Bashkëluftëtari i Sali Çekajt i kundërpërgjigjet Blerim Latifit për Ibrahim Rugovën

Politika

Bashkëluftëtari i Sali Çekajt i kundërpërgjigjet Blerim Latifit për Ibrahim Rugovën

Nga: P.R Më: 18 janar 2022 Në ora: 19:06
Mbështetësit e Rugovës e mirëpresin në kthimin e tij në Prishtinë në korrik 1999. Foto: EPA/ANTONIO BAT.

Blerim Latifi, ish këshilltar i Kadri Veselit, i cili po akuzohet nga Gjykata Speciale edhe për vrasjen e anëtarëve të LDK-së, ka nxitur debat në Kosovë me deklaratën e tij të fundit.

Sipas Latifit, nëse nuk ish derdh gjaku i UÇK-së, Kosova do të përfundonte në autonomi me Ibrahim Rugovën.

“Z.Hyseni (Skender) tha se e kemi refuzuar më 1995 autonominë. Unë po të garantoj se nëse nuk kish shpërthyer lufta e UÇKssë na kishim përfunduar me një autonomi sa për që Rugova kish refuzuar. Ti mundesh me nënqeshë por nëse s’kish shpërthyer lufta këtu, nëse nuk ish derdh, më fal është pak frazë e rëndë, por nëse nuk ish derdh gjaku në këtë vend, nëse nuk do të ishte luftuar në këtë vend ne kishim përfunduar në autonomi herët a vonë”, deklaroi Blerim Latifi.

E ndaj Latifit ashpër ka reaguar edhe Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt. Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Tahiraj e quan skandaloze deklaratën e Blerim Latifit.

Image
Saim Tahiraj

“Jo vetëm që është skandaloze por është deklaratë e nivelit më të ultë njerëzorë, e le më të një alamet profesori siç pretendon ky far picimul analist! Për këtë picimul analist është shumë barrë e rëndë të merret me analizën dhe vlerësimin e figurës madhështore të Presidentit Rugova, andaj bënë kësi deklarata skandaloze!”, thotë Tahiraj.

Sipas tij, edhe Latifi bën pjesë në grupin e atyre që ndjejnë urrejtje patologjike për Ibrahim Rugovën.

“Ky picimul analist i takon soijt të cilët kurrë nuk u liruan nga urrejtja patologjike ndaj Presidentit Rugova. Në pamundësi që t’i arrijnë sukseset historike që i arriti Presidenti Rugova, u shndërruan në bisha dhe sulmojnë në vazhdimësi atë! Sa herë e sulmuan dhe vazhdojnë ta sulmojnë, ajo rritet dhe bëhet hyjnore, ndërsa e tyre zvogëlohet në pafundësi dhe shndërrohen në figura më të urrejtura nga kombi ynë. Shumë të tjerë nga soji i këtij picimuli e sulmuan edhe shumë vite më parë me lloj, lloj epitetesh; komunist, autonomist, tradhtar, madje e dënuan edhe me vdekje. I organizuan edhe atentate, por kur u binden për madhështinë e tij shkuan dhe iu përulen te varri. Edhe kjo mbetje e tyre një ditë jo të largët, ndoshta e arrin vetëdijesimin e duhur dhe e kupton atë madhështi, shkon e përkulet te varri i hyjnorit, si ideologët e tij”, shprehet Tahiraj për “Boa sot”.

Më tej, ai thotë se ishte pikërisht presidenti Rugova, ai i cili filloi projektin për shtetin e Kosovës.

“Ta akuzosh Presidentin Rugova si autonomist dhe kundër UÇK-së, është mungesë diturie, mungesë njohurie për gjërat elementare të ngjarjeve që u zhvilluan nga vitet e 90-ta e gjerë më sot! Projektin për shtetin e Kosovës e filloj pikërisht Presidenti Rugova me një elitë intelektualësh të kohës. Veprimtaria e tyre filloi në dy drejtime; njeri ishte organizimi i brendshëm ku u themelua qeveria me të gjitha ministrit. Filloi organizimi i sistemit paralel në të gjitha segmentet; arsim, shëndetësi, drejtësi, mbrojtje. Pikërisht në tetorin e vitit 1991, filloi organizimi i sistemit të mbrojtjes dhe aksionet guerile kundër forcave serbe. I dyti ishte veprimi në diplomacinë e jashtme ku u përqendruan në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar me situatën e vështirë në Kosovë, represionin, burgosjet, vrasjet e pushtetit kriminal serb”, thekson Tahiraj.

Ai shton se Ibrahim Rugova me veprimtarinë e tij, u bë figura më e pranueshme tek personalitetet botërore.

“Falë aktivitetit të ngjeshur diplomatik të presidentit Rugova dhe bashkëpunëtorëve të tij, problemi dhe çështja e Kosovës arriti në kancelarit kryesore të botës. Me urtësinë, dijen, mençurinë e tij, arriti të ndërtohet si figura më serioze dhe më e besueshme te personalitetet kryesore të politikës botërore, te qeveritë e shteteve më të fuqishme në botë, te shoqatat dhe institucionet humanitare dhe religjioneve, te personalitetet e kulturës dhe artit”.

Për fund, Tahiraj deklaron se ky kombinim i luftës diplomatike, organizimit dhe rezistencës në Kosovë, solli ndërhyrjen e NATO-s dhe lirinë e shumëpritur për popullit tonë.

“Liria dhe Shteti i Kosovës ka emër dhe mbiemër, ata janë; presidenti Rugova, ushtria e Kosovës, populli heroik i saj që me gjakun e tij vuri bazat e forta mbi të cilin qëndron fuqishëm kalaja jonë Kosovë! Çdo deklaratë, veprim, shkrim, libër, film apo diçka tjetër që përpiqet ta njollosë figurën madhore të Presidentit Rugova, do flakët në plehrat e historisë nga vet populli i Kosovë. Historia jonë e ka vendosur në vendin e figurave më të rëndësishme të kombit tonë. Presidenti Rugova është vet shteti i Kosovës!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat