“Ose hiq dorë nga LDK-ja, ose të pret revolja kokës!”/ 20 vjet nga vrasja Smajl Hajdarajt, pistat e hetimit

Politika

“Ose hiq dorë nga LDK-ja, ose të pret revolja kokës!”/ 20 vjet nga vrasja Smajl Hajdarajt, pistat e hetimit

Nga: M.L. Më: 17 janar 2022 Në ora: 17:14
I ndjeri Smajl Hajdaraj në takim me Presidentin historik, Ibrahim Rugova

Sot (17 janar) mbushen plot 20 vjet nga vrasja e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Smajl Hajdaraj.

17 janari i vitit 2002 shënon një nga ngjarjet më të rënda të Kosovës së pasluftës, përcjell “Bota sot”.

Smajl Hajdaraj, veprimtar i çështjes kombëtare; kryetar i LDK-së për Rugovën; shef i operativës së Brigadës 136 "Rugova", komandant i UÇK-së për trevën e Rugovës; deputet i Parlamentit të Kosovës, do të qëllohej për vdekje në hyrje të banesës së tij në Pejë, 20 vite më parë.

Kjo vrasje sikurse edhe vraset e shumë intelektualëve e figurave të shquara të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk janë zbardhur ende.

Deri më sot, institucionet vendore nuk kanë bërë asgjë konkrete për zbardhjen e këtij rasti. Ndonëse nuk futet në mandatin e përcaktuar të Gjykatës Speciale për hetimin e lëndëve, familjarët megjithatë kanë shpresë se vrasja e më të dashurit të tyre do të zbardhet nga ky institucion.

Një pikë e aktakuzës së speciales, thotë se në një numër rastesh, përfshirë edhe në fillim të shtatorit 1998 në zonën operative të Dukagjinit, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi ndërmorën hapa për të frikësuar dhe për të vendosur pushtetin e tyre mbi njësitet e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) të lidhura me qeverinë në mërgim.

Zeqiraj: Ishte interes i drejtëpërdrejtë i krerëve të SHP të UÇK-së

Image
Idriz Zeqiraj

 

Se vrasja e Smajl Hajdarajt ishte në interes të “drejtpërdrejtë” të krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së e thotë edhe veprimtari dhe publicisti Idriz Zeqiraj.

Në një bisedë për gazetën “Bota sot” Zeqiraj ka folur për mënyrën se si ndodhën vrasjet politike të para, gjatë dhe pasluftës, përfshirë këtu edhe vrasjen e ish-deputetit Smajl Hajdaraj.

“Ishte interes i drejtëpërdrejtë i krerëve të SHP të UÇK-së të LPK-së, për ta marrë pushtetin me dhunë, duke i likuiduar, përgjakshëm, kundërshtarët politikë”, thotë Zeqiraj për “Bota sot”.

Sipas Zeqirajt, Smajl Hajdaraj, si intelektual i kompletuar, si luftëtar dhe si veprimtar e luftëtar i dëshmuar, ishte e pritshme, që, në një të ardhme të afërt, të konkurronte dhe të fitonte besimin e qytetarëve, për ta drejtuar komunën e Pejës.

Andaj, për ta shmangur konkurrencën, njëherësh, disfatën e sigurtë të "komandantëve", SHP i UÇK-së të LPK-së, zgjodhi likuidimin fizik të Smajl Hajdaraj, si masë preventive, ende pa u provuar me votë, të bindur se ishte i patejkalueshëm në fitore.

Tutje Zeqiraj përmendi edhe rastet e tjera të vrasjeve politike që goditën Kosovën e pasluftës.

“Krerët e LPK-së, tashmë, të konvertuar në PDK, përkatësisht, në PAN, vrasjet politike, të kryekomunarëve të pritshëm, e kishin filluar qysh përgjatë luftës. Njëjtë kishin vepruar me Idriz Rrecajn, kryetar i LDK-së në Skënderaj, gjatë luftës, si kandidat potencial, për të parë të komunës, duke e shpallur, kinse, të zhdukur nga pushtuesit; me komandant "Drinin", alias Ekrem Rexhën; Shaban Manaj, nga Istogu, për të njëjtat motive.

Dhe, për të vazhduar me logjikën kriminale vrastare, me kryetarët e suksesshëm në detyrë, Ismet Rracin e Klinës, Ukë Bytyçin e Suharekës dhe shumë qindra kuadro e veprimtarë të LDK-së; ushtarakët luftëbërës të FARK-ut, si dhe brenda llojit ideologjik, kuadrot dhe veprimtarët e hershëm të LPK-së, konkurrentë potencialë, për pozita drejtuese në parti dhe pushtet”, nënvizon Zeqiraj.

Çfarë kishte deklaruar publikisht Smajl Hajdaraj, gjatë luftës?


Ai thotë se synimet vrastare për marrjen e pushtetit me dhunë e përgjakje, deputeti Smajl Hajdaraj i kishte denoncuar qysh gjatë luftës.

“Synimet vrastare për marrjen e pushtetit me dhunë e përgjakje, të krerëve të LPK-së, njëherësh, edhe krerë të "UÇK-së", të LPK-së, përkatësisht, të PAN-it të sotëm, Smajl Hajdaraj i ka denoncuar qysh gjatë luftës, si paralajmërim për planifikimin e vrasjeve të kundërshtarëve politikë, me gjyqe fiktive, "partizançe", në stilin e kriminelit Enver Hoxha, i cili luftën çlirimitare, e konvertoi në luftë civile, ndër shqiptare. Andaj, Shqipëria nuk gëzoi dëmshpërblim, reparacionet e luftës, siç përfituan vendet tjera të kyçura në luftë kundër fashizmit.

"Ne jemi të vendosur për krijimin e shtetit, me sa po duket dikujt kjo po i pengon dhe dëshirojnë të marrin pushtetin me dhunë, frikësime, kërcënime dhe shpërndarje të afisheve, për të arrestuar veprimtarë të pushkës dhe të penës, çka është më e keqja për t´i vrarë, likuiduar, linçuar sipas metodave envero-staliniste", kishte deklaruar publikisht Smajl Hajdaraj, gjatë luftës”, shton Idriz Zeqiraj.

Ai thekson se pyetja-dilemë, tashmë, e bërë virale në Kosovë dhe përtej saj, kudo që frymojnë shqiptarët, është përse vrasësit e Smajl Hajdaraj dhe intelektualëve të tjerë të LDK-së, nuk u zbuluan asnjëherë nga drejtësia në Kosovë?!

“Përgjigje më adekuate do të ishte se askush nuk i bënë gjyqin vetës. Në Kosovë, gjatë dhe pas luftës "lulëzoi" krimi shpengueshëm”, potencon Zeqiraj.

Deklarata e prokurorit Smith që “lakuriqësoi” protegonistët e krimit

Zeqiraj tregon se si protagonistët e krimit i ka lakuriqësuar prokurori amerikan, Jack Smith, me ekipin e tij.

“Përgjatë hetimeve disa vjeçare, ai ka konstatuar se krimet janë numerike, përveç atyre të soldateskës serbo-sllave, edhe krimet kundër shqiptarëve të pafajshëm, kryesisht, likuidime politike. Për këtë akuzon disa "komandantë", që thirrën në emër të UÇK-së! Dhe, ata i emërton, saktësisht, si - Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale -. Padyshim, kjo është një gjetje adekuate. Sepse krimet janë bërë nga bandat e krijuara nga "komandantët", për interesat e tyre, në Dukagjin, Drenicë, Llap e Gollak, Anamoravë e Karadak. Anashkalimi i kësaj emërtese akuzuese, do të ishte rivrasje e shumë qindra viktimave politike”, shprehet Zeqiraj.

Pistat relevante të hetimit

Publicisti Idriz Zeqiraj thekson se për vrasjen e komandantit dhe deputetit Smajl Hajdaraj, ka dëshmi dhe pista relevante hetimi:

“1. Ndalja e veturës të Hajdaraj, nga një komandant, me ushtarët e tij dhe kërcënimi "ose hiq dorë nga LDK-ja, ose të pret revolja kokës!"

“2. Një komandant kishte marrë urdhër nga SHP, për ta vrarë Smajl Hajdarajn, por, ishte penduar dhe vetëdenoncuar, se "nuk e bëj këtë krim!"

3. Një raport-letër e Hajdarajt, flet për luftën e UÇK-së dhe grupin që e pengonte organizimin ushtarak në Rugovë.

4. Arma e zbrazur, në hollin e banesës përdhese, alarmoi familjen. E para hap derën vajza e Smajlit dhe duke e parë të shtrirë dhe të përgjakur babanë, shpërthenë në vajë e thirrje. - "Pse po bërtet? Nuk asht ba nami pse ashtë vra baba", - i thotë polici, gjakftohtë, vajzës, i cili kishte shoqëruar atentatorin. Edhe pse polici, në detyrë, është identifikuar, askush nuk ka provuar ta hetojë atë, pse u ndodh aty, pikërisht, në atë kohë”, nënvizon Zeqiraj.

Ai thotë se disa komandantë kriminelë, duke qenë në krye të partive politike, u katapultuan në shtet e pushtet.

“Me bandat e tyre, të krijuara gjatë luftës, të instruktuara nga sigurimsat e Enver Hoxhës, shërbenin si logjistikë të shantazheve, kërcënimve, rrahjeve, kidnapimeve, vjeljen e haraçit të përgjakshëm dhe deri në vrasjet në pusira, ditën për diell dhe natën në errësirë. UNMIK-u bënte sehir. Arrestonte kriminelët faktueshëm dhe i lironte ata korruptueshëm!”,tregon Zeqiraj.

Frika nga Vettingu

Por pse sipas Zeqirajt, nisma e Qeverisë Kurti, për bërjen e Vettingut, ka hasur në rezistencën e organizuar të Prokurorit të Shtetit, të Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor.

“I gjithë sistemi i drejtësisë është kapur nga "komandantët" kriminelë e hajna zyrtarë, të ndihmuar fort nga SHIK-u i tyre, që thirrën në luftën, por, realisht, nuk kanë qenë pjesë e luftës. Spastrimi i drejtësisë, nga elementët e shantazhar dhe korruptivë, është domosdo për ç’kapjen, jo vetëm të drejtësisë, por edhe të shtetit në përgjithësi”, shton Zeqiraj.

Sipas tij, fillimisht, Gjykata e Hagës ishte shpresa e parë, për hetimin dhe zbulimin e vrasjeve politike.

“Arrestimet ishin të studiuara, mjaftueshëm të faktuara, sepse krimet kishin ndodhur, shumë syrësh, pothuajse, mund të cilësohen si "një e fshehtë publike". Megjithatë, dënimet ose ishin simbolike, ose liroheshin "për mungesë provash!" Ndërkohë, varret, shtatoret, bustet e të vrarëve, të kundërshtarëve politikë ishin kudo nëpër Kosovë! UNMIK-u e reduktoi stafin burokratik, duke u zëvendësuar nga EULEX-i, i cili zbarkoi me premtime të mëdha se "do të vendosë rend e ligj". Por, nuk bëri asgjë, sepse as nuk hetoi, as nuk zbuloi dhe aq më pak të luftojë e ndëshkojë krimin dhe kriminelët! Ky ishte zhgënjimi i madh i radhës”, thotë Zeqiraj.

Si i pranuan LPK-në dhe PAN-i i sotëm krimet vrastare?

Ai thotë se LPK-ja e djeshme dhe PAN-i i sotëm i ka pranuar krimet vrastare të veprimtarëve të LDK-së.

“Vërtetë, LPK-ja e djeshme, përkatësisht, PAN-i i sotëm, i ka pranuar krimet vrastare, të paktën, të kuadrove dhe të veprimtarëve të LDK-së, kur në organin kryesor të partisë, ka shkruar: "Ata që po i vret UÇK-ja, po i vajton LDK-ja". Një fakt tjetër i pranimit të fajësisë, është porosia e Hashimit, të dhënë kolegëve të tij, ende duke qenë në liri: "Mbrohuni në heshtje, në hetuesi dhe në gjyq!", shprehet ai.

Andaj sipas Zeqirajt, krijimi i gjykatës speciale të Kosovës, me seli në Hagë, u prit me aprovim, nga shqiptarët e kudondodhur.

“Të gjitha sondazhet kapin shifrën e 85 %, e të të anketuarëve, të cilët kërkojnë drejtësi për krimet makabre, gjatë dhe pas luftës. Kjo është një shpresë e dytë, e radhës, se, më në fund, do të ketë drejtësi edhe për ekzekutimet politike, të ushtarakëve të FARK-ut, kuadrove dhe të veprimtarëve të LDK-së, si dhe kuadrove të hershëm të LPK-së”.

Dëshmitari potencial, i vrarë?

Natyrshëm, Idriz Zeqiraj thotë se nga gjykata speciale pritet, më në fund, të hetojë, zbulojë dhe të ndëshkojë krimet politike.

Zeqiraj thotë se një dëshmitar potencial i gjykatës speciale u vra dhe u dogj në veturën e tij në Pejë.

“Por, ajo që vë në dyshim këtë gjykatë, është kufizimi në kohë i hetimit të krimeve! Duke pasur parasysh se - Ndëmarrja e Përbashkët Kriminale -, identifikohet me vrasjet e listuara dhe të ekzekutuara, deri në fund-vitin 2000, pse të mos shtrihet në kohë, edhe dy dekada më vonë, që kanë vazhduar vrasjet politike, të paktën, deri në shkurtin 2020, kur vritet dhe shkrumohet në veturë e tij, dëshmitari potencial i gjykatës speciale, në një fshat të Pejës. Ky kufizim, për të cilin kanë punuar dhe paguar shumë "komandantët" e inkriminuar, duhet të hetojë deri në fund, krimet numerike. Përndryshe, dështimi i kësaj gjykate do të ishte parathënë”, thotë Zeqiraj.

Në fund, Zeqiraj hedhë kritika edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti, i cili ka deklaruar se të burgosurit në Hagë do t`i kishte dënuar vetëm për korrupsion dhe jo për vrasjet politike.

“LVV ka premtuar, bujshëm, se pushteti i saj do ta ketë përparësi luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, pra, hajninë zyrtare. Por, kryeministri Kurti e huqi premtimin! I pyetur për të izoluarit në Hagë, Kurti tha se "unë do t`i kisha dënuar për korrupsion", duke mos përmendur krimet vrastare. Kjo u lexua si amnistim i krimit të organizuar! Dhe, kjo është zhgënjyese për shqiptarët, që presin drejtësi”, përfundon Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat