“Zbulohet” arsyeja, pse Britania e Madhe dërgoi emisarin e saj në Ballkan

Politika

“Zbulohet” arsyeja, pse Britania e Madhe dërgoi emisarin e saj në Ballkan

Nga: A.SH Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 16:27
Flamujt e Kosovës dhe Britanisë

Disa ditë më parë ish-shefi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Sir Stuart Peach, është emëruar nga Mbretëria e Bashkuar si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Ai si situata të tensionuara në ballkan i sheh midis entiteteve në Bosnje e Hercegovinë dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Një vendim i tillë është mirëpritur në Kosovë.

Madje ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili vjen po nga kjo fushë ka thënë se, “emërimi i udhëheqësit të madh ushtarak britanik, si një ndër komandantët kryesor të NATO-së në operacionin menaxhues post-konfliktuoz për Kosovë, Sir Stuart Peach është personalitet më se i nevojshëm në këtë mision. Mbretëria e Bashkuar përkrah SHBA-së mbeten garanca e vetme dhe më e fuqishme për zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme të sfidave të rajonit tonë”.

Lidhur me këtë edhe analisti Leon Duhanaj ka thënë se, ndikimin rus dhe përkeqësimi i gjërave në Ballkanin Perëndimor, ka bërë që Anglia të marrë një vendim të tillë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bazuar në ndryshimet e kuadrove në sektorin diplomatik në regjion, duket që e kanë kuptuar nevojën imediate për ta shtyrë përpara zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Europian në anën tjetër, edhe përkundër faktit se është bartës, apo fasilitues kryesor në proces, duket të ketë probleme serioze të brendshme në vendimmarrje sa që nuk mund të pritet ndonjë rezultat konkret prej tyre. Duke qenë se gjendja veç sa po shkon e keqësohet si pasojë e ndikimit dhe ndërhyrjes ruse, atëherë çështja bëhet edhe më alarmante. Në këtë kontekst, mendoj që edhe Mbretëria e Bashkuar, e ka emëruar emisarin e saj, për të qenë akterë në këtë proces”, ka thënë analisti.

Sipas tij, për Kosovën dhe shqiptarët, sa më shumë ndërhyrje anglo-amerikane, aq më pozitiv dhe më shumë shpresa për zgjidhje të mira, duke përmendur edhe ndryshimin e qeverisë në Gjermani, që sipas analistit edhe pse duhet të presim, po jep sinjale pozitive.

“Për Kosovën dhe shqiptarët, sa më shumë ndërhyrje anglo-amerikane, aq më pozitiv dhe më shumë shpresa për zgjidhje të mira. Aq më shumë kur tash së fundmi edhe në Gjermani kemi ndryshim të pushtetit dhe akoma nuk dihet qartë, se cili do të jetë qëndrimi i qartë gjerman karshi çështjes edhe pse sinjalet janë pozitive, vetë fakti që kemi kuadër të ri në proces, mund të jetë sfidues”, deklaron ai.

Prandaj, ai emërimin e emisarit anglez e sheh si sinjal tepër pozitiv.

“Në këtë kontekst, emërimi i emisarëve për mendimin tim është sinjal tepër pozitiv, por që duhet marrë seriozisht nga akterët politik në vend, në mënyrë që të jemi mirë të përgatitur për çdo situatë. Shumë lehtë mund të ndodhë që mekanizmat ndërkombëtarë ta organizojnë ndonjë konferencë të mbyllur nga e cila, palët mund të dalin vetëm me marrëveshje të nënshkruar, prandaj sa më unik, sa më të përgatitur, sepse koha nuk kthehet mbrapsht për të na i ushqyer egot politike”, përfundon analisti Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat