“Të gjallët le të jenë të lumtur se janë gjallë”/ Muhamet Hamiti: Kështu profetizoi Enver Maloku vitin e lirisë, 1999

Politika

“Të gjallët le të jenë të lumtur se janë gjallë”/ Muhamet Hamiti: Kështu profetizoi Enver Maloku vitin e lirisë, 1999

Nga: M.L. Më: 11 janar 2022 Në ora: 15:42
Muhamet Hamiti

U bënë 23 vjet nga vrasja e Enver Malokut, veprimtar i shquar të çështjes kombëtare, udhëheqës i Qendrës Informative të Kosovës (QIK) dhe kolumnist i rregullt i gazetës “Bota sot”.

Në 23 vjetorin e vrasjes, Enver Malokun e kanë përkujtuar familjarët dhe bashkëveprimtarët e tij.

Ata e kanë konsideruar si mjaft shqetësues faktin se vrasja e tij nuk është zbuluar ende.

Në një bisedë për gazetën “Bota sot”, prof. dr. Muhamet Hamiti ka shpalosur kujtime nga puna me Enver Malokun në QIK.

Ai ka rikujtuar se Maloku u vra gjashtë muaj pasi kishte shpëtuar nga një atentat në të njëjtin vend, në hyrje të banesës së tij.

“Kam folur jo rrallë për profilin e jashtëzakonshëm njerëzor e profesional të Enver Malokut, i cili u vra më 11 janar 1999, para 23 vjetësh, gjashtë muaj para se të përfundonte lufta dhe Kosova të dilte e lirë, gjashtë muaj mbasi kishte shpëtuar nga një atentat në të njëjtin vend ku më në fund e vranë, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.

Ka qenë gazetari kryesor politik në vitet e nëntëdhjeta, shef i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), agjencisë së parë të lajmeve të Kosovës, prej vitit 1993. Te QIK-u kam punuar gjatë asaj dekade me Enverin e shumë kolegë të tjerë në kushte të rënda, por me besimin e palëkundshëm se po bënim punë të madhe për të njoftuar për ngjarjet në Kosovë në vitet e luftës për liri e pavarësi gjatë okupimit serb, për ta njohur botën me kauzën e popullit të Kosovës”, deklaroi Hamiti për “Bota sot”.

 

Kështu profetizoi ai vitin e lirisë 1999

Hamiti theksoi se “mallkim” për jetën e shkurtër të Enver Malokut u bënë besimi, guximi dhe fuqia e tij e argumentit, e cila shqiptohet sidomos te shkrimet e vitit 1998, të kohës së polarizimeve të mëdha ideologjike e politike në vlugun e luftës së Kosovës.

E kam thënë, dhe po e përsëris, se mallkim për jetën e tij të shkurtër u bënë besimi, guximi dhe fuqia e tij e argumentit, e cila shqiptohet sidomos te shkrimet e vitit 1998, të kohës së polarizimeve të mëdha ideologjike e politike në vlugun e luftës së Kosovës. Enveri ka lënë testamentin e vet, i cili gjendet i ruajtur te “Gjuha e stuhisë”, libër me shkrime të tij që e botuam në vitin 2002, me një parathënie timen. Kështu profetizoi ai vitin e lirisë 1999 në shkrimin e mbramë të vitit 1998 (“Viti i luftës 1998 dhe viti i lirisë 1999”): “Nga viti i luftës 1998, të shpresojmë se po kalojmë në vitin e lirisë 1999. Të gjallët le të jenë të lumtur se janë gjallë, pavarësisht prej dhembjes, pikëllimit e trishtimit... Le të gëzojnë dhe festojnë të gjallët që i pret një vit shumë i vështirë, viti i luftës dhe i lirisë. Gëzuar Vitin e Ri 1999, Vitin e lirisë.”, nënvizon Hamiti.

E sipas Hamitit, të interesuar për t`ia marrë jetën Enver Malokut, ishin Serbia dhe kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës.

“Çka të thuhet sot, 23 vjet mbas shkuarjes në amshim të Enver Malokut, mikut tim, bashkëpunëtorit të afërt të Presidentit Ibrahim Rugova, njeriut të mirë e profesionistit të pacen që punoi me energji të pashtershme në shekullin e tij të shkurtër të punës? Nuk e di si qëndron puna me mundësitë për të gjetur vrasësit apo porositësit e vrasjes së Enver Malokut. Një gjë është e sigurt, me ia marrë jetën e me e nda prej punës së tij të madhe për Kosovën kanë qenë të interesuar Serbia dhe kundërshtarët e Pavarësisë së Kosovës. Kush do ta njohë Enver Malokun, le ta lexojë testamentin e tij!”, përfundon Hamiti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat