Ligji për konfiskimin e pasurisë tmerron profiterët që bënë biznes me politikë/ Kush ka mbi 25 mijë euro...

Politika

Ligji për konfiskimin e pasurisë tmerron profiterët që bënë biznes me politikë/ Kush ka mbi 25 mijë euro...

Nga: N. Sh. Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 23:11
Ilustrim

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ky projektligj synon verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht.

Njëkohësisht projektligji garanton respektim të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare.

Byroja nuk do të merret me të gjithë qytetarët, por vetëm me zyrtarë e ish-zyrtarë të institucioneve të Kosovës.

Kjo byro, siç ka treguar zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, do të jetë institucion i pavarur, i cili do të themelohet e do t’i raportojë Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi do ta zgjedhë edhe drejtorin e byrosë, me shumicë të thjeshtë votash.

Rregullimi i brendshëm i kësaj byroje që do t’ua verifikojë pasurinë personave zyrtarë, familjarëve të tyre, personave të ekspozuar politikisht dhe palëve të treta, do të dihet më vonë, pasi ligji të hyjë në fuqi.

Njëkohësisht, siç ka bërë të ditur Sallahu, verifikimi i pasurisë ka fuqi retroaktive, çka do të thotë se pasuria e zyrtarëve mund të hetohet nga 17 shkurti i 2008-ës, si dhe deri në 10 vjet mbrapa kohës që një zyrtar ka lënë postin e tij, gjithnjë duke i paraqitur faktet se duhet të konfiskohet pasuria që nuk është arsyetuar dot pranë gjykatës.

Shuma e pasurisë, e cila bën që zyrtarët publikë të kenë punë me këtë byro është 25 mijë euro e sipër dhe hetimet mbi pasurinë vlejnë vetëm për ata që kanë nënshtetësi kosovare, e do të bashkëpunohet edhe me ndërkombëtarët, nëse ka dyshime se pasuria ruhet jashtë Kosovës.

Pasuria e zyrtarëve që nuk arsyetohet si u fitua do t’i kthehet shtetit dhe për këtë Ministria e Drejtësisë po përgatit një koncept-dokument të ri për të krijuar një lloj FONDI KONFISKIMI, e do të vendoset edhe ku do të destinohen mjetet.

Në lidhje me këtë projektligj, juristi Blerim Burjani potencon se, është një ligj në fuqi tash dhe një ligj tjetër gati i njëjtë.

Sipas tij, me rëndësi është zbatimi i tij dhe si do të zbatohet ky ligj, e kjo shton ai, varet nga Prokuroria dhe gjyqësia.

“Është vështirë të mendohet se si do të ndodh kjo, deri më tani nuk ka pasur luftim të krimit të lartë të bërë nga të ashtuquajturit politikanë dhe liderë politikë, që realisht ishte i tërë biznes politik, dhe ky biznes është biznesi më profitabil”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, marrja me politikë për shumë njerëz ia ka vlejt të merren, pasi shumica prej tyre nuk janë për këtë punë, pra nuk janë politikanë.

“Pra krimi ekonomik dhe dëmi që i është bërë pasurive të shtetit prej privatizimit e deri te tenerat dhe rritja e pagave enorme dhe shpenzimeve me qëllim përfitimi janë të shumta. Pra pak lenë hapësirë për të i besuar se do të ndodh një gjë e tillë, pasi që, edhe Kodi Penal parasheh konfiskimin pa bazë, por nuk ka zbatim. Pra kemi mungesë të zbatimit të Kodit Penal dhe ligjeve në fuqi”, përfundon Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat