Janari muaj i zi-së për shqiptarët

Politika

Janari muaj i zi-së për shqiptarët

Nga: A.M. Më: 18 janar 2022 Në ora: 17:14
Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka

Më 17 janar,  u mbushën 40 vite nga atentati ndaj Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Profesori Milazim Maraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur për tre veprimtarët e çështjes kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zeka.

Ai ka treguar se pse vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin vlerësuar si të rrezikshëm nga Serbia.

“Sot më 17 Janar mbushen plotë katër dekada nga atentati i UDB-së jugosllave ndaj vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Ndaj organizimit të shqiptarëve të përndjekur nga trojet e veta nga Kosova.

Jusuf Gërvalla ishte intelektual i shquar dhe artist i këngës dhe fjalës së shkruar. Ishte vizionar, patriot, që kishte vendosur potencialin e tij intelektual dhe profesional në shërbim të popullit të vet. Bashkimin e shqiptarëve në Evropë ishte i domosdoshëm për këtë organizim sa të rëndësishëm për shqiptarët aq edhe të rrezikshëm të Jusufit, ky aktivitet po i shkonte mbarë. Suksesi i Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit në unifikimin e shqiptarëve nga shërbimet analitike sekrete jugosllave ishte vlerësuar si i rrezikshëm për shtetin e tyre artificial. Për këtë ata kishin planifikuar zhdukjen fizike të tyre. Atentati ishte kryer në qytetin e vogël Untergrupenbah afër Heilbronit në Gjermani. Aksioni ishte kryer para shtëpisë ku ata po banonin. Bardhoshi dhe Kadriu atë natë kishin mbetur të vdekur. Por, UDB-ja u kujdes që edhe Jusufi të mos jetonte më. Në spitalin ku ishin dërguar ishte një kirurg serb. Ky kishte marrë përsipër operacionin të cilin e bëri “gabim” dhe operacioni u përsërit, ndërsa Jusuf Gërvalla nuk shpëtoi”,
thotë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori përmend arsyen se pse shteti i Kosovës nuk ka pasur mundësi që të kërkojë sqarim nga organet kompetente gjermane për ngjarjen tragjike që ka ndodhur në Gjermani.

Më tej, profesori hedh kritika ndaj shtetit shqiptar, ku shprehet se Shqipëria ka heshtur për këtë vrasje të trefishtë.

“Derisa nuk kemi pas shtet, Kosova nuk ka pas ndonjë mundësi që në emër të shtetit ta kërkojë një sqarim nga organet kompetente gjermane, që ta sqaroj këtë ngjarje, tragjedi për aktivitete që në Evropë ndodhnin kudo pa pengesa. Kjo e vërtetë për familjen Gërvalla mbase është edhe e vonuar, por Kosova duhet ta sqaroj para botës se kush është Serbia. Liria, Pavarësia dhe Demokracia ishin të drejta elementare të njeriut, ndërsa shqiptarët që i kishin kërkuar ato, u vranë nga kriminelët e UDB-së. Nuk pati ndonjë reagim të shtetit gjerman ndaj Jugosllavisë së atëhershme për krimet që po i bënte në shtetin e saj demokratik. Pastaj asnjë shpjegim që mjeku atë natë kishte qëlluar të jetë serb, nuk u përgjigj as mjeku për krimin që e bëri, krimineli i mbështjellë me uniformën me betimin e hipokratit. Nuk e bëri çështje këtë tragjedi as Shqipëria. Derisa Serbia inskenon raste si “Panda”, “Gjorgje”, “Martinoviqi”, plaka serbe e varur nga djali i saj, dhe u përshkruheshin shqiptarëve, dhe plotë këso raste të inskenuara nga vet serbët. Shqiptarët heshtin PSE? Pse heshtin shkencëtarët, për një vizionar të rëndësishëm për unifikimin, për lirinë e shqiptarëve, paqen dhe demokracinë për shqiptarët në veçanti dhe njerizimin në përgjithësi”, deklaroi Maraj.

Ai mendon se të paktën tash do të duhej që Kosova ta shtronte si çështje me Gjermaninë, duke i kërkuar hetime të plota dhe zbardhje të krimit.

“Tani Kosova është e pavarur. Organet kompetente do të duhej të kërkonin një sqarim nga homologët e tyre gjerman. Si ndodhi, të mos zbulohet ky rast tragjik, për pikëpamje të ndryshme politike. Si ndodhi që në spital të ishte “kirurgu” apo më mirë të quhet (kasapi) serb në shtetin gjerman. A ju lejua atij që edhe përherën e dytë ta operonte dhe pse, si ndodhi? Kanë kaluar 40 vjet dhe me sa më kujtohet vetëm shokët e tij në Gjermani kanë reaguar para konsullatës jugosllave. Shqiptarët do të duhej të reagonin. Një sqarim nga shteti i Gjermanisë, tani do të ishte i rëndësishëm. Do të duhej të paditet Serbia pasi që kjo e ka trashëguar Jugosllavinë. Lavdi jetës dhe veprës së Vëllazërive Gërvalla dhe Kadri Zeka. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, është shprehur profesori Maraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat