Kjo është zgjidhja që Kosova dhe Shqipëria kurrë të mos kenë krizë me energjinë elektrike

Politika

Kjo është zgjidhja që Kosova dhe Shqipëria kurrë të mos kenë krizë me energjinë elektrike

Nga: G.B Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 09:56
Edi Rama dhe Albin Kurti

Kosova po përballet me krizë të energjisë elektrike.

Dhe Shqipëria ka vendosur që t’i ndalë në ndihmë për festën e Vitit të Ri.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se ka kërkuar nga Ministria e Energjisë që të vlerësojë çdo mundësi ndihme për Kosovën kur tani po përballet me krizë të energjisë elektrike.

“Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjetike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi”, shkroi Rama në Twitter.

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që t’i japë Kosovës 7,680 megavat energji elektrike për datën 31 dhjetor dhe 1 janar.

“Pas një dakordësie që kemi pasur me drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës kemi arritur që të sigurojmë 3,600 megavat për datën 31 dhjetor, dhe 4,080 megavat orë për datën 1 janar”, ka thënë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku.

Ministrja Balluku bëri të ditur se energjia do i jepet Kosovës në formën e depozitimit, pa asnjë efekt financiar dhe se do t’i kthehet gjatë verës.

“Kjo sasi do i kthehet pas Shqipërisë nga Kosova në sezonin e verës gjatë periudhës nga qershori në shtator kur vendi ndodhet në thatësi dhe ka mungesë të rezervave hidrike”, ka deklaruar ministrja.

Image
Rexhep Shahu

Lidhur me këtë, analisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se po të kishim qeveri më seriozë në Tiranë e Prishtinë, as Kosova e as Shqipëria nuk do të kishin krizë energjetike kurrë.

“Pa pretenduar se po bëj ekspertin sa i takon energjisë elektrike për Kosovën e Shqipërinë, dua ta shpreh bindjen e thellë se po të kemi qeveri serioze në Tiranë e në Prishtinë, asnjëherë në Shqipëri e në Kosovë nuk mund të ketë krizë për energji elektrike, nuk mund të mungojë ajo asnjëherë. Por fatkeqësisht ne kemi qeveri diletante në të dy vendet, qeveri që u duket Shqipëria e Kosova sa Kina e India, qeveri amatorësh dhe jo patriotësh sa duhet”, është shprehur ai.

Por, si do të duhej të veprohej?

Ai ka treguar dhe zgjidhjen.

“Meqenëse Shqipëria prodhon energjinë elektrike me lëndë të parë falas prej Zotit, prodhon energji elektrike me ujin e shiut, me ujin e lumenjve Drinit të bardhë e Drinit të zi, me ujë falas prej Zotit, Shqipëria ka mundësi ta furnizojë Kosovën një pjesë të madhe të vitit. Në kohën e thatësisë së madhe, Kosova që prodhon energjinë elektrike me qymyr, ka mundësi ta furnizojë aq sa mundet Shqipërinë me energji elektrike. Pra unë besoj se të dy shtetet, të dy mënyrat e prodhimit të energjisë u mjaftojnë për të mbajtur një ekuilibër dhe për të mos rënë në kriza. Por meqenëse prodhimi e tregtimi i energjisë elektrike është minisra më e madhe e floririt dhe abuzimit njerëzor, nuk është e mundur që të shkojnë mirë punët sepse në energji elektrike duhet të vidhet. Vetëm një nen i mungon kushtetutës së energjisë elektrike për Shqipërinë e Kosovën, ndershmëria për të mos vjedhur nga energjia dhe patriotizmi e dashuria reale mes dy vendeve që të shërbejnë si enët komunikuese për ta ruajtur e mirëpërdorur energjinë elektrike”, ka vlerësuar Shahu.

Sipas tij, qeveritë në Tiranë e Prishtinë deri tani nuk e kanë marrë seriozisht përdorimin e energjisë kombëtare dhe se Qeveria Rama ka inatin pse Kosova nuk qeveriset prej tij.

“Asnjëherë qeveritë në Tiranë dhe në Prishtinë në dy dekadat e lirisë nuk e kanë marrë seriozisht përdorimin e energjisë kombëtare, nuk e kanë trajtuar si aset kombëtar që na mjafton për të dy shtetet. Qeveria Rama nuk ka kohë as hapësirë për Kosovën sepse duket shalon inate pse Kosova nuk qeveriset prej tij ose pse udhëheqësit e Kosovës nuk e pyesin z. Rama për të gjitha punët e kësaj bote. Edhe nëse mund ta jap një dorë energji elektrike për ta ndihmuar Kosovën qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës nuk e kanë përulësinë dhe ndjeshmërinë që ta shohin energjinë elektrike si aset të përbashkët kombëtar”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat