Ditë më parë Ushtria e Kosovës arriti të festojë tre vjetorin e saj që nga themelimi.
Padyshim që kjo mbetet një ndër datat më të rëndësishme për popullin e Kosovës.
Është data 14 dhjetor ajo e cila shënoi një hap historik për vendin tonë.
Në lidhje me këtë temë Armend Halimi, ekspert i sigurisë, thotë se brenda mandatit të saj ligjor, Ushtria e Republikës së Kosovës është duke përparuar sado që ka një histori të re.

Ajo sipas tij është duke u zhvilluar me standarde të ushtrive përparimtare dhe bashkëkohore.
“Andaj, përkundër aspektit teknik që është e kufizuar në zhvillim sipas periudhës tranzitore, në aspektin e burimeve njerëzore është në hap me vendet e NATO-s, çka edhe i është besuar edhe misioni ndërkombëtar krah aleatëve.
Mirëpo, deri në përfundim të periudhës së paraparë, çka edhe kanë mbetur pak vite, Ushtria e Kosovës duhet të jetë e kompletuar për të qenë e aftë në posedim të të gjitha armëve dhe municioneve të lejuara në përdorim si ushtri”, thotë Halimi.