Thaçi dhe Mustafa dëmtuan Kosovën/Analisti nga Amerika tregon dy politikanët që duhet larguar nga politika, ka disa fjalë për referendumin

Politika

Thaçi dhe Mustafa dëmtuan Kosovën/Analisti nga Amerika tregon dy politikanët që duhet larguar nga politika, ka disa fjalë për referendumin

Nga: G.B Më: 14 janar 2022 Në ora: 15:49
Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama

Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk duket askund në horizont. Kjo pavarësisht se dialogu në mes të dyja vendeve ka hyrë në vitin e 11-të.

Bisedimet vazhdojnë e pezullohen, derisa marrëveshjet kryesisht nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë.

E së fundi duket se pengesë për vazhdimin e dialogut është asociacioni i komunave me shumicë serbe, themelimin e të cilit e kërkon me ngulm Serbia, ndërsa që Kosova është kundër dhe nuk dëshiron që ta formojë, pasi ai është shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Por, sa do të ndikojë kjo që dialogu të mos vazhdojë tani për tani dhe që rrjedhimisht të shtyhet arritja e një marrëveshje finale?

Se sa larg është marrëveshja Kosovë-Serbi, a e ngadalëson asociacioni dialogun dhe kur mund të pritet një takim në mes të Kurtit dhe Vuçiq, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti nga Amerika, Ramazan Bekteshi.

Ai ka thënë se dëmtimin serioz Kosovës në dialog ia sollën dy politikanët, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.

“Vështirësimin e dialogut dhe dëmtimin serioz të kauzës kosovare të shtet ndërtimit e kanë shkaktuar politikanët e saj vasal në të kaluarën të dy partive kryesore. Njëri i krahut të luftës, HTH, që shtirej se luftoi në shumë beteja por paradoksalit qëndroi larg tyre. Thaçi, derisa ishte gjallë Presidenti Rugova jo vetëm që i humbte të gjitha zgjedhjet por Presidenti as që dëshironte që ai të kishte rol udhëheqës në qeverinë e Kosovës. Ai me te drejte insistonte që rol udhëheqës nga PDK-ja mund të kishte Bajram Rexhepi, dhe jo HTH në asnjë rrethanë. Ishte ky një instinkt profetik i Rugovës kur të kemi parasysh se çfarë pasojash i solli Kosovës udhëheqja e Thaçit. Politikani tjetër që i shkaktoi gati po aq dëm Kosovës sa HTH vjen nga partia e Rugovës. Ky është Isa Mustafa qe se bashku me HTH i shkaktuan Kosovës dëme të pariparueshme qe i vuajmë edhe sot ne kolektivisht”, është shprehur analisti.

Sipas Bekteshit, si pasojë e tradhtive të tyre tani qeveria duhet të kundërshtojë kërkesat e Borrellit për asociacionin dhe tani kërkesën për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë, duke harruar se Kosova është shtet.

“Tani, si pasojë e tradhtive të HTH dhe Isës vuan edhe qeveria Kurti që me stoicizëm i kundërshton kërkesat makabre të Borrellit që mos shkohet dhe provokohet veriu i Kosovës edhe kur është në pyetje krimi i organizuar, dhe Borrelli s’kënaqet me kaq por kërkon që të formohet Zajednica ashtu si dëshiron Vuçiqi, kërkon të mbahet referendum i Serbisë edhe në Kosovë njëjtë si në Serbi duke harruar se Kosova është shtet i pavarur. Por Kryeministri ynë ashtu si i ka hije një lideri të zgjedhur nga populli, ia tregon rregullat e shtetit Borrellit dhe Vuçiqit. Pra, HTH dhe Isa jo vetëm që nuk bënë investime kapitale si në energji por privatizimin e shndërruan në profit për partinë edhe individë, derisa masakrën e Parkut Nacional në Brezovicë e shndërruan në pre midis Listës serbe dhe PDK-së”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Image
Ramazan Bekteshi

Ai potencon se dialogu është barrë e madhe për qeverinë Kurti me opozitën që ka dhe Shqipërinë e Ramën që është më i afër me Vuçiqin se me Kosovën.

“Dialogu vazhdon të jetë një barrë e madhe për qeverinë Kurti kur të shihen rrethanat e disfavorshme të krijuara në Kosovë me një opozitë që s’e kundërshton haptas Ballkanin e Hapur, por vazhdimisht kërkon kompromise të dhimbshme dhe marrëveshje të shpejta, me një Shqipëri buzë greminës që sa herë Kosova hy në faza kritike të shtet ndërtimit në Shqipëri gjithmonë pjell një e keqe. Me një kryeministër shqiptar si Rama që më i afërt është me hasmin dhe bashkëpunon pa hezitim me Vuçiqin duke ia zgjatur atij jetën politike dhe duke e dobësuar pozicionin e Kosovës, një kryeministër që kufijtë detar të Shqipërisë i ka lënë në heshtje, si të ishte një akt i kryer”, ka theksuar Ramazan Bekteshi.

Ai shton se në këto rrethana nxitimi në dialog rëndohet me thirrjet për kompromise të dhimbshme dhe se formimi i asociacionit nuk duhet të pranohet assesi.

“Nxitimi në dialog në këto rrethana të rënduara dhe me presionet që bëhen nga brenda përmes disa “TV stranicave” në Prishtinë veçse e rëndojnë dialogun, disa duke thirrur për kompromise të dhimbshme, marrëveshje të shpejtë dhe disa të tjerë duke e ringjallur idenë për këmbim territoresh. Pranimi që të bisedohet për Zajednicën në ketë formë nuk duhet kurrsesi të lejohet që ajo të jetë me kompetenca ekzekutive dhe mono etnikë, por një Zajednicë multietnike dhe “pa dhëmbë” si sugjerojnë disa miq tanë”, ka deklaruar analisti.

Bekteshi përmend edhe tre diplomatët amerikanë që i quan shpresëdhënës për dialogun, derisa shton se edhe Ambasadori Hovenier e di që dialogu kërkon kohë dhe përgatitje.

“Derisa BE-ja është fort dekurajuese me këtë formacion negociatorësh, në anën tjetër administrata Biden ka instaluar tre diplomatë shpresëdhënës që dialogut do t’i japin kahjen e duhur. Edhe nëse nuk ndodh një marrëveshje e shpejtë si që presin disa, pasi kjo vështirë se ndodh derisa të jetë në pushtet Vuçiq, sepse ai dhe Daçiq veçse janë deklaruar se kurrë s’do ta njohin Kosovën, andaj, s’është dhe fundi i botës, sepse Kosova mundet edhe pa njohjen nga Serbia. As Ambasadori Hovenier nuk e përmendi dialogun gjatë takimeve të para në Prishtinë sepse ky e ka të qartë se dialogu kërkon kohë, përgatitje dhe akordim. Amerika e ka të qartë se sa i pabesës është Vuçiq dhe pse gjithmonë premton ai as sot pas 22 vitesh nuk i dorëzoi vrasësit e tre qytetarëve amerikan, vëllezërve Bytyqi. Saga e Vuçiqit me Putinin gjithmonë po forcohet duke i inkurajuar aktivitetet e rrezikshme në Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë”, është shprehur ai.

Analisti mendon se shpresat për sukses në dialog shtohen me ikjen e Ramës dhe Vuçiqit nga skena politike, pasi Vuçiq është kriminel lufte, ndërsa që shton se me këtë qeveri nuk pritet tradhti në dialog si në të kaluarën.

“Ikja e Vuçiqit dhe Ramës nga skena politike, pajtimi kombëtar në Shqipëri dhe bashkimi i faktorit kosovar rreth dialogut do t’i shtonte shpresat për sukses. Kur lëngon Shqipëria, Kosova vuan edhe me fort. Vuçiqi nuk është njeri i paqes, ai është një kriminel lufte, prandaj ata që presin paqe me Vuçiqin ky është një mision i pamundur. Shqiptarët e kanë në dorë fatin e vet dhe vetëm nënshkrimi si në të kaluarën i qet ata para aktit të kryer. Me këtë qeveri nuk pritet tradhti si në të kaluarën andaj duhet bërë përpjekje që mos të kthehen ata që falin e nënshkruajnë çdo akt vetëm për pushtet”, ka përfunduar analisti nga Amerika, Ramazan Bekteshi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat