Cili ish-ministër i Kosovës urdhëroi heqjen e ndjekjes për Milan Radojçiqin dhe kriminelëve të veriut

Politika

Cili ish-ministër i Kosovës urdhëroi heqjen e ndjekjes për Milan Radojçiqin dhe kriminelëve të veriut

Nga: N. Sh. Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 01:31
Milan Radojiçiq dhe Ramush Haradinaj

Ishte 8 dhejtori i këtij viti, kur autoritetet amerikane kanë futur në listën e sanksioneve një grup të organizuar kriminal, që përbëhet nga serbët nga Kosova: Milan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vuloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Por, Kosova deri më tash ende nuk ka ndërmarr asnjë masë ndaj këtyre kompanive e individëve, të cilët janë pjesë e grupit ndërkombëtar të krimit.

Në anën tjetër zyrtarë të lartë amerikan, kanë kërkuar nga Serbia që t’i bëjnë përgjegjës edhe individët edhe kompanitë e tyre për krimet.

Për këtë çështje, analisti politik, Gani Qarri pohon se, ajo prokurori dhe gjyqësi e cila vetëm pak kohë më parë, me porosi nga lartë, ka liruar kriminelët nga ndjekja dhe arrestimi, duke ua hequr edhe aktakuzat që ishin ngritur kundër tyre, siç ndodhi me Milan Radoiçiqin, është pak e besueshme se tani, pa asnjë ndryshim dhe reforma të thella brenda saj, e njëjta t’i ndjekë të njëjtit kriminelë që veprojë ligjërisht kundër individëve dhe firmave të kriminalizuara të udhëhequra nga ta dhe bashkëpunëtorët e tyre.

“Madje duke pasur parasysh faktin se siç përflitet në opinion, ishte vet ish Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, ai i cili urdhëroi Prokurorinë t’i hiqte aktakuzat dhe kërkonte gjykatës përkatëse në Prishtinë që ta lironte edhe nga ndjekja njërin nga kriminalët kryesor të veriut, si Milan Radoiçiq, Kosova pothuajse e ka të pamundur të ndërmerr masa ligjore ndaj kompanive dhe individëve të inkriminuar serbë, si pjesë e grupit ndërkombëtar të krimit, përderisa prokuroria dhe gjyqësia mbeten të kapura dhe nuk punojnë për mbrojtjen e shtetit e zbatimin e rendit e të ligjit, por u janë nënshtruar politikanëve të inkriminuar, nga të cilët komandohen, kur ku dhe si të veprojnë”, thotë ai.

Prandaj, sipas tij, megjithëse Zyrtarët e larte amerikan, pas shpalljes së vendimit të Departamentit të Thesarit të Shtetit, i kanë kërkuar edhe Serbisë t’i bëjnë përgjegjës individët dhe kompanitë e tyre për krimet e shkaktuara në Kosovë, është Kosova ajo që pa reforma të thella dhe një Vetting të mirëfilltë në prokurori e gjyqësi, me njerëzit aktual në këto institucione, nuk mund të ndërmarr pothuajse asgjë në këtë drejtim. 

“Për aq më tepër edhe kur janë shpall në kërkim dhe nisur forcat e rendit për arrestimin e kriminelëve serb të veriut, Milan Radoiçiqi personalisht, është lajmëruar nga bashkëpunëtorët shqipfolës nga Prishtina, që të largohej nga shtëpia, sepse njësitë speciale ishin nisur për arrestimin e tij. E krejt kjo dëshmon më së miri, se kriminelët edhe po të shpallen në kërkim nga Kosova, dhe të hetohen e bllokohen kompanitë e tyre në Kosovë, siç kemi parë së fundi, firmat e inkriminuara serbe si ajo RAD, janë vetëm nënshkrues të tenderëve të marrë nga qeveritë e udhëhequra prej politikanëve të inkriminuar shqipfolës në Prishtinë, ndërsa punimet i kryenin firmat nënkontraktore shqiptare, nga e gjithë Kosova”, potencon Qarri.

Ai tregon edhe pse u kritikua aksioni i Policisë së Kosovës në veri të vendit nga opozita.

“Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, edhe me rastin e aksionit të fundit të njësiteve policore të Kosovës në Veri të vendit, Qeveria Kurti dhe dërgimi i policisë atje, më shumë u kritikua nga partitë e inkriminuara shqiptare në opozitë, nga frika e dëmtimit të interesave personale të udhëheqësve të tyre, të cilët janë të lidhur këmbë e krye me kriminelët kryesor të bandave në veri, Zvonko Veselinoviq e Milan Radoiçiq si dhe ndërmjetësuesit e BE-së për dialog, Lajçak dhe Borell, se sa, nga vet Serbia”, shton ai.

Sipas tij, të vetmit që kanë dalë hapur kundër veprave kriminale dhe kanë theksuar me emër e mbiemër bartësit e krimit të organizuar në veri të Kosovës, janë amerikanët

“Është Ushtruesi i detyrës së ndihmësit të sekretarit amerikan të Thesarit, Paul Ahern, i cili nga Beogradi deklaroi publikisht se të gjithë ata serbë nga veriu i Kosovës, individët e kompanitë e tyre të vendosura nën sanksione të SHBA-ve duhet të mbahen përgjegjëse dhe veprimet e tyre që shkaktojnë destabilitet, duhet të ndalen menjëherë, citohet deklarata e Ahernit në Ambasadën amerikane në Serbi”, përfundon analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat