“Ka dalë haptazi në mbrojtje të Serbisë”/ Vjen thirrja për Kosovën: Urgjentisht të kërkojë largimin e Josep Borrellit

Politika

“Ka dalë haptazi në mbrojtje të Serbisë”/ Vjen thirrja për Kosovën: Urgjentisht të kërkojë largimin e Josep Borrellit

Nga: P.R Më: 14 janar 2022 Në ora: 12:05
Albin Kurti dhe Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të lejojë mbajtjen e referendumit serb edhe në Kosovë. Sipas Borellit, serbët duhet të lejohen të votojnë ashtu si në të kaluarën.

“Dje fola me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin lidhur me mbledhjen e votave në Kosovë për referendumin kushtetues të së dielës në Serbi. Mbledhja e votave në Kosovë në të kaluarën është bërë përmes lehtësimit nga OSBE. Njerëzit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, ka shkruar Borrell në Twitter.

E këtë e ka kundërshtuar kryeministri Kurti, sipas të cilit, serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë nëpërmjet postës apo në Zyrën ndërlidhëse në Prishtinë.

“Në një telefonatë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, ia përcolla qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë të cilët kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë nëpërmjet postës apo në Zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. Një referendum në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar në asnjë vend demokratik”, ka shkruar Kurti në përgjigjen e tij.

Po ashtu, gjatë ditës së sotme edhe vendet e QUINT-it i, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë me ndërmjetësimin e OSBE-së.

Por kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë ka dal edhe analisti politik, Gani Qarri.

Sipas tij, Josep Borrell, ka dalë haptazi në mbrojtje të Serbisë dhe është shndërruar në zëdhënës të Vuçiqit.

Image
Gani Qarri

“Në fakt përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë takuar disa herë pa arritur pajtim, takimi i fundit i të cilëve ka ndodhur qysh më 19 korrik të vitit të kaluar, pa asnjë përparim në ndonjërën prej temave të dialogut, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka dalë haptazi në mbrojtje të Serbisë dhe nuk vepron më si ndërmjetësues neutral, por si zëdhënës i Aleksandër Vuçiqit. Madje, ai këtë e dëshmoi, jo vetëm me prononcimet anti-Kosovë pro asociacionin një etnik serb, duke e ditur mirë se Kosova nga vet BE, është perceptuar si shtet multi-etnik, dhe kërkuar formimin e të dytës "Republika srpska", edhe në Kosovë, ngase nuk u mjaftojnë problemet që Millorad Dodik ua nxjerrë BE-së dhe mbarë bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë”, shprehet Qarri për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se mbajtja e referendumit serb në Kosovë, do të nxiste edhe më shumë pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës.

“Dhe sikur mos të mjaftonte as kjo, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, kërkon edhe mbajtjen e referendumeve të Serbisë hegjemoniste në Kosovë, e cila këtë e bënë në bazë të pretendimeve territoriale ndaj shtetit të pavarur të Kosovës, sikur Kosova të ishte vend i aneksuar nga Serbia dhe jo shtet i pavarur e sovran, që nga viti 2008 e këtej. Për dijen e Borellit & Co, pavarësia e Kosovës është vulosur qysh me 2010 edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si organi më i lartë juridik i OKB-së, vendimi i të cilës është mbizotërues dhe plotësisht i pakontestueshme, i cili hedh poshtë të gjitha pretendimet serbe dhe teoritë konspirative të Josep Borellit, qoftë ai edhe përfaqësues i përkohshëm i BE-së, në kontest me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si vend i pavarur dhe shtet më vete, i cili nuk guxon të lejojë ndërhyrje të tilla, as nga BE”, thekson Qarri.

Lidhur me deklaratën e Borellit, Qarri thotë se edhe shqiptarët që janë nën Serbi duhet të trajtohen njëjtë nga Bashkimi Evropian, e jo të diskriminohen në sytë e BE-së.

“E nëse siç thotë Borell, njerëzit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, sepse edhe në të kaluarën mbledhja e votave në Kosovë, qenka bërë përmes lehtësimit nga OSBE-ja, atëherë edhe shqiptarët nën Serbi duhet të shihen dhe trajtohen me sy të njëjtë, nga Serbia dhe Borelli e BE, dhe jo të diskriminohen para syve të BE-së, deri në atë shkallë, sa që tu fshihen edhe adresat në trojet e veta autoktone”, deklaron Qarri.

“Për aq më tepër, në trojet e banuara me shqiptar autokton nën Serbi, edhe fëmijëve minor, që nga klasa e parë, u ndalohen edhe abetaret në gjuhën e vet amtare, ndërsa vetëm shqiptarët e kanë të ndaluar flamurin dhe çdo simbol kombëtar, përderisa sistemi shkollor i shtetit hegjemonist serb dhe flamujt e simbolet tjera të Serbisë okupatore, edhe 23 vite pas çlirimit, përdoren lirish në gjithë Kosovën, madje përkundrazi në qytetet kosovare, ku jetojnë serbët, ata nuk lejojnë dukjen e asnjë simboli shtetëror të Kosovës, por mohimin e shtetit të Kosovës nga serbët e Kosovës, duket se Borell çuditërisht e gjen si akt të duhur dhe demokratik”, shpjegon më tej analisti politik, Gani Qarri.

Ai kërkon që përfundimisht, Qeveria Kurti të hedhë poshtë mundësinë e mbajtjes së referendumit serb, pavarësisht kërkesave të ndërkombëtarëve.

“Kështu që duke njohur qëndrimet e tij të hapura pro-serbe, kërkesat e Borellit i cili ka kohë që nuk sillet më si ndërmjetësues, por si palë e tretë, me anim të hapur nga Serbia në dialog, kërkesat e tij përfundimisht duhet të hidhen poshtë dhe as të mos pranohen më për shqyrtim nga shteti i Kosovës, kur ai pa fije turpi, kërkon të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, deri te mbajtja e referendumeve të një shteti tjetër, si Serbia hegjemoniste, në shtetin e pavarur të Kosovës, gjë që Kosova nuk duhet ta lejoj, në asnjë mënyrë”, thekson Qarri.

Për fund, Qarri thotë se Kosova duhet urgjentisht të kërkojë zëvendësimin e Josep Borellit.

“Dhe jo vetëm për shkak të kërkesave skandaloze të tij, por edhe për arsye të qëndrimeve të hapura pro-serbe, të Borellit, Kosova duhet të kërkojë urgjentisht zëvendësimin e tij, i cili edhe për shkak të mbamendjes së rënduar dhe humbjes së lidhjeve me realitetin, sidomos sa i takon shtetit të pavarur të Kosovës, qysh moti do duhej të ishte në pension, dhe të zëvendësohej me një personalitet të lartë të qëndrueshëm dhe të paanshëm evropian, përndryshe bisedimet me Serbin në atmosferë të tillë, kur edhe ndërmjetësuesit anojnë hapur, pro- Vuçiqit dhe Serbisë, është e pamundur të mbahen as të vazhdohen më tej”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat