mos të mjaftonte as kjo, po në qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ministrja për integrim, nga radhët e PDK-së si dhe këshilltarja e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, Dhurata Hoxha, vetëm para 2-3 vitesh, pra në vitin 2019 pagoi mbi 168 mijë euro para të taksapaguesve të varfër të Kosovës, firmën franceze Majorelle & PR, për propagandimin e ndarjes së Kosovës dhe faljen e veriut me pjesët më vitale të vendit tonë, Serbisë okupatore. Ndaj kur kihen parasysh të gjitha këto, fjalët e Ramush Haradinajt më tepër tingëllojnë si propagandë e ulët politike dhe marketing i lirë elektoral, megjithëse aktualisht ka përfunduar fushata zgjedhore edhe nëpër komuna, se sa si deklarata serioze, të cilave në Kosovë dhe shqiptarinë kudo, nuk u beson më askush”, tha ai.

Gurët e kufirit i ka hequr qysh më 9 prill të vitit 1999 Agim Ramadani e Sali Çekaj

Tutje potencoi se Ramushi, Thaçi, Veseli dhe Rama po ruajnë pikëkalimet kufitare si nostalgji e vjetër e ndarjes së shqiptarëve, andaj sipas Qarrit, shqiptarët e dinë se duhet dërguar dy bagerë për heqjen e kufijve, njëra palë nga Kosova dhe tjetra nga Shqipëria, dhe se vetëm kështu mund të shuhen kufijtë.

“Sa i takon kufirit Kosovë-Shqipëri, Ramushi nuk duhet të ketë harruar, se gurët e kufirit i ka hequr qysh më 9 prill të vitit 1999 Agim Ramadani e Sali Çekaj, ndërsa Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, Veseli dhe Edvin Kristaq Rama me Sandër lleshët e tyre, tash e mbi 22 vite po ruajnë me besnikëri, pikëkalimet kufitare si relikte të së kaluarës dhe nostalgjisë së vjetër, të ndarjes ndërshqiptare, nga pushtuesit e huaj. Kështu që me gjithë “hajgaret” e radhës të Ramush Haradinajt, shqiptarët e dinë mirë se për heqjen e kufijve, nuk mjafton dërgimi i bagerëve vetëm nga njëra palë, por duhen dërguar dy palë bager, njëra palë nga Kosova dhe tjetra nga Shqipëria, në mënyrë që kufiri të hiqet nga të dyja anët, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të shuhen kufijtë e ndarjes tonë për gati një shekull dhe shënohet njësimi i tokave autoktone shqiptare, të ndara padrejtësisht nga okupatorët serbo-sllav”, ka përfunduar Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat