Gjatë epokës së Thaçit u harxhuan miliona për interesa të ngushta/ Publicisti nga ShBA tregon se kush ia humbi shkëlqimin lobimit në Amerikë 

Politika

Gjatë epokës së Thaçit u harxhuan miliona për interesa të ngushta/ Publicisti nga ShBA tregon se kush ia humbi shkëlqimin lobimit në Amerikë 

Nga: M.L. Më: 11 dhjetor 2021 Në ora: 08:25
Hashim Thaçi

Fushata e egër e Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës po vazhdon të shkaktojë probleme të shumta. 

Kohët e fundit u raportua se Serbia ka paguar miliarda për lobim, derisa nga institucionet e Kosovës  ende nuk është hedhur ndonjë hap i tillë për avancimin e shtetësisë.  

Derisa, presioni ndërkombëtar për përmbylljen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po rritet, në opinion është paraqitur edhe ideja që shteti ynë të paguaj kompani lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për promovimin e shtetësisë. 

Por, praktikat e Kosovës me lobimin, sidomos viteve të fundit nuk ishin edhe aq efikase, e madje u shfrytëzuan edhe për qëllime personale të disa udhëheqësve. 

Këtë punë më mirë e bënin shqiptaro-amerikanët me miqtë e tyre 

Publicisti Ramazan Bekteshi, që jeton dhe vepron në ShBA, ka shpjeguar për gazetën “Bota sot” nëse lobimi është domosdoshmëri apo shpenzim koti 

Image
Ramazan Bekteshi

“Kur flasim për lobim, SHBA-ja si demokracia supreme dhe me ndikimin politik, ekonomik e ushtarak më të madhin në botë, ku kryeqyteti i saj Uashington DC është bërë një vend i ‘shenjtë’ për lobim, ashtu si janë Jerusalemi dhe Meka për besimtarët. Grupet e interesit janë aty, si të brendshme dhe te jashtme dhe harxhojnë para të majme në shumë fusha jetësore nga ekonomia, politika etj. sepse “lobimi në (SHBA) mbështetet si pjesë e demokracisë pjesëmarrëse, është i rëndësishëm për një qeveri produktive, dhe është i mbrojtur ligjërisht dhe nuk është i njëjtë me ryshfetin”, tregon Bekteshi. 

Ai shprehet se edhe Kosova ka qenë prezentë aty, e përfaqësuar nga firma për ‘PR’ që nga koha e kryeministrit në ekzil, Bukoshit, në vitet e 90-ta me (Rudder Finn Inc., Arnold & Porter, ËIG, Patton Boggs, Global Communications).  

Por, sipas tij këto lobingje nuk kanë shënuar ndonjë sukses që e meriton të mbetet në kujtesën kolektive, sepse këtë punë më mirë e bënin shqiptaro-amerikanët me miqtë e tyre dhe me financat e tyre vetanake, por, dhe respekti që gëzonte presidenti Rugova.  

Bekteshi: Qeveria e Kosovës shkeli rregullat e lobimit 

Bekteshi thotë se edhe në kohën e Hashim Thaçit janë angazhuar firma për PR si ( Podesta Group, Patton Boggs, Rhoads Group) dhe sipas ligjeve amerikane të gjitha kontratat e këtilla duhet  të publikohen nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe shpesh sipas tij, qeveria e Kosovës i ka shkel këto rregulla dhe s’dihet ku ka qenë interesi.  

“Disa ngritin dyshime se shumë para janë harxhuar për interesa të ngushta të politikanëve tanë si gjatë qeverisjes së Thaçit. Megjithatë, harxhimi i parave të shtetit me një firmë të duhur për lobim mund t`i sjelli shtetit dobi që ia vlen. Pra, në Uashington DC suksesi është një ‘kombinim i njohurive dhe lidhjeve personale”, nënvizon ai.  

Tutje, Bekteshi thekson se shqiptaro-amerikanët me organizatat e tyre apo në mënyrë individuale janë marr me lobim që në fillim të shekullit XX dhe një lobim nga më të parët dhe më të suksesshmit është bërë nga Noli me Presidentin Ëilson, dhe fal tyre Shqipëria hyri në Ligën e Kombeve (1920).  

“Por, lobimi i mirëfilltë profesional fillon me LQSHA në krye me ish-kongresistin DioGuardi kur atij i bashkohen afaristë të njohur, intelektual dhe atdhetarë entuziastë të çështjes shqiptare nga të gjitha trojet shqiptare. Ngritja e fondeve bëhej në mënyrë të organizuar nga Liga me vite. Liga me kohë e themeloi edhe PAC-un (Political Action Committee) ku me këto fonde drejtoi dhe realizoi punë të mëdha kur ishte në pyetje ndikimi në Kongres e Senat”, shprehet veprimtari. 

Pas çlirimit të Kosovës më 1999, lobimi në Amerikë e humbi shkëlqimin 

Ai thotë se përveç Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si vazhduese të lobimit kanë qenë Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë e suksesshme që e kishte selinë e saj në Uashington DC, e përfaqësuar nga Ilir Zherka, Sami Repishti, Richard Lukaj dhe shumë emra të njohur të komunitetit, si dhe nga Degët e LDK-së për Amerike dhe Kanada, Vatra, dhe shumë të tjera.  

“Me ardhjen e Sherley Cloyes-DioGuardi në LQSHA, Liga forcohet dhe sot e kësaj dite është aktive dhe politikanët tanë mund të mësojnë leksione për lobim nga çifti DioGuardi, që fatkeqësisht janë injoruar skajshmërish dhe si pasojë sot lobimi çalon, dhe shpesh është i padukshëm krahasuar në vitet e 90-ta. Në vazhdën e lobimit në Amerikë kulmimin dhe afirmimin e Kosovës e arriti Batalioni Atlantiku, ku ky e tejkaloi vetë veten me mënyrën epike qe u shfaq para Amerikës dhe botes, derisa mediat më të fuqishme botërore e transmetuan ‘live’ nisjen e luftëtarëve të lirisë dhe kështu Kosova n‘a shfaqet në Amerikë me krahun e saj ushtarak, një realitet i ri që Kosovën e afirmoi edhe më fort, ku kulmoi edhe me fushatën ajrore të NATO-s,  derisa shqiptarët i bëri krenar si asnjëherë më parë”, potencon ai. 

Sipas Ramazan Bekteshit, pas çlirimit të Kosovës më 1999-të, lobimi në Amerikë e humbi shkëlqimin, jo me fajin e shqiptaro-amerikaneve, por të politikanëve tanë pa vizion që s’patën kurrë interesim që ta mbajnë të gjallë atë organizim të shkëlqyeshëm. 

“S’patën vizion që ta mbajnë të gjallë atë koherencë kombëtare që çështja e Kosovës i kishte bashkuar si asnjëherë më parë të gjithë shqiptarët e Amerikës nga të gjitha trojet e tyre etnike. Këtë solidaritet të madh që kishte arritë kulmin pas një shekulli që kur arriti shqiptari i parë në Amerikë (1876) politikanët tanë e lanë pas dore, dhe përkundrazi, këtu, kohët e fundit erdhën shumë politikanë të korruptuar nga Kosova e posaçërisht nga Shqipëria, jo me agjendë kombëtare por individuale dhe përçarëse”, tregon ai. 

Bekteshti tregon se derisa në vitet e 90-ta Kosova kishte 33 anëtarë në grupin e kongresistëve ‘Congressional Albanian Issues Caucus’, sot kur jemi shtet i pavarur dhe me ambasadë në Uashington DC, ky numër ka ra në shtatë (7). 

“Tani, kur shumë miq tanë që kanë pasur rol në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës kanë kaluar në amshim si: Tom Lantos, Henry Hide, Benjamin Gilman, John McCain, Robert Dole dhe ndonjë tjetër, derisa shumë përkrahës tanë nuk janë më aty, ose për shkak se i kanë humb zgjedhjet ose për shkak se janë pensionuar apo ndërruar profesionin. Derisa në vitet e 90-ta Kosova kishte 33 anëtarë në grupin e kongresistëve ‘Congressional Albanian Issues Caucus’, sot kur jemi shtet i pavarur dhe me ambasadë në Uashington DC, ky numër ka ra në shtatë (7). Dhe këtu lind edhe dilema, si ka mundur komuniteti shqiptaro-amerikan dhe organizatat e saja të mirëmbajnë një shifër aq të lartë miqsh kur e kanë pasur në dorë lobimin, derisa pas pavarësisë me ambasadë në DC të vijmë në këtë situatë të pa lakmueshme”, pohon Bekteshi. 

Qeveria aktuale ta ketë prioritet edhe lobimin në DC në bashkëpunim të ngushtë me shqiptaro-amerikanët 

Tutje ai tregon se si duhet të veprojë qeveria e Kosovës sa i përket lobimit në ShBA.  

“Qeveria aktuale do të duhej ta ketë prioritet edhe lobimin në DC në bashkëpunim të ngushtë me shqiptaro-amerikanët, personalitete të këtij komuniteti që e kanë bërë këtë veprim vazhdimisht si dhe organizata shqiptaro-amerikane që janë të verifikuara për lobim efikas, dhe një shembull tipik është LQSHA. Zgjedhja e një firme lobuese të duhur ka me shumë rëndësi se sa pagesa, dhe një firme që garanton sukses ia vlen të paguhet më shumë se sa një firmë lobuese e lirë pa fuqi ndikuese”, potencon ai. 

Ramazan Bekteshi thotë se, seleksionimi i një PR-i adekuat nuk është edhe aq punë e lehtë kur dihet kompleksiteti i lobimit, kur të merret parasysh se mbi 12.000 lobistë aktiv janë angazhuar në DC me një shifër shpenzimi $3.5 miliard në vit.  

“Kosovës i duhet të loboj jo vetëm në fushën e politikës por edhe atë ekonomike dhe ushtarake. Pas anarkisë së qeverive të kaluara është koha për bashkëveprim në kryeqytetin e ‘shenjtë’ të lobimit. Bashkëveprimi i Kosovës, Shqipërisë dhe komunitetit shqiptaro-amerikan është një imperativ imediat”, përfundon ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat