Presioni ndaj Kosovës për Asociacionin serb/ Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare ‘godet’ BE-në

Politika

Presioni ndaj Kosovës për Asociacionin serb/ Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare ‘godet’ BE-në

Nga: P.R. Më: 12 dhjetor 2021 Në ora: 17:29
Arkiv

Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin JohnHopkins, DanielSerwer, ka deklaruar se derisa Serbia vazhdon që ta refuzojë publikisht njohjen e Kosovës, atëherë edhe Kosova duhet të refuzojë formimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.

“Gjykata Kushtetuese e bëri të qartë se çfarë lloj asociacioni mund të jetë i pranueshëm me Kushtetutë dhe unë mendoj se ne të gjithë duhet të jemi falënderues për këtë vendim. Mendoj se Qeveria aktuale e Kosovës e ka bërë më se të qartë se nuk do të implementojnë Asociacionin. Kjo natyrisht se është e dëmshme për dialogun, por më duhet ta pranoj se nëse Serbia e ka bërë absolutisht të qartë se nuk do ta njohë Kosovën, atëherë ekziston logjika edhe prej anës kosovare që të mbajë qëndrimin e saj për temën e Asociacionit. Kjo nismë është ajo që Serbia e do më së shumti dhe njohja është ajo që Kosova e do më së shumti, dhe është më se e logjikshme që në negociata, nëse njëra palë nuk është e gatshme t’i japë palës tjetër atë që do, atëherë edhe pala tjetër ka të drejtën të zgjedhë se çfarë nuk merr pala e kundërt nga marrëveshja”, ka thënë Daniel Serwer.

Image
Gurakuç Kuçi

Se Kosova duhet ta refuzojë formimin e Asociacionit serb, e thotë edhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

“Një shtet e ka primar ta ruaj shtetësinë e tij dhe të kujdeset për qytetarët e tij, po ashtu udhëheqja shtetërore çdo herë e ka për detyrë të i përgjigjet interesave të shtetit dhe qytetarëve të tij. Kërkesa dhe oferta mund të vijnë të çdo llojshmëri nga jashtë por kjo nuk do të thotë se ato duhet të realizohen, e aq më pak kur kërkesat vijnë nga ata që nuk i mbajnë vet premtimet”, thotë Kuçi.

Sipas tij, edhe kërkesa nga BE që Kosova ta formojë Asociacionin, bie ndesh me premtimet që BE i ka dhënë në drejtim të Kosovës, kur dihet se Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetues Asociacionin e Komunave serbe.

“BE-ja fatkeqësisht ka një brishtësi përfaqësueshmërie për dallim nga SHBA-ja, pra BE-ja nuk ka një politikë të jashtme që ruan një vijueshmëri. Pra, institucionet e BE-së bien ndesh njëra me tjetrën. BE-ja nuk ka mbajt premtimin për liberalizim të vizave ndaj Kosovës, ka pesë vende brenda vetes që nuk e njohin Kosovën dhe asgjë nuk bëjnë në këtë drejtim, Serbia ka një varg marrëveshjesh që nuk i respekton dhe aspak nuk bëjnë asgjë, Serbia mohon gjenocidin në Bosnjë e Kosovë, bashkëpunon me Rusinë e Kinën për destabilitet në Ballkan dhe shumë probleme tjera, dhe gjithë vëmendjen e kanë të Asociacioni, te një marrëveshje e cila është shpallur e jashtëligjshme ne më mbi 20 nene”, shprehet Kuçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, për dallim prej vendeve tjera, Kosova është i vetmi vend që nuk bashkëpunon në asnjë mënyrë me Rusinë dhe Kinën, andaj BE po i bën presion përmes “OpenBalkan”.

“Atëherë jemi para një udhëheqësie në BE ku në të tilla kushte duhet quar procesin ndoshta në “pikën e vdekur” dhe duhet pritur deri në “ndryshimin e udhëheqjes në BE” dhe stabilizimit të pushtetit në Gjermani, e ndoshta edhe deri tek ndryshimi i pushtetit në Francë. Kur demokracitë sot janë në defensivë, BE-ja zgjedh të përkrah autokracitë dhe jo Kosovën e cila çdo ditë po ndërton demokraci dhe është i vetmi vend në Ballkan që nuk bashkëpunon me Rusinë e Kinën në asnjë mënyrë. Sidoqoftë këtë qasje BE-ja ndaj Kosovës po e realizon si presion për fajin edhe të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut që përkrahën “OpenBalkan””, deklaron Kuçi.

Për fund, ai thotë se duhet të ndiqen penalisht personat që nënshkruan marrëveshjen për Asociacionin e Komunave serbe.

“Kosova duhet ta ruaj integritetin e saj me çdo kusht, në deklaratën e Sekretarit Blinken ku vuri sanksione për disa kriminelë serbë që veprojnë në Kosovë e shtoi edhe një fjali që Kosova është pjesë e “Hemisferës Perëndimore”.Asociacioni është veprim i paligjshëm, Institucionet e tanishme tani duhet që të ndjekin penalisht nënshkruesit e kësaj marrëveshje për tradhti kombëtare. Nëse dikush e do fort asociacionin, le të shkojë të jetojë në Bosnjë”, përfundon për gazetën “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat